Fjala e kryeministrit Sali Berisha në forumin e biznesit Shqipëri-Maqedoni
Kryeministri Sali Berisha dhe Kryeministri i Maqedonisë, Vlado Buçkovski, morën pjesë të mërkurën në mesditë në Forumin e biznesit Shqipëri-Maqedoni, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Dhomave të Tregëtisë të të dy vendeve, sipërmarrës, biznesmenë të ndryshëm, etj.
Në përshëndetjen e mbajtur në këtë takim, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Është kënaqësi shumë e vencantë për mua të përshëndes ju, së bashku me mikun tim, kryeministrin e Maqedonisë, Vlado Buçkovski, biznesmenë maqedonas dhe shqiptar në këtë forum. Prania juaj këtu i jep një kuptim shumë më të madh dhe e bën shumë më të rëndësishme takimin tonë, sepse jeni ju misionarë, ambasadorë të shkëlqyer të bashkëpunimit, të miqësisë midis dy vendeve, por edhe begatimit, si një kusht fondamental i emokracisë.
Ne përpiqemi dhe do përpiqemi shumë t'u ndihmojmë, të lehtësojmë, të favorizomë veprimtarinë tuaj. Inkurajimi i i sipërmarrjes së përbashkët ishte vet thelbi, vet thellimi i Bashkimit Europian, në të cilin ne sot duam të anëtarësohemi, apo të cilin ne e kemi si projektin më të mirë të ëndrrës së popujve tanë. Ndaj dhe dua t'u siguroj se jo vetëm në diskutimet tona, por edhe në përkushtimin tonë, një pjesë shumë të rëndësishme zë mbështetja për ju.
Me Kryeministrin Buçkovski kemi rënë dakort që dy vendet tona, në gjeografinë e tyre modeste në përmasa, të bashkëpunojnë ngushtë që të jemi më tërheqës, një hapësirë më e madhe tregu për kompanitë tona, për kompanitë e huaja. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë solli dyfishimin e shkëmbimeve, por po të shohim vellimin e këtyre shkembimeve, ato nuk i përgjigjen kërrkund mundësive të mëdha të shkëmbimeve të vendeve fqinjë. Ndaj dhe e konsideroj të domosdoshme që të shpejtojmë në këtë drejtim. Nga ana jonë, ne si qeveri shqiptare jemi angazhuar për të krijuar kushtet më të mira të mundshme për biznesin në Shqipëri. Kemi thjeshtuar të gjitha procedurat burokratike, në 8 ditë për rregjistrimin e biznesve, kemi përgjysmuar koston për biznesmenët e huaj, është instaluar një traditë shumë e mirë bashkëpunimi.
Kompanitë maqedonase kanë një emër shumë të mirë në Shqipëri, me projektet e tyre. Projekte të tjera serioze në infrastrukturën tonë po ndërmerren dhe do të ndërmerren. Ne jemi në procesin e tenderimeve për rrugën Durrës-Prishtinë, po negociojmë seriozisht me Bankën Botërore që në segmente te saj të mundësohen edhe kompanitë shqiptare, maqedonase, pra jo vetëm kompani të mëdha, sikundër në segmentet e përballuara nga buxheti ynë, ne do të konsiderojmë shumë seriozisht kontributin e kompanive shqiptare e maqedonase, të cilat paraqesin ofertën më të mirë. Kemi rënë dakort që të marrim nisma të përbashkëta, shumë të rëndësishme në fushën e gazit, kemi rënë dakort të iniciojmë studimin, për t'i dhënë një status të veçantë Maqedonisë në portin e Durrësit që ka një interes të madh edhe për Shqipërinë, sepse i jep një fuqizim këtij porti, ka interes për Maqedoninë, për shkak të distancës dhe faktorë të tjerë. Kemi rënë dakort, me përpjekje të përbashkëta, të arrijmë lidhjet hekurudhore, sikundër do të shikojmë për mundësitë e investimeve të përbashkëta në termocentralet e projektuara në Kosovë, të krijojmë lidhjen e rrjetit energjitik Tiranë-Shkup. Unë besoj se të gjitha këto janë një mbështetje reale për projektet tuaja, për veprimtarinë ruaj. Edhte njëherë, duke shrehur falenderimin tim, kënaqësinë time që ju sot jeni këtu në këtë forum, nderin që na bëtë për t'u përshëndetur juve, ju uroj takime sa më të frytshme dhe ju siguroj se si qeveri do të bëjmë cdo përpjekje për të garantuar shancet tuaja të barabarta, për të garantuar pasuritë tuaja, investimet tuaja, veprimtarinë tuaj".