Berisha:Vëmendje maksimale për të garantuar kujdesin shëndetësor kudo për shqiptarët
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë të premten në përurimin e Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore në Tiranë, në të cilin ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli, përfaqësues të institucioneve shëndetësore, mjekë, ekspertë të fushës së shëndetësisë, infermierë, etj. Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Eshtë një rast i veçantë për mua t'u përshëndes ju, të përshëndes "bluzëbardhët" në të gjithë Shqipërinë, për të shprehur nderimin tim më të thellë për përkushtimin tuaj, për humanizmin tuaj, për kontributin tuaj në luftën kundër një armiku kryesor të njeriut. (John Kennedy thekson se armiqtë e njeriut janë shtypja, sëmundja dhe varfëria. Sot ju dhe te gjithë ne, përballemi në mënyrë konstante me sëmundjen, luftoni për garantimin e shëndetit dhe promovimin e tij. Kontributi juaj është i jashtëzakonshëm. Keni arritur të riadaptoheni në fushën e tregut, të zhvilloni sektorë dhe specialitete që më parë nuk kanë ekzistuar, të krijoni vazhdimësi në klinikat dhe shërbimet tuaja me specialistë të shquar dhe të kualifikuar.
Keni vërtet merita shumë të çmuara. Shëndetësia është një nga sektorët në të cilin reformat janë më jetike se në çdo sektor tjetër. Për vetë karakterin dhe delikatesën, për vetë misionin e saj, nuk mund të mohohet se me te gjitha përpjekjet e bëra, reformat në shëndetësi janë larg së qenurit në nivelin që duhet të ishin dhe, pa këto reforma, ky sistem shërbimesh kaq jetik për shoqërinë nuk zhvillohet, nuk konsolidohet, por degradon. Ndaj dhe kam shumë kënaqësi që jam sot këtu në përurimin e kësaj qendre, që përbën një përpjekje shumë serioze për reformimin e sistemit tonë shëndetësor. Reformat janë jetike dhe mendoj se vetë komponentët e kësaj qendre përbëjnë dhe linjat kryesore të reformave. Qendra e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit quhet qendra që ne themeluam së bashku sot. Dr. Kalo sjell këtu një eksperiencë shumë të çmuar, eksperiencën më të mirë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, punonjës i së cilës shërbeu për disa vite. Kjo qendër trajton problemet madhore. Komponentë të saj kryesorë janë fuqizimi i rolit të të sëmurit. Asgjë më të rëndësishme se i sëmuri për ne nuk ka, për shoqërinë nuk ka, për ju nuk ka. Respektimi i të drejtave të tij universale, i të drejtave të tij themelore, i rolit të tij në konceptin e bashkëpunimit, si një rol qendror, është kusht vendimtar për reformën në sistemin tonë shëndetësor, është kusht vendimtar në përpjekjet tuaja për të shmangur disa elementë des'humanizues, çnjerëzorë të Kujdesit Shëndetësor, sepse e drejta për kujdes shëndetësor është një e drejtë që duhet ta gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe në sektorin publik duhet ta gëzojnë atë në mënyrë të barabartë. Nuk mund të mohohet se përpjekjeve tuaja të mëdha dhe të bashkëpunëtorëve tuaj, ju bëjnë hije shfaqje të papërshtatshme të korrupsionit. Po të krahasosh lumin e djersës që ju derdhni në shërbim dhe përkushtim të jetës së njeriut, me këto elementë që tentojnë të nxijnë këtë punë madhështore që ju bëni, është emergjente t'i jepet përgjigje këtij fenomeni. Bluzat e bardha duhet të mbeten të bardha, sepse ato kanë mundin, djersën, sakrificën, përkushtimin tuaj dhe të familjeve tuaja.
Kjo kërkon, zoti ministër, që të përdoren të gjitha procedurat, të cilat shmangin këtë fenomen në maksimum. Kjo kërkon, që shefi i klinikës të ketë rolin dhe trajtimin që i takon, sepse qendra "Nënë Tereza" është truri që degëzon në të gjithë Shqipërinë dhe që përcakton të gjithë fizionominë, psikologjinë e sistemit tonë shëndetësor. Ndaj dhe kjo qendër, jam i bindur se do të përpunojë standarte, së bashku me Urdhërin e Mjekut, së bashku me Komisionin Mjekësor Spitalor të Qendrës "Nënë Tereza". Ju duhet ta bëni, nëpërmjet procedurave, por dhe nëpërmjet trajtimit. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që arritëm të shpallim një rritje 25 përqind të rrogës së infermiereve dhe ju siguroj se kjo është vetëm fillimi. Se nuk mund t'i kërkosh tjetrit të shërbejë një jetë të tërë në shërbimet më të vështira, më delikate dhe të mos e trajtosh me dinjitetin që i takon. Por në kushtet e tregut, përcaktimi i procedurave ju mundëson ju edhe të përmirësoni trajtimin e punonjësve, edhe të parandaloni ato shfaqje, të cilat këtu janë më të patolerueshme se në çdo sektor tjetër. Disa herë unë jua kam theksuar ju dhe prapë jua theksoj publikisht: shefi i klinikës, zoti ministër, duhet të trajtohet më mirë se kryeministri, sepse kështu trajtohen në të gjitha vendet dhe faktikisht puna që ai bën, përgjegjësitë që ai mban, e bëjnë të domosdoshëm një trajtim të tillë të tij.
