Berlinale ndan Ariun e Artë dhe të Argjendtë
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin shpallli fituesit e edicionit të 59-të. Juria e përbërë nga Tilda Swinton (kryetare e jurisë), Isabel Coixet, Gaston Kaboré, Henning Mankell, Christoph Schlingensief, Wayne Wang dhe Alice Waters kishte deklaruar se do të mbante parasysh për vlerësim veprat që dallohen për kërkimin artistik dhe për mesazhet që i japin kohës tonë, dhe sigurisht edhe ruajtjen e një balance ndërmjet mesazhit politik dhe formës poetike.
Dje ajo deklaroi fitues të "Ariut të Artë" për Filmin më të mirë "The Milk Of Sorrow" i regjisores peruane Claudia Llosa. Çmimi i Madh i Jurisë, Ariu i Argjendtë është ndarë mes "Everyone else" i Maren Ade dhe "Gigante" i Adrián Biniez.
Regjisori më i mirë është vlerësuar Asghar Farhadi për filmin "About Elly". Një Ari i Argjendtë për aktoren më të mirë Birgit Minichmayr e cila ka interpretuar në "Everyone else" dhe një tjetër për aktorin më të mirë Sotigui Kouyate në filmin e regjisorit të njohur Rachid Bouchareb, "London River".
Për kontributin e çmuar artistik janë vlerësuar Gábor Erdély dhe Tamás Székely në filmin "Katalin Varga" të regjisorit Peter Strickland.
Skenari më i mirë në këtë edicion të Berlinales është ai i autorëve Oren Moverman dhe Alessandro Camon, për filmin "The Messenger" i regjisorit skenarist Oren Moverman.