E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vala e re, as na kap as e vëmë re

Pesëdhjetë vjet që nga koha kur në Francë lindi Nouvelle Vague. Skenaristja Natasha Lako tregon ç'ndodhte ndërkohë në Shqipëri me filmat autorë dhe "Cahier du cinema", koleksioni i zhdukur nga biblioteka e Kinostudios


"Fëminia jonë po zgjat shumë",- thotë Natasha Lako, para se biseda me skenaristen të ndalet tek pesëdhjetëvjetori i Valës së Re Franceze. Ajo krijon me fjalë një skenë të dikurshme teatri kukullash prej lecke, ku të vegjëlve u identifikoheshin format e të keqes sipas edukimit të indoktrinuar, me gjermanë dhe ballistë. Prapë këta janë në makinën e hesapeve të reja të kohës. Skënderbeu po ashtu.

Në shtyp, në rrugë, në autobus, ka një klimë që pengon të menduarit përtej çështjeve provokative që të vjedhin kthjelltësinë, kohën dhe bashkë me të edhe bashkëkohësinë. Natasha na kujton se për të bërë në këtë moment atë që bëjnë në kulturë disa vende, të flasim për Nouvelle Vague-n, duhej të vinim në një kinematikë në Tiranë, të shihnim një film, të bënim një bisedë.

Meqë askund në Shqipëri nuk gjen kinematekë, meqë studentët e filmit janë akoma larg atij lloj informimi që vetëm në rrugë universitare mund t'iu kthehet në formim, "atëherë nuk na mbetet gjë tjetër",- thotë skenaristja, "po të kujtojmë të gjithë ku jemi, jo në stadin politik, por atë shoqëror."

Menjëherë ajo shton se Vala e Re lindi nga të menduarit ndryshe. "Çdo shoqëri ka një avangardë që para së gjithash është një elitë intelektuale. Avangarda nuk spekulon me fjalën elitë. Sepse e tillë (elitë) mund të jetë edhe një llum (elitë llumi). Kurse avangarda nuk e lë të bëhet llum."

Ata që themeluan pesëdhjetë vjet më parë, më 1959, Valën e Re, ishin individë të angazhuar në trazirat sociale dhe politike të epokës, kishin gjykim të pavarur për temat e ditës dhe paralelisht ishin kritikë, kineastë që qoftë fillimisht nëpërmjet "manifestit" të tyre, revistës për kinemanë "Cahiers du cinéma" (Kaje dy sinem) dhe më pas me filmat e tyre të parë, iu kundërvunë kinemasë së traditës, apo asaj komerciale.
Në ç'mënyrë? Thënë me fjalët e një pionieri të Valës, Jean-Luc Godard-it, në këtë mënyrë:

"Një histori duhet të ketë një fillim, një zhvillim dhe një fund, por s'është e thënë sipas këtij rregulli." Ose: "Për mua stili është vetëm pamja e jashtme e përmbajtjes dhe përmbajtja pjesa e brendshme e stilit, njëlloj si pamja dhe brendësia e një trupi njerëzor - të dyja shkojnë bashkë, nuk mund të jenë të ndara."

Ishin autorë që Lufta e Dytë Botërore i gjeti fëmijë dhe vitet 50-60 i vunë përballë një realiteti dhe shoqërie që ishte nën peshën e pasluftës, çka ndikoi në lëvizjen e tyre, e cila dendurinë e prodhimit e ka në vitet 59-63. Jo më kot ata ishin të frymëzuar nga neorealistët e famshëm italianë, me ikonë Rossellinin.

Është e rëndësishme se si nismëtarët e saj më të shquar François Truffaut, Jean-Luc Godard, Éric Rohmer, Claude Chabrol, Jacques Rivette, para se të deklaroheshin, ishin tashmë Valë e Re me opinionet në "Cahiers du cinéma" bashkëthemelues i të cilës (1951) dhe një nga teoricientët e kinemasë ishte André Bazin.

