Evis Mula fiton “Marie Krajën”, ftohet në La Scala nga drejtori Luca Targetti
Sopranoja Evis Mula është zgjedhur nga juria e festivalit operistik Marie Kraja si fituesja e edicionit të radhës. Festivali, i vetmi në llojin e tij në Shqipëri realizuar nga producentja dhe prezantuesja e tij, Zana Çela ka ofruar në sallën e Akademisë së Arteve jo vetëm një garë të madhe, por edhe një spektakël të vërtetë nën regjinë e Pali Kukes. Në këtë jubile çmimin e madh që mban emrin e yllit të skenës tonë e ka fituar një shqiptare. Juria ndërkombëtare e drejtuar nga Joan Matabosch, - drejtor artistik i teatrit të Barcelonës,- ka votuar për sopranon Evis Mula si më të mirën e edicionit të dhjetë të festivalit Marie Kraja. Por lajmet e mira nuk kanë përfunduar vetëm me shpalljen e emrave të fituesve. Pas spektaklit të ofruar nga producentja Zana Çela, Drejtori Artistik i Teatrit La Scala në Milano ka ftuar zyrtarisht fituesen Evis Mula dhe sopranon kosovare Besa Llugiqi në teatrin me famë botërore.
Ekspozitë, “Nga revolucioni paqësor tek bashkimi i Gjermanisë”
“Nga revolucioni paqësor tek bashkimi i Gjermanisë” do të shfaqen posterat më të rëndësishëm në një ekspozitë më vete, në sallën e madhe të ambasadës Gjermane në Tiranë. Ekspozita është e vizitueshme nga e hëna deri të enjten, ora 14:00 – 16:00. Ajo prezanton fakte dhe prapaskena të ndodhive nga vera e vitit 1989 deri në ribashkimin e Gjermanisë më 3 tetor 1990. Fotot dhe tekstet hedhin një vështrim prapa në momente prekëse të historisë gjermane. Ekspozita sjell në kujtesë protestat kundër manipulimit të zgjedhjeve vendore të majit në RDGJ, arratisjet e verës dhe protestat masive në vjeshtë 1989. Posterat informojnë për demokratizimin e RDGJ-së, solidaritetin gjermano-gjerman dhe hedhjen e shinave të politikës së jashtme deri në arritjen e bashkimit të Gjermanisë. Ekspozita është përgatitur nga fondacioni për Zbardhjen e Historisë të Diktaturës së SED-it (Unionit Socialist Gjerman) së bashku me fondacionin jofitimprurës “Hertie”. Ekspozita hapet nga data 10 deri në 20 nëntor.
10 Nentor 2009