Berisha përsëri në këmbë, rikthehet ne zyrë
Tiranë – Kryeministri Berisha e ka braktisur shtratin dhe në mesditë u drejtua për në zyrë, duke shuar edhe hamendësimet për një problem serioz me shëndetin. Megjithatë ai anulloi një vizitë për në Mal të Zi që duhej të zhvillohej sot. Ai ishte asistuar gjatë natës nga një grup mjekësh, nga më të mirët mes të cilëve Mentor Petrela dhe Nestor Tereska. Ata nuk kanë pohuar lidhur me gjendjen e kryeministrit, por mjekë të tjerë thanë se gjendja shëndetësore që përjetoi Berisha mbrëmjen e 12 Dhjetorit mund të vijë edhe për shkak të mos funksionimit të zemreë, nga mbilodhja, nga pagjumësia por dhe nga një gjendje emocionale. Burimet pranë kryeministrit, thonë se përvec virozës, stresit të vazhdueshëm dhe mbilodhjes për shkak te aktiviteteve të dendura, Berisha ka qenë edhe i pagjumë, pasi një natë më parë i ishte dashur të përgatiste vetë fjalimin e gjatë, qe e detyroi të qendronte në këmbë për afro një orë.
Mbrëmjën e 12 Dhjetorit, Kryeministri Sali Berisha u detyrua të ndërpresë fjalimin e tij përshëndetës me rastin e festës së 21 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Ai pësoi një luhatje tensioni dhe humbi kontrollin dhe u desh ndihma e truprojave të tij për ta zhvendosur nga foltorja, ndërsa më pas u desh ndihma e shërbimit spitalor të urgjencës për të siguruar se shëndeti i tij ishte normalizuar.
Berisha e nisi fjalimin e tij rreth orës 18.20 minuta, në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe foli pa ndërprerje deri në orën 18.59 minuta, një fjalim i tejzgjatur për një ceremoni të tillë. I lodhur, mesaduket nga fjalimi, Berisha nuk mundi ta përfundojë atë. Ai pësoi një zverdhje në fytyrë dhe tentoi fillimisht të mbahet tek foltorja. Por ndërsa mbylli shpejt e shpejt fjalimin me zënë të mekur, ai u bëri shenjë me dore truprojave të afrohen, të cilët menjëhere u afruan pranë foltores dhe e shoqëruan drejt një mjedisi të zbrazët të hollit të Pallatiti të Kongreseve. Pak minuta më pas, nga hyrja anësore e Pallatit të Kongreseve mbërriti autoambulanca e urgjencës për ti dhënë ndihmën e parë. Festa u ndëpre dhe të ftuarit nisën të dalin nga holli i Pallatit të Kongreseve pas kësaj. Ndërkohë kryeministri u shoqërua për në shtëpinë e tij.
Kjo është hera e parë që kryeministri Berisha detyrohet ti dorëzohet shëndetit. I dalluar për energjitë dhe karizmën e tij ai u ka rezistuar mitingjeve dhe fjalimeve në fushata elektorale, por natën e festës së PD, ai iu dorëzua ndoshta moshës dhe lodhjes. Në një mjedis të mbyllur e mbingarkuar me njerëz, një fjalim i stërzgjatur ndoshta ishte i pamenduar mirë nga stafi i tij.
Shkrime të tjera me interes: