E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të enjten, nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, miratoi disa projektligje, vendime dhe marrëveshje.

VENDIM

Për propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Ksuhtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës", për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kryeministri
Sali Berisha

PROJEKTLIGJ

"Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës"

Në mbështetje të neve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Vendosi:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, për bashkëpunimin në fushat e kulturës, të arsimit dhe shkencës.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryetari
Jozefina Topalli

* * *

VENDIM

Për çmimin, formën, përmbajtjen, elementet e sigurisë dhe procedurat për pajisjen me kartën e studentit

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 32, të ligjit nr. 8461, datë 25.2.1999, "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, dhe të nenit 2, të ligjit nr. 9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

1. Miratimin e Kartës së Studentit, si dokument unik, që përdoret nga të gjithë studentët e arsimit të lartë, publik e jopublik, me kohë të plotë, në Republikën e Shqipërisë.

2. Forma, përmbajtja dhe elementet e sigurisë së Kartës së Studentit të jenë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

3. Karta e Studentit lëshohet për një periudhë 1-vjeçare, kundrejt një çmimi prej 100 (njëqind) lekësh.

4. Procedura e pajisjes me Kartën e Studentit është si më poshtë vijon:

a) Studenti regjistrohet në sekretarinë e universitetit, në fillim të vitit akademik, plotëson dhe depoziton formularin tip, i cili përmban të dhënat individuale për çdo student, fotografinë dhe kërkesën për t'u pajisur me Kartën e Studentit, shoqëruar me pagesën e përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi;

b) Rektoratet e universiteteve, në fillim të vitit akademik, paraqesin në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në formë elektronike, listat me emrat e studentëve të regjistruar, që do të pajisen me Kartën e Studentit, si dhe të gjitha të dhënat e përcaktuara në shkronjën "a", të kësaj pike.

c) Rektoratet e iniversiteteve derdhin në llogarinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shumën e mbledhur nga pagesa e tarifës për pajisjen me Kartën e Studentit, e cila kalon në zërin "Të ardhura dytësore".

5. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për pajisjen e studentëve me kartë, krijon dhe administron bazën e të dhënave, për çdo student të pajisur me Kartën e Studentit, të cilën e përditëson çdo vit.

6. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila plotëson kartat e studentëve, sipas kërkesave të rektorateve, bashkëpunon me rektoratet e universiteteve, me qeveritë studentore dhe organizatat e ndryshime rinore, për çdo problem që ka të bëjë me pajisjen e studentëve me Kartë, dhe shkëmben, në mënyrë të ndërsjellë informacione për bazën e të dhënave.
7. Efekti financiar, prej 6 000 000 (gjashtë milionë) lekësh, për prodhimin e Kartës së Studentit, për vitin akademik 2006-2007, të përballohet nga buxheti i vitit 2006, i miratuar për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

8. Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për zbatimin e këtij vendimi dhe rektoratet e universiteteve për shpërndarjen e Kartës së Studentit.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryeministri
Sali Berisha

* * *

VENDIM

Për propozimin e projektligjit "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8996, datë 30.1.2003, "Për njësitë e matjes dhe kontrollin e mjeteve matëse (Metrologjinë)""

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Propozimin e projektligjit "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8996, datë 30.1.2003, "Për njësitë e matjes dhe kontrollin e mjeteve matëse (Metrologjinë)"", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kryeministri
Sali Berisha

PROJEKTLIGJ

Për disa ndryshime në ligjin nr. 8996, datë 30.1.2003, "Për njësitë e matjes dhe kontrollin e mjeteve matëse (Metrologjinë)"

Në mbështetje të neneve 78, 81, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Vendosi:

Në ligjin nr. 8996, datë 30.1.2003, "Për njësitë e matjes dhe kontrollin e mjeteve matëse (Metrologjinë)", të bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Pika 2, e nenit 3, të ndryshohet, si më poshtë vijon:

"2. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës bën përcaktimin e njësive të matjes, të pavarura dhe të rrjedhura nga SI-ja, si dhe të shumëfishave dhe nënfishave dhjetorë të sistemit SI.".

