E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërsi, Sezon i pasur, me autorë shqiptarë

Botime të ndryshme shqiptare dallojnë në stendat e librarive në kryeqytet
Një larmi botimesh shqiptare dallojnë në stendat e librarive në kryeqytet. Pikërisht këtë sezon është vënë re një numër i madh autorësh shqiptarë, të cilët kanë sjellë vepra që i përkasin tematikave të ndryshme. Por sipas një vëzhgimi, nga ana tjetër vihet re dhe një rikthim i lexuesit tek këto vepra shqiptare, të cilat janë në gjini të ndryshme, përfshi këtu prozë, roman, poezi etj. Ndër shkrimtarët që kanë sjellë botime këto ditë janë Fatos Kongoli, Zija Çela, Meri Lalaj etj, të cilët së fundmi me veprat e tyre i kanë pasuruar libraritë e kryeqytetit. Nuk kanë munguar gjatë këtyre ditëve dhe botime historike dhe dokumentare nga autorë të njohur shqiptarë, të cilët kanë trajtuar tema mbi historinë e shqiptarëve. Si çdo sezon edhe romancat nuk kanë munguar në stendat e librarive. Autorja Meri Lalaj përkthyesja e Eseninit sjell pranë lexuesit Trëndafila të bardhë, një roman impresionues, që të bën të ëndërrosh përmes rreshtave. Romani është ndërtuar mbi një linjë të thjeshtë në pamje të parë, një dashuri mes dy njerëzve në një moshë të vonë. Kjo është një përballje mes dy kulturave të ngjashme, mes dy psikologjive të ndryshme, mes dy pikëvështrimeve të caktuara ndaj dy realiteteve të ndryshme, atij shqiptar dhe atij kosovar. Në këtë kontekst, autorja ka përcjellë një histori dashurie, dashuri e cila rritet dhe konsolidohet, apo mbahet në këmbë përmes së shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes së paparashikuar për shkak të moshës, largësisë dhe paragjykimeve. Zana dhe Mirushi, dy personazhe që sjellin dy frymë të ndërtuara në prerje kohore mbi të cilat konceptohet vizioni i shoqërisë në ndryshim, i shoqërisë në konfigurimin e personalitetit të saj demokratik. Arkeologu që qëmton në të shkuarën për të ravijëzuar të ardhmen e vendit të vet. Alternativat që hedh në diskutim ky roman janë se sa vlerë ka një dashuri, sa forcë ka ajo për të kuptuar se lumturia është rruga që bën se cili për të arritur majën, jo vet  kënaqësia kur je në majë. Një tjetër botim ishte dhe ai i Fatos Kongolit Bolero në vilën e pleqve. Shkrimtari Fatos Kongoli ka vendosur të shkruajë mbi femrën dhe universin e saj. Duke iu afruar ekzistencës njerëzore e jo më përmes personazheve mashkullore që mbizotërojnë në romanet e tij, por përmes femrës dhe dramës së saj ekzistenciale në shoqërinë shqiptare. Kongoli gjatë prezantimit të librit të tij, e quan këtë roman si dalje nga qerthulli i romaneve të mëparshme. "Vendos ta shkruaj në vetën e parë, vendosa të futesha për herë të parë në këto përmasa, në lëkurën e një femre, relativisht të re, 32 vjeç është ajo kur rrëfen dhe të flas me gojën e saj në të vërtetë kjo qe një eksperiment dhe një aventurë nga ana ime",është shprehur shkrimtari Fatos Kongoli. Përmes rrëfimit të infermieres personazhit kryesor të romanit, Kongoli zbulon misteret dhe dramat e personazheve që jetojnë në vilën e pleqve, ndërlikimet, dëshirat e fshehura në një mjedis shpesh të egër, e të pamëshirshëm ku femra është më e pambrojtura. Shkrimtari Zija Çela vjen me Sos, një buzëqeshje, i cili ndjek të mëparshmit e autorit Las Varrezas dhe Për dashurinë shkruhet pas vdekjes. Ndërkohë që SOS, një buzëqeshje është një trazim i së vërtetës me përrallën, e surreales me të prekshmen, e fantazisë me të përditshmen, çka krijon te lexuesi një kompleksitet ndjesish, që shilarsojnë mes dhembjes e qeshjes, mes habisë mosbesuese dhe identifikimit me karakteret. Romani SOS, një buzëqeshje sipas shkrimtarit Rudolf Marku është libri më i mirë që ka shkruar autori. Marku i cili ka shkruar parathënien e librit vlerëson se në letërsinë shqipe është një nga romanet më origjinale; është më i guximshmi; romani më modern. Në krahasim me Las Varrezas, Sos është i populluar me karaktere të kohës, është piktura më besnike e Tiranës dhe e qyteteve shqiptare. Asnjë shkrimtar shqiptar nuk ka arritur ta japë, madje as të guxojë që t'i afrohet këtij realiteti deri më sot. Hysen Selmani sjell për lexuesin Nga notimet e Zogut të Parë, mbretit të shqiptareve. Në këtë botim lexuesi ka mundësi të kuptojë më shumë rreth jetës dhe aktivitetit të mbretit Zog, ku autori rrëfen detaje mjaft interesante. Ditari i një ministri të jashtëm, është libri më i ri i historianit dhe politikanit Paskal Milo. Ky libër është pjesë e ditarit që Milo ka mbajtur në kohën kur ushtronte detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në të rrëfehet ajo pjesë e ngjarjeve ku autori ka qenë i pranishëm, ose që i  referohet burimeve zyrtare e diplomatike. Një tjetër libër i Paskal Milos, i promovuar këtë javë, është dhe Kosova nga Rambuje në Pavarësi. Në këtë libër, botuar nga shtëpia botuese 'Toena tregohet historia e pavarësisë së Kosovës. Milo e nis këtë histori pak më parë se Rambujeja, duke hedhur dritë mbi përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës për pavarësi. Një tjetër botim mbi historinë e popullit shqiptar e pikërisht pjesa e saj më e diskutuar nga viti 1939 deri në 1990 sapo ka dalë në libraritë shqiptare. Vëllimi i 4-ët "Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe periudha pas saj (1939 - 1990)" është botuar nga "Toena" dhe në të përfshihen jo vetëm përshkrime mbi ngjarje të ndryshme, por edhe subjekte si arsimi dhe arti në këtë periudhë aq të diskutueshme. Korpusit të historisë që nga ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën perandorinë osmane, Rilindja Kombëtare, vitet 30 të shek. XIX-1912, e deri në vitet 1913-1939, i mungonte historia gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj (1939 -1990). Ky botim vjen nga një grup autorësh, historianë të Institutit të Historisë, Xhelal Gjeçovi, Paskal Milo, Beqir Meta, Dilaver Sadikaj, Demir Dyrmishi, Fatmira Rama apo edhe emra si Josif Papagjoni.

Email This Klikime: 29

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›