Dhe nuk duhet të ngurrojmë, nuk duhet të hezitojmë të gjejmë, të përcaktojmë mënyrën e trajtimit më dinjitoz të drejtuesve të klinikave, të atyre që japin më shumë. Sepse ne e dimë rolin e tyre. Duhet të gjenden të gjitha format, ta nxjerrim sistemin, unë ju siguroj se ne do rrisim buxhetin progresivisht, për ta garantuar kujdesin shëndetësor kudo për shqiptarët. Secili prej nesh e di që, në drejtim të rajonizimit ka një prapakthehu. Janë zona të tëra pa mjekë, ku mjekët nuk punojnë dhe jo se s'duan të punojnë, problemi është i yni, s'është i tyre. Problemi është se ne nuk kemi gjetur mekanizmat, s'kemi përcaktuar mekanizmat që bëjnë të mundur që mjekët të punojnë në Frashër të Përmetit, në Dukagjin, në Mokër dhe kudo.
Prandaj me shpejtësi zoti ministër, të dashur miq dhe kolegë ju duhet të përcaktoni kuadrin dhe ne ju mbështesim fuqimisht, se nuk mund të mos ju mbështesim ju në përpjekjet për të siguruar shëndetin e njerëzve. Të përcaktoni atë kuadër që është i domosdoshëm, në mënyrë që shqiptarëve t'u shërbehet kudo që ndodhen. Pse do rrinë atje pa shërbim mjekësor, përkundrazi natën kanë të drejtë të ikin, në qoftë se s'kanë kujdesin shëndetësor, në qoftë se nuk kanë mjekun, s'kanë maminë, sikundër duhet fuqizuar shërbimi me helikopter. Duhet të dinamizohet sa më shumë ky shërbim, zoti ministër. Helikopterët janë, të tjerë mund të marrim, të shohim sistemin e ndërlidhjeve, por që në fakt sot është përsosur nëpërmjet celularëve, kështu që nuk është më problemi i mëparshëm. Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj urgjencës dhe ndaj nevojave të qytetarëve tanë, të shpërndarë në të katër anët e vendit, por që fatkeqësisht një kujdes shëndetësor nuk e gëzojnë aty ku janë.
Qendra që inagurojmë sot është fillimi i kërkimit të evidencës shëndetësore, e domosdoshme kjo për të përcaktuar orientimet e politikave tona, ku duhet të përqëndrohemi, ku duhet të investojmë, çfarë duhet të investojmë në morinë e madhe të prodhimeve të sotme. Nuk ka dyshim që teknologjitë e reja janë të domosdoshme, por shumëllojshmëria e tyre, shumëllojshmëria e prodhimeve farmaceutike e bën seleksionin jo vetëm shumë të nevojshëm për Shqipërinë, e bën të domosdoshëm. Ndaj dhe jam i bindur se kjo qendër do të japë një kontribut thelbësor për të orientuar drejt politikave më të drejta, drejt politikave të cilat ne duhet të përcaktojmë si parësore, teknologjinë që duhet të përzgjedhim, medikamenteve dhe kështu me radhë. Përmirësimi i cilësisë kërkon dhe verifikimin e saj, verifikimin periodik të saj. Cilësia nuk është një dhunti që s'ndryshon, një arritje që s'ndryshon, ndaj dhe akreditimi, rivlerësimi për të cilat angazhohet qendra që inauguruam sot, është një proces i domosdoshëm për të ruajtur cilësinë e shërbimit, për të përshtatur shërbimin me nevojat e reja që krijohen.
Kështu që, edhe në këtë kontekst jam i bindur se kjo qendër e drejtuar nga dr. Kalo, në bashkëpunim me ju, bashkëpunëtorë të ngushtë, do mund të lartësojë cilësinë e mjekëve, cilësinë e shërbimit në tërësi në sistemin tonë shëndetësor. Qendra synon të promovojë kulturën e cilësisë dhe të sigurisë së shërbimit, pra të spostojë, në tërësi do të thoja, shëndetësinë tonë, kujdesin mjekësor, kujdesin shëndetësor.
Edhe një herë unë desha t'ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh të gjithë nderimin tim të madh për punën tuaj, të shpreh besimin se ju do të jepni përgjigjen që meriton nëpërmjet reformave, përpjekjeve, këtij faktori i cili i bën hije mundit, djersë, humanizmit tuaj. Falemiderit".