Neni 2

Nën nenin 6 të bëhen këto ndryshime:

Pika 1 ndryshohet si më poshtë vijon:

"1. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit është person juridik, publik, i specializuar për njësitë e matjes dhe kontrollin e tyre, në varësi të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.".

Pika 4, ndryshohet si më poshtë vijon:

"4. Drejtori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.".

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryetari
Jozefina Topalli

* * *

VENDIM

Për disa shtesa në vendimin nr. 335, datë 23.6.2000, të Këshillit të Ministrave, "Për rregullat e prokurimit publik", të ndryshuar

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr. 7971, datë 26.7.1995, "Për prokurimin publik", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Në vendimin nr. 335, datë 23.6.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa:

1. Pas shkronjës "d", të pikës 5, shtohen shkronja "dh', me këtë përmbajtje:

"dh. Për procedurat ndërkombëtare për blerjen e mallit, energji elektrike, jo më pak se 20 ditë. Në rast përsëritje të procedurës, ky afat të jetë jo më pak se 10 ditë.".

2. Në pikën 6 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

"Për mallin energji elektrike, kushti i sigurimit të ofertës të jetë 2-5 për qind të vlerës së ofertës së paraqitur nga ofertuesi. Në rast se ofertuesi paraqet disa oferta alternative, kushti i sigurimit të ofertës të jetë 2-5 për qind të vlerës së ofertës më të madhe, të paraqitur nga ofertuesi.".

3. Pas paragrafit të parë, të pikës 8, shtohet paragrafi, me ketë përmbajtje:

"Në procedurat për prokurimin e mallit, energji elektrike, pjesëmarrësi i shpallur fitues duhet t'i deklarojë entin prokurues, nëpërmjet nënshkrimit të formularit të kontratës, gatishmërinë për të lidhur kontratën, brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit.".

4. Në fund të pikës 10 shtohet paragrafi, me këtë prëmbajtje:

"Në procedurën e prokurimit për mallin energji elektrike, enti prokurues është i detyruar të bëjë shpalljen e fituesit në Buletin e Prokurimit Publik, por kontrata mund të lidhet edhe përpara botimit të emrit të fituesit në këtë buletin.".

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryeministri
Sali Berisha

* * *

VENDIM

Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së shtetit të Izraelit, për shërbimin ajror

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së shtetit të Izraelit, për shërbimin ajror.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kryeministri
Sali Berisha

* * *

VENDIM

Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 379, datë 31.5.2001, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e Planit Kombëtar të Radiofrekuencave", të ndryshuar

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, shkronja "b", 70, 72 dhe 73, të ligjit nr. 8618, datë 14.6.2000, "Për telekomunikacionet në Republikën e Shqipërisë", dhe të nenit 7, të ligjit nr. 8410, datë 30.9.1998, "Për radion dhe televizionin, publik e privat, në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Në vendimin nr. 379, datë 31.5.2001, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 1 riformulohet, si më poshtë vijon:

"1. Miratimi i planit kombëtar të radiofrekuencave, të ndryshuar, sipas lidhjeve 1,2,3 dhe 4, që i bashkëlidhen këtij vendimi.".

2. Pikat 3 e 5 shfuqizohen.

3. Në pikën 6, reshti i tretë, lidhëza "... ose ..." zëvendësohet me lidhëzën "...dhe...".

4. Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:

"7/1. Në pajtim me përcaktimet e këtij plani organet, që administrojnë spektrin e radiofrekuencave, në bashkëpunim me Entin Rregullator të Telekomunikacioneve, bëjnë ndarjen e brezave të frekuencave me përdorim të përbashkët, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe.".

