E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS-ja do të reflektojë

18/12/2008  Kreu i LSI-së kërkon përgjigje zyrtare nga Rama

Lidershipi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ende beson në një reflektim të mundshëm të PS-së lidhur me Kodin e ri Zgjedhor. Një konstatim i tillë u bë dje publik nga vetë kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili gjatë një komunikimi me mediet kërkoi nga kryetari i PS-së një përgjigje zyrtare rreth ftesës për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, me qëllim realizimin e një ligji elektoral gjithëpërfshirës. Njëkohësisht, ndalur në besimin për një reflektim të lidershipit të Ps-së ndaj kësaj ftese, Meta u shpreh se “shpresoj që kryetari i Partisë Socialiste të reflektojë dhe të kontribuojë që të arrihen standardet e zgjedhjeve përmes kohës që kemi të gjithë në dispozicion për të reflektuar ndryshimet e kërkuara në Kod”. Sipas tij, PS-ja i ka ezauruar tashmë të gjitha argumentet që nuk mund të bënin të mundur uljen në tryezën e bisedimeve. “Kur ishte greva e urisë, ata kishin një argument se gjoja nën presion nuk donin të bisedonin apo të arrinin standardet. Unë mendoj se tani nuk ka më asnjë argument”, - nënvizoi Meta lidhur me këtë çështje. Gjithashtu një tjetër element që duhet të sjellë një kthesë nga ana e lidershipit socialist lidhet dhe me mesazhet e lëshuara nga socialistët europianë, të cilët janë shprehur shumë qartë se Kodi duhet të jetë gjithëpërfshirës. Ndërkohë, duke qenë më i drejtpërdrejtë, Meta deklaroi se “ftesa ime ndaj zotit Rama, e cila ka qenë zyrtare dhe nuk ka qenë për mediet, pra ka qenë për të si kryetar i Partisë Socialiste, mbetet e hapur, sepse unë ende nuk kam marrë një përgjigje zyrtare, por besoj në reflektimin e tij, se unë u jam përgjigjur të gjitha ftesave të tij, sikurse e dini”. Ndërsa deklaratat e kreut të mazhorancës Meta i cilësoi si tentativa për t’ia deleguar opozitës përgjegjësinë në rast të dështimit të procesit zgjedhor. “Nuk besoj se Berishës i qan zemra vërtet për zgjedhje të lira apo për LSI-në. Kryeministri përmes qëndrimeve të tij të fundit synon: së pari, t’u bëjë të ditur partnerëve ndërkombëtarë se nuk është ai problemi, nëse nuk arrihen standardet e zgjedhjeve; së dyti, në rast se do të ketë probleme me zgjedhjet, përgjegjësinë t’ia faturojë lidershipit të Partisë Socialiste, ose t’i trajtojë si probleme të brendshme të opozitës.

Qëndrimi i PS-së

“Kuvendi të votojë vetëm dekretin e Presidentit”

Partia Socialiste ritheksoi sërish qëndrimin e saj të palëkundur ndaj Kodit Zgjedhor. Përmes zëdhënëses së kryesisë Mimi Kodheli, PS-ja iu përgjigj të gjitha deklaratave dhe qëndrimeve të ardhura si nga kampi kundërshtar, ashtu dhe nga parti brenda së majtës parlamentare. Në këtë mënyrë, duke iu referuar pikërisht këtyre deklaratave, Kodheli u shpreh: “Nuk na çudit fare shfaqja e dyfytyrësisë së radhës që Sali Berisha dha sot duke i qarë hallin Ilir Metës. Në derexhenë ku është katandisur Kryeministri, Iliri është vërtet shpresa e fundit që i ka mbetur për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e tmerrshme të korrupsionit qeveritar. Përgjigjja jonë është e thjeshtë: Parlamenti duhet të votojë pa humbur kohë vetëm për dekretin e Presidentit. Lidershipi i PS-së prezantoi rrjetin e vullnetarëve të saj në të gjithë vendin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›