Berishës i bie të fikët në mes të fjalimit, ndërpritet festa e PD
Berisha gjendje të fikëti, ndërpret fjalimin për 21 vjetorin e PD
Minutat e ankthit në sallën e Pallatit të Kongreseve kur kryeministri shfaqi probleme shëndetësore
Kreu i qeverisë ka mbetur si i ngrirë në podium, dy prej truprojave e ndihmojnë të mos bjerë dhe e nxjerrin nga salla
Kryeministri Berisha ka ndërprerë fjalimin mbrëmjen e djeshme gjatë ceremonisë së 21 vjetorit të themelimit të PD-së për shkak të gjendjes shëndetësore. Ai ka pësuar një gjendje të fikëti duke mbetur si i ngrirë në podium. Dy prej truprojave të tij janë afruar menjëherë dhe e kanë kapur nga krahët pasi ai nuk ishte në gjendje që të mbante ekuilibrin. I shoqëruar nga truprojat Berisha ka dalë nga salla dhe menjëherë pas tij ka dalë edhe e shoqja. Ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe është dërguar në shtëpi.
***
Teksa po mbante fjalimin Berisha është ndjerë keq dhe është shtangur në podium. Ai ka mundur ti bëjë me shenjë dy prej truprojave të tij personale, të cilat janë afruar menjëherë tek podiumi. Shefi i eskortës ka ndaluar njerëzit e tjerë që të afrohen dhe ka kapur kryeministrin Berisha nga krahu. Ndërkohë truproja e dytë ka mbledhur letrat e fjalimit, të cilat i kishin rënë Berishës nga duart. Një kordon truprojash ka ndaluar njerëzit e tjerë të afroheshin podiumit që ndodhej në Pallatin e Kongreseve. Të vetmit që kanë mundur të kalojnë këtë podium ishin bashkëshortja e kryeministrit, Liri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Dy truprojat e kanë kapur kryeministrin nga krahët dhe e kanë shoqëruar jashtë sallës. Ai dukej qartë se nuk mund të ecte vetë pasi kishte humbje të ekuilibrit. Gjatë kësaj kohe salla kishte shtangur nga habia. Pjesëmarrësit në ceremoninë e 21 vjetorit të themelimit të PD-së kanë heshtur duke parë me habi atë që po i ndodhte kryeministrit. Teksa Berisha po dilte nga salla, regjia ka lëshuar muzikën dhe kjo ka përmendur pjesëmarrësit, të cilët kanë nisur të duartrokasin.
***
Largimi i Berishës nga salla ka shënuar edhe mbylljen e festës së 21 vjetorit të PD-së. Kreu i qeverisë është nxjerrë nga dera në krahun e djathtë të sallës dhe është vendosur pas kuintave. Pak çaste më pas përpara hyrjes së Pallatit të Kongreseve kanë mbërritur ambulancat dhe mjekë të shumtë. Disa prej mjekëve kanë hyrë në pjesën e pasme të sallës dhe i kanë dhënë kryeministrit ndihmën e parë mjekësore. Gjatë kësaj kohe pranë tij ka qenë edhe e shoqja, Liri Berisha.
Teksa makinat e ambulancës ndodheshin në pjesën përpara Pallatit të Kongreseve, Berisha ka preferuar të dalë nga krahu i djathtë, andej nga kryhen edhe mbledhjet e KRRTRSH-së. Ai ka hipur në makinë i shoqëruar vetëm nga shefi i truprojave, i njëjti person që e mbajti në momentin kur humbi ekuilibrin në podium, dhe nga e shoqja Liri Berisha. Makinat e tjera të eskortës e kanë shoqëruar 0007 Z-në, e cila është drejtuar për në shtëpinë e kryeministrit. Kreu i qeverisë ka preferuar të mjekohet në shtëpi dhe paralelisht me makinat e eksortës, përpara banesës së tij kanë ndaluar edhe ambulancat.
Topi i shmanget festës
Presidenti Bamir Topi ka shmangur pjesëmarrjen në festën e organizuar nga Partia Demokratike me rastin e 21 vjetorit të themelimit të saj. Kreu i shtetit ka shfrytëzuar vizitën disa ditore në Katar për të mos marrë pjesë në koncertin festiv. Mazhoranca ka sulmuar vazhdimisht kreun e shtetit duke i rrëzuar në disa rastet edhe dekretet e tij për plotësimin e vendeve të mbetura vakante në institucion.