5. Në pikën 8 hiqen fjalët "...me përjashtim të shtojcës nr. 7 të tij...".

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryeministri
Sali Berisha

* * *

VENDIM

Për disa ndryshime në vendimin nr. 337, datë 15.7.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për krijimin e Komisionit Qeveritar për Problemet Ujore me vendet fqinje", të ndryshuar

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 4, dhe 72, të ligjit nr. 8093, datë 21.3.1996, "Për rezervat ujore", me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Në vendimin nr. 337, datë 15.7.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:

1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"2. Komisioni kryesohet nga zëvedësministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe ka në përbërje 9 përfaqësues nga:

- Ministria e Punëve të Jashtme anëtar;
- Ministria e Brendshme anëtar;
- Ministria e Financave anëtar;
- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës anëtar;
- Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit anëtar;
- Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit anëtar;
- Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave anëtar;
- Akademia e Shkencave anëtar;
- Sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit anëtar.".

2. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"7. Shpenzimet për zhvillimin e veprimtarisë së komisionit dhe të nënkomisioneve (pagesat, transporti, dietat), të përballohen nga buxheti i ministrive dhe institucioneve përkatëse.".

3. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

"9. Ngarkohet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.".

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryeministri
Sali Berisha

* * *

VENDIM

Për një ndryshim në vendimin nr. 775, datë 28.10.1996, të Këshillit të Ministrave, "Për krijimin e Këshillit Kombëtar të Ujit", të ndryshuar

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 2, dhe 72, të ligjit nr. 8093, datë 21.3.1996, "Për rezarvat ujore", me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Pika 2, e vendimit nr. 775, datë 28.10.1996, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të ndryshohet si më poshtë vijon:

"2. Këshilli Kombëtar i Ujit (KKU) përbëhet nga 8 anëtarë, përkatësisht:

- Kryeministri kryetar;
- Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave zëvendëskryetar;
- Ministri i Brendshëm anëtar;
- Ministri i Financave anëtar;
- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës anëtar;
- Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit anëtar;
- Ministri i Shëndetësisë anëtar;
- Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit anëtar.".

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryeministri
Sali Berisha

* * *

VENDIM

Për disa shtesa në vendimin nr. 228, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, "Për rregullimin e veprimtarisë me jashtë të administratës shtetëore"

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, "Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë", me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Në vendimin nr. 228, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto shtesa:

1. Në fund të pikës 6 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

"Këto rregulla zbatohen edhe për vizitat, zyrtare dhe private, të zëvendësministrave, jashtë shtetit.".

2.Kudo në vendim, pas emërimit "...ministrat..." shtohet emërtimi "...e zëvendësministrat...".

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryeministri
Sali Berisha

* * *

VENDIM

Për një shtesë në Vendimin nr. 205, datë 13.3.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e dispozitave zbatuese të Kodit Doganor", të ndryshuar

Në mbështetje të nenit 100 të kushtetutës, dhe të nenit 123.2, të ligjit nr. 8449, datë 27.1.1999, "Kodo doganor i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

Në vendimin nr. 205, datë 13.3.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në fund të pikës 247.1 të bëhet shtesa, si më poshtë vijon:

"Kushti për të patur një "nevojë reale ekonomike" quhet i plotësuar në njërin prej rasteve të mëposhtme:

a) Mallrat, të cilat kërkohen të vihen në regjimin e magazinës doganore, shërbejnë si burime alternative të energjisë dhe që, për vetë specifikat e transportit, ruajtjes, tregtimit, vëllimit e vlerës së tyre, e kanë të domosdoshme vendosjen në një regjim të magazinimit doganor. Futja e të tilla mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë kryhet vetëm nga persona juridike të liçensuar nga autoritetet përkatëse dhe kërkesa e tyre për të fituar një autorizim të magazinës doganore vlerësohet vetëm në rast se historiku i përmbushjes dhe shlyerjes së detyrimeve, tatimore e doganore, nuk përmban shkelje, shmangie, fshehje, penalitete dhe ndëshkime të tjera, në lidhje me zbatimin e kërkesave ligjore në fuqi. Në këto mallra përfshihen nafta dhe nënproduktet e saj, si dhe gazi natyror.

