Edi Rama: Të shkuara! për Berishën
Shëndeti i kryeministrit Sali Berisha ka shqetësuar simpatizantët e PD-së dhe të pranishmit në sallën e Pallatit të Kongreseve, por lajmi nuk ka lënë pa prekur dhe kundërshtarin e tij kryesor Edi Rama. Vetëm pak kohë pasi Berisha u pa live në TV ndërsa e mbanin badigardët nga krahët, Rama i uron publikisht të shkuara dhe uron që të mos jetë asgjë serioze. Sapo dëgjova për sëkëlldinë e Saliut në festë. Ndjej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jetë asgjë serioze për shëndetin. Te shkuara! shkruan Rama në profilin e tij në Twitter para pak minutash.
Ndërkohë u bënë të ditur dhe detajet e gjendjes së pazakonshme që kaloi kreu i qeverisë. Jozefina Topalli njoftoi të pranishmit në festën e PD-së se ai kishte një virozë të lehtë, por gjithsesi ambulanca ka mbërritur për pak minuta pas Pallatit të Kongreseve. Megjithatë njerëz pranë kryeministrit kanë mohuar që ambulance të jetë përdorur për të transportuar atë. Berisha është parë që të hipë në makinën e tij, i shoqëruar nga shumë veta.