Berlin,Merkel takon Tadic: S'do kete ndarje të Kosovës
BERLIN- Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Këtë herë kundërshtimi vjen nga Kancelarja gjermane Angjela Merkel. Në një takim që zhvilloi sot në Berlin me presidentin serb Boris Tadic, kancelarja gjermane përjashton propozimin për mundësinë e ndarjes etnike të Kosovës.
Në fakt edhe vetë presidenti Tadic, ndryshe nga sa kishte deklaruar pak ditë më parë se ndarjen si një kompromis, në Berlin tha se deklarata e tij ishte keqkuptuar. Intepretimi I cfarë kishte thënë ai ishte “intepretuar politikisht gabim”- tha për reporterët presidenti serb.
Tadic shtoi se Beogradi nuk do të njohë kurrë pavarësinë, por po bënte një përpjekje që të kalonte cështjen e Kosovës “nga ana politike në atë ligjore”, duke kërkuar legjitimitetin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Vizita e Presidentit Tadic në Berlin shikohet si një përpjekje e Presidentit serb për të krijuar lidhje sa më të ngushta me Bashkimin Europian. Ai zhvilloi gjithashtu një takim me ministrin e Jashtëm gjerman Frank Walter Shtajnmajer.
Edhe UNMIK është kundër ndarjes së Kosovës si një opsion. Zëdhënësi i UNMIK, Aleksandër Ivanko i pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit Tadic tha se një prej parimeve të Grupit të Kontaktit përjashton çdo mundësi të ndarjes së Kosovës. “Qëndrimi ynë gjithmonë ka qenë i qartë. Ky qëndrim nuk ka qenë vetëm i yni por edhe i Grupit të Kontaktit . Nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk kemi çka diskutojmë për këtë çështje“- tha Ivanko.
Sabine Freizer, drejtoreshë për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, tha se do të ishte tepër fatkeqe për presidentin e Serbisë që të mbështesë çfarëdo ndarjeje të Kosovës. Përkundrazi, thotë ajo, Serbia dhe Boris Tadic duhet të ndihmojnë që Kosova të mbetet shtet shumetnik dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë. Sipas Freizer ndarja e Kosovës do të silte dhunë dhe jostabilitet.
Rreth 50 shtete, përfshi këtu dhe Gjermaninë kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pavarësisht insistimit të Serbisë se Kosovë është pjesë integrale e saj.
(s.g/a.s/BalkanWeb)