b) Mallrat, të cilat kërkohen të vihen në regjimin e magazinës doganore, janë mjete të papërdorura, vetëlëvizëse, që futen në territorin e Republikës së Shqipërisë nga importues të autorizuar nga prodhuesit a distributorët e këtyre mjeteve dhe që, për vetë numrin e madh të copëve në një dërgesë, për sipërfaqen e madhe që zënë gjatë parkimit, për kohën e gjatë të shitjes së mjeteve dhe për vlerën e madhe të dërgesës, e kanë të domosdoshme vendosjen në një regjim të magazinimit doganor. Kërkesa e aplikuesit për të fituar një autorizim të magazinës doganore vlerësohet, vetëm në rast se historiku i përmbushjes dhe shlyerjes së detyrimeve, tatimore e doganore, nuk përmban shkelje, shmangie, fshehje, penalitete dhe ndëshkime të tjera, në lidhje me zbatimin e kërkesave ligjore në fuqi. Në këto mallra përfshihen autoveturat, kamioncinat, furgonët, mikrobusët, autobusët.

c) Mallrat, të cilat kërkohet të vendosen në regjimin e magazinës doganore janë mallra, që u nënshtrohen njërit apo disa prej proceseve të mëposhtme:

- ambalazhim apo çambalazhim;
- vendosjes së etiketave, vulave, markave apo shenjave të ngjashme, me kusht që të mos bëjnë që mallrat të duken me origjinë të ndryshme nga origjina e tyre e vërtetë;
- montim apo bashkimit të pjesëve, deri në masën që ato të paraqesin një element shtesë dhe jothelbësor në fabrikimin e mallit;

Kërkesa e aplikuesit për të fituar një autorizim të magazinës doganore vlerësohet, vetëm në rast se historiku i përmbushjes dhe shlyerjes së detyrimeve, tatimore e doganore, nuk përmban shkelje, shmangie, fshehje, penalitete dhe ndëshkime të tjera, në lidhje mje zbatimin e kërkesave ligjore në fuqi.

ç) Mallrat, të cilat kërkohet të vendosen në regjimin e magazinës doganore janë mallra, që, pasi u nënshtrohen njërës apo më shumë operacioneve, të përshkruara në pikën 3, të këtij vendimi, destinohen për shpërndarje të mëtejshme në tregjet rajonale, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe kur këto mallra nuk janë vendosur në regjimin e tranzitit. Kërkesa e aplikuesit për të fituar një autorizim të magazinës doganore vlerësohet, vetëm në rast se historiku i përmbushjes dhe shlyerjes së detyrimeve, tatimore e doganore, nuk përmban shkelje, shmangie, fshehje, penalitete dhe ndëshkime të tjera, në lidhje me zbatimin e kërkesave ligjore në fuqi.

d) Në çdo rast, dhënia e autorizimit duhet të shoqërohet me mbulimin me garanci bankare, në masën e përcaktuar në aktet, ligjore e nënligjore, në fuqi.

dh) Shërbimi doganor detyrohet që, për çdo autorizim për magazinë doganore, të miratuar, të instalojë falas soft-ware kompjuterike, me modulet përkatëse. Të gjitha lëvizjet e mallrave dhe të dokumenteve shoqëruese të pasqyrohen nga subjekti, nëpërmjet sistemit kompjuterik.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Kryeministri
Sali Berisha

* * *

VENDIM

Për rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2006

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 29, të ligjit nr. 8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën e Shqipërisë", dhe të nenit 16, të ligjit nr. 9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

1. Këshillit të Ministrave, në buxhetin e miratuar për vitin 2006, t'i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, zëri "Shpenzime korrente", për Angjencinë e Prokurorimit Publik, nga të cilat 3 000 000 (tre milionë) lekë, në fondet e pakushtëzuara, dhe 7 000 000 (shtatë milionë) lekë në fondet e kushtëzuara.

2. Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2006, t'i pakësohet fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, zëri "Shpenzime korrente", nga të cilat 3 000 000 (tre milionë) lekë, në fondet e pakushtëzuara, dhe 2 000 000 (dy milionë) lekë, në fondet e kushtëzuara.

3. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2006, t'i pakësohet fondi prej 5 000 000 ( pesë milionë) lekësh, zëri "Shpenzime korrente", nga fondet e kushtëzuara.

4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Aparati i Këshillit të Ministrave dhe Agjencia e Prokurorimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kryeministri
Sali Berisha

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›