Edi Rama
Lajmi për gjendjen jo të mirë të kryeministrit Berisha ka bërë jehonë pothuajse në të gjithë vendin. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, rivali i tij politik dhe kreu i PS-së, Edi Rama ka komentuar në faqen e tij në rrjetin social Tëitter duke i uruar të shkuara: Sapo dëgjova për sëkëlldinë e Saliut në festë. Ndjej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jetë asgjë serioze për shëndetin. Të shkuara!
Mbështetësit
Lajmi se kryeministri Berisha ka pasur probleme shëndetësore dhe ka kaluar një gjendje të fikëti ka mbledhur përpara Pallatit të Kongreseve qindra kureshtarë. Një pjesë e tyre ishin njerëz të mbledhur për festën e 21 vjetorit të PD-së, ndërsa pjesa tjetër kishin shkuar pikërisht për atë arsye. Ata kanë qëndruar aty edhe shumë minuta pasi ishte larguar Sali Berisha.
45
minuta ka zgjatur fjalimi i kryeministrit Berisha dhe në fund të tij ai pësoi gjendjen e të fikëtit duke mos arritur ta përfundonte. Burime nga zyra e shtypit të kryeministrisë thanë se në momentin që pati humbjen e ekuilibrit, Berisha ndodhej pothuajse në fund të fjalimit
KM: Berisha, gjendje debolese për shkak të një viroze
Dy orë pas incidentit, kryeministria ka reaguar duke dhënë një shpjegim zyrtar të asaj që i ka ndodhur Sali Berishës. Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit Berisha, ai ka pasur një gjendje debolese, e shkaktuar nga një virozë për të cilën po mjekohej. Sot në mbrëmje (dje), Kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij, me rastin e 21 vjetorit të Partisë Demokratike. Pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë, për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar,- thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Sipas zyrës së shtypit, kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij. Por kjo bie ndesh me atë që ndodhi në të vërtetë. Fotografitë tregojnë se kryeministri Berisha ka dalë nga Pallati i Kongreseve i shoqëruar nga truprojat dhe nuk mund të ecte vetë. Ai nuk ka dalë me barelë, por dy truprojat që e mbajtën në fillim, e kanë mbajtur nga krahët edhe gjatë daljes. Në momentin e daljes kryeministri shoqërohej nga tetë truproja dhe e shoqja Liri Berisha, e cila ka hipur në të njëjtën makinë me të. Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohjen të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së, për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën,- mbyllet njoftimi për shtyp i kryeministrisë.
Çfarë është lipotimia
Lipotimia (të fikëti) është shkalla më e ulët e humbjes së ndjenjave. Shkaku mund të jetë mungesa e furnizimit të mjaftueshëm me oksigjen të trurit, për shkak të rënies së presionit arterial. Kjo gjendje mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm: lodhje, nxehtësi e tepërt, oksigjenim i keq i ambientit, hemorragji, trauma fizike ose emotive, rënie e tensionit ose hipoglicemi. Në gjuhën mjekësore quhet ulje e tensionit të gjakut në shifra poshtë 60mmHg. Shkaqet e kësaj gjendjeje janë sëmundjet e gjakut, sëmundjet e zemrës dhe stresi nervor.
Shenjat e lipotimisë
Shenjat e lipotimisë janë djersë në të gjithë trupin, dobësi e menjëhershme sa i sëmuri gati rrëzohet,
humbje e ngjyrës së lëkurës etj. Në këto raste i sëmuri duhet të shtrihet dhe ti ngrihen këmbët më lartë se sa koka duke i vendosur disa jastëkë.
Kush është numri dy i PD-së
Në momentin që Sali Berisha humbi ekuilibrin dhe po mbahej nga truprojat e tij, pothuajse të gjithë të pranishmit në sallë shtangën. E vetmja që ka reaguar duke e ndjekur nga pas ishte kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila mban edhe postin e nënkryetares së PD-së. Ajo ka çarë rrethimin e trupr