E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha=Rama debat per Meten

18/12/2008  Kodi Zgjedhor, Berisha fton kreun socialist të japë kompromis për Ilir Metën

Rama s’mund të mohojë peshën elektorale të LSI-së

Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar kreut socialist Edi Rama që të dëshmojë sens kompromisi me Lëvizjen Socialiste për Integrim në lidhje me Kodin Zgjedhor. Kreu i qeverisë ka zgjedhur mbledhjen e qeverisë për t’i drejtuar këtë apel Ramës, ndërsa ka pohuar se LSI-ja përfaqëson 8-10 për qind të elektoratit.

Deklarata e Berishës

“Kodi zgjedhor është në diskutim. Dua të jem fare i hapur dhe ftoj Edi Ramën të dëshmojë sens kompromisi me forcën politike që ka 8 deri në 10 për qind të elektoratit. Nuk është në interesin e vendit përjashtimi total nga përfaqësimi në procesin zgjedhor i kësaj force politike”, - theksoi Berisha gjatë fjalës së mbajtur. Ai u shpreh se “këtë ftesë nuk e bëj për asnjë qëllim tjetër përveçse për faktin se realitetet nuk duhen mohuar”. “Në vendime të rëndësishme, nëse injoron realitetin, të pëlqen apo jo, vendimi mbetet me probleme. Kur nuk i pëlqen, realitetet janë për t’u ndryshuar, por jo për t’u mohuar”, - tha më tej Kryeministri. Në këtë kontekst, Berisha tha se dëshiron të shqyrtohet mundësia e një hapësire edhe për atë forcë që, e ndrydhur nga fenomeni i Dushkut, dhe për këtë duhet të jemi realistë, sepse nuk mund të themi ndryshe, ka përfaqësuar 8 apo 10 për qind të shqiptarëve në zgjedhjet e vitit 2005 dhe në vitin 2007 ndoshta edhe më shumë, pasi ka qenë në koalicion. Në lidhje me grevën e urisë së 10 deputetëve të zhvilluar pak kohë në sallën e Kuvendit, Berisha u shpreh se kam qenë shumë i lënduar nga greva e urisë dhe këtë e them hapur. “Pavarësisht se kundërshtarë, por për vendin, për Europën e botën, sado që askush nuk e mbështeste vendimin për të hyrë në grevë urie, por faktikisht ishte e tillë, 10 deputetë në grevë urie ishte një lëndim dhe përbënte një lajm aspak të favorshëm për vendin”, - tha kreu i qeverisë. Duke shprehur bindjen se

një çështje e tillë nuk përbënte një objekt trajtimi, Berisha tha se është i bindur se shpreh mendimin e mazhorancës në këtë rast, ku duhet të përpiqemi të korrigjojmë ndonjë gjë. “Ne nuk dalim jashtë teorisë së gabimeve. Mundësia është për reflektim, prandaj të reflektojmë. Nuk kam asnjë qëllim tjetër, por vetëm përfshirjen. Ne kemi një konsensus me PS-në dhe këtë nuk e mohoj, po nëse e zgjerojmë më shumë, do të ishte mirë për vendin”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Bosch konteston projektligjin e bashkëpunëtorëve. Lohan jep alarmin për zgjedhjet e ardhshme

Kodi dhe dosjet shqetësimet e OSBE-KE

“Ndryshimet duhen bërë me shpejtësi, pasi rrezikohet procesi i 2009-s”

Xhevair Gredica

Bllokimi i reformës zgjedhore dhe hapja e dosjeve duket se janë dy nga çështjet e rëndësishme që shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar. Në deklarata të ndryshme për mediet kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë Helmuth Lohan dhe ambasadori i OSBE-së Robert Bosch i tërhoqën vëmendjen politikës shqiptare në lidhje me reformën zgjedhore dhe ligjin e dosjeve. Pas një periudhe qetësie, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar janë angazhuar sërish në temat më të debatueshme të politikës shqiptare, ndërsa theksin e kanë vënë në miratimin e ligjeve me konsensus sa më të gjerë, si dhe në transparencën që duhet të shoqërojë proceset e diskutimeve.

Bosch për dosjet

“Çdo qytetar duhet të gëzojë të gjitha të drejtat për të njohur të kaluarën e vendit të tij”, kjo ka qenë deklarata e bërë nga kreu i misionit të OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, duke komentuar në këtë mënyrë ligjin për dosjet. Nga qyteti i Durrësit, Bosch ndonëse ka përkrahur procesin për miratimin e një ligjit për hapjen e dosjeve e ka cilësuar draftin e diskutuar në Kuvend si në kundërshtim me disa nene kushtetuese. Ashtu si edhe ambasadori amerikan në Tiranë, edhe kreu i prezencës së OSBE-së ka vënë theksin në debatin e gjerë që duhet të zhvillohet për çështje të tilla. “Çdo vend duhet të përballet me të kaluarën e vet”, u shpreh Bosch, ndërsa kërkoi pasurimin e draftit të propozuar. Sipas ambasadorit të OSBE-së, përpara se drafti të marrë formën përfundimtare, duhet që ai të përfshijë edhe mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë. Në këtë mënyrë OSBE-ja ka shfaqur të njëjtat mendime dhe kritika për draftin e propozuar nga mazhoranca për miratimin e ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve”. Dy ditë më parë ishte ambasadori amerikan Xhon Uithers, i cili shprehu kritikat e tij në lidhje me ligjin e dosjeve, ndërsa vlerësoi shtyrjen e miratimit të draftit.

Lohan për Kodin

Kreu i Komisionit Europian në Shqipëri Helmut Lohan shprehu dje shqetësimin për mosfillimin e punës për procesin e ardhshëm zgjedhor. Ambasadori Lohan kritikoi vonesat në miratimin e Kodit Zgjedhor dhe deklaroi se ndryshimet duhen bërë me shpejtësi, pasi po rrezikohen zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë në lidhje me reformën në drejtësi ai shprehu nevojën e angazhimit edhe të ekspertizës ndërkombëtare. Kreu i Komisionit Europian kërkoi që Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›