Pikërisht këtu, nënvizon Natasha, nëpërmjet kritikës së filmit dhe editorialeve ata hodhën bazat e koncepteve që më vonë do të njiheshin si "teoria e autorit", duke i kthyer prestigjin regjisorit. Sipas konceptit "film d'auteur", regjisori njihet si autor i filmave të tij, që krijon një stil të vetin, i dallueshëm nga një film në tjetrin. Është ai që kontrollon gjithçka në këto prodhime me buxhete të vogla që i nxjerrin personazhet dhe historitë e tyre nga studiot në rrugë.



Sa për shembull të kësaj kinemaje autor dhe ndryshimin e aspekteve formale të shprehjes, skenaristja shqiptare i referohet një filmi të rëndësishëm dhe ndër të parët e Nouvelle Vague-s. Është një film i dashur për të, me skenar të një shkrimtareje të ndjeshme si Marguerite Duras.

Është filmi i Alain Resnais "Hiroshima Mon Amour" (1959) i vlerësuar po atë vit në Festivalin e Kanës me çmim special. "Më ka tronditur. Është film ku montazhi krijon asociacione të mëdha". Resnais ndërton kohën subjektive ose kohën e memorjes nëpërmjet të quajturit flashback.

Sigurisht që bëhet fjalë për një vepër dhe për shumë të tjera të Valës së Re që nuk do shfaqeshin kurrë në Shqipëri, në ekranin e madh apo të vogël.

"Shqipëria ashtu siç ka rrugët me gropa, ashtu ka dhe hendeqe në informacion", rimerr kështu Natasha jehonën e Valës në Shqipëri, atëherë dhe sot. "Ata janë autorë që duhej të përkonin me brezin e kineastëve tanë si Dhimitër Anagnosti apo Viktor Gjika. Por në fakt përkojnë me brezin tim, sepse siç ka ndodhur rëndom, tek ne informacionet vinin me një brez vonesë."


Kur Natasha Lako si poete dhe skenariste fillon punë në Kinostudio, në vitin 1976, në vendin ku prodhohej kinematografia shqiptare pa se mbizotëronte akoma realizmi i René Clair (kineasti francez i viteve 30-50). Janë projektuar, megjithatë, filmat "Arratiset një i dënuar me vdekje" i Robert Bressonit (1957) apo "Paulina në plazh" i përfaqësuesit të rëndësishëm të Valës, Éric Rohmer, apo "Pa frymë" i Jean-Luc Godard (shikuesi ynë njeh më shumë variantin amerikan të filmit), disa prej të cilëve gjoja vinin për vizionim dhe përfundonin tek Blloku.

Natasha kujton se ka pasur njerëz të kulturuar si Nesti Zoto drejtor i Kinostudios deri më 1956, kohë kur u dënua, i cili gjente ura komunikimi me jashtë për të importuar filma. Edhe në kulmin e izolimit, kujton ajo, vinte megjithatë informacioni se ç'bëhej me kinemanë jashtë vinte. Në Kinostudio vinte rregullisht "Cahiers du cinéma".

Ajo e quan fat që një revistë e tillë hynte në Bibliotekën e institucionit të quajtur "Shqipëria e Re". Paradoksi ishte që lexoje shkrimet pa parë filmat. "Të vinte keq se filloje të krijoje filmin në kokën tënde akoma pa e parë."

Pas viteve nëntëdhjetë ajo drejtoi për ca kohë Arkivin Shtetëror të Filmit ku nisi të projektojë edhe filma nga të Nouvelle Vague-s si "Le Mépris" i Godard-it. "E kam kërkuar arkivin e Cahier-së, por ishte zhdukur bashkë me procesverbalet e Kinostudios. Është për të ardhur keq."

Në këtë kontekst, pra të ruajtjes së memorjes, ajo nënvizon rolin e padiskutueshëm që patën kineastët e Valës së Re Franceze. Pavarësisht se u rebeluan ndaj formave estetike të shprehjes, dhe thyen kanunet, ata ishin për ruajtjen e kinematekës (në pranverë '68 dolën për këtë çështje në protestë kundër ministrit të Kulturës André Malraux), për respektimin e klasikëve, për zbulimin dhe promovimin e kinemasë së mirë amerikane dhe evropiane për autorë si Ingmar