Këshilli i Ministrave miraton disa shtesa në rregullat e prokurimit publik
Këshilli i Ministrave miraton disa shtesa në rregullat e prokurimeve publike në fushën energjitike, propozuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Kryeministri Berisha e konsideroi vendimin me impakt për transparencën në prokurimet publike, me të cilat Ministria e Ekonomisë synon që "në tregun e produkteve që ajo prokuron të krijojë hapësira të mëdha dhe reale për konkurencën e lirë, të shmangë dështimin e tenderave, si një nga praktikat më të djallëzuara për të legjitimuar prokurimin direkt". Gjithashtu, z. Berisha bëri të ditur se po bëhet një punë shumë serioze për të gjithë procesin e prokurimit, të cilin e drejton zvkryeministri Rusmali dhe në të cilin kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm Kontrolli i Shtetit me ekspertizën e tij të pasur, Agjencia e Prokurimeve Publike, si dhe ministria e Financave dhe institucione të tjera. Kryeministri tha se rezultatet shumë të rëndësishme, që janë arritur në qartësimin e procedurave të prokurimit, trasparencën e madhe të tyre, do të shndërrohen në amendime të ligjit të prokurimeve publike, si dhe në udhëzime. Nga ana tjetër, theksoi z. Berisha, po punohet seriozisht për partneritetin publik dhe privat apo dhe në fushën e koncesioneve, si një nga format e faktuar tepër e suksesshme në shumë vende, veçanërisht e dobishme në vendet me financa të kufizuara, si Shqipëria. Për këtë qëllim, në përputhje me programin, pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës do të ngrihet Agjencia Kombëtare e Koncesioneve.