E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ministren e Jashtme të Suedisë, znj. Laila Freivalds

Kryeministri Sali Berisha, të premten, pati një takim me Ministren e Jashtme të Suedisë Znj. Laila Freivalds dhe delegacionin shoqërues. Znj. Freivalds shpjegoi se Suedia mbështet zgjerimin e BE-së dhe se, në këtë kuptim, Suedia dëshiron të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Pasi falenderoi për vizitën, Z. Berisha u shpreh se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe procesi i integrimit në NATO janë udhërrëfyese dhe se Shqipëria është shumë mirënjohëse për mbështetjen e Qeverisë së Suedisë ndaj këtyre zhvillimeve integruese. Ai gjithashtu, bëri një përshkrim të reformave që ka ndërmarrë qeveria për realizimin e programit të saj, si dhe të sfidave kryesore në rrugën e vendosur drejt konsolidimit të shtetit ligjor, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, znj. Freivalds shpreu bindjen se është e rëndësishme që një proces i tillë i vështirë të orientohet drejt arritjeve të rezultateve konkrete pozitive. Për këtë, ajo sugjeroi që duhet bashkëpunim sa më efektiv me të gjithë njerëzit që dëshirojnë këto zhvillime dhe ndajnë të njëjtat synime në luftën kundër korrupsionit dhe reformave për konsolidimin e demokracisë dhe qeverisjes. Qeveria Suedeze do të vazhdojë të mbështesë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj në përmbushjen e standardeve drejt integrimit evropian, u shpreh Znj. Freivalds.

Në përfundim, të dy palët u përqendruan në situatën në rajon me fokus të veçantë në bashkëpunimin rajonal. Znj. Freivalds dha mesazhin se bashkëpunimi ndërmjet vendeve në rajon është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Z. Berisha e siguroi Znj. Freivals për klimën e mirë dhe frymën e bashkëpunimit që ekziston në rajon në dallim të madh nga ajo e 7-8 viteve më parë. Znj. Freivals sugjeroi se për projekte të mëdha në fushën e infrastrukturës rrugore dhe energjitike është e rëndësishme të zhvillohen projekte rajonale dhe të kërkohet mbështetje financiare nga bankat e mëdha evropiane. Ajo e siguroi z. Berisha për vazhdimin e ndihmës suedeze për Shqipërinë ne kuadrin e projekteve bilaterale. Në mbyllje, ajo përshëndeti zhvillimin e forumit të parë ekonomiko-suedez dhe u shpreh optimiste për mundësite e mëdha për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›