Maqedoni, Fuere: Grindjet politike dëmtojnë vendin
SHKUP - Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere ka komentuar sot mosmarrëveshjet politike mes kreut të qeverisë me presidentin maqedonas. Sipas Fueres, këto mosmarrëveshje nuk janë aspak në dobi të synimeve maqedonase dhe dëmtojnë vendin. Ambasadori i BE në Shkup kritikoi qëndrimet e krerëve maqedonas duke shprehur se ata duhet të veprojnë në të mirë të vendit dhe duhet të krijojnë një raport të mirë. “Në interes të shtetit është promovimi i qasjes më të mirë në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi të pranueshme për Maqedoninë dhe Greqinë”, tha Fuere.
Reagimi i diplomatit të parë evropian në Shkup vjen pas akuzave dhe kritikave publike midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe presidentit Branko Cërvenkovski.
Fuere nuk përjashton mundësinë që zërat e ndryshëm në institucionet shtetërore në mënyrë plotësuese do të komplikojnë vlerësimin për dialogun politik në Maqedoni që do të paraqitet në raportin e tetorit të Komisionit Evropian lidhur me përparimet në Maqedoni.
“Raporti do t`i mbulojë të gjitha fushat ku janë shënuar përparime, si dhe për ate që mbetet për t’u punuar. Do të ketë inkurajim për Qeverinë dhe të gjitha institucionet që të vazhdojnë në plotësimin e kritereve për integrimin e vendit në BE”, deklaroi euroambasadori në Maqedoni, Ervan Fuere.
Dje kryeministri Nikolla Gruevski përsëriti qëndrimin se çfarëdo propozimi të ketë ai vetë për ndryshimin e emrit të vendit, nëse do të jetë i përshtatshëm do të vendoset nga qytetarët me referendum. Ndërsa presidenti Branko Cervenkovski ka akuzuar Gruevskin se po pengon procesin e negociatave dhe se nuk dëshiron që të marrë përgjegjësi.
(a.s/Balkanweb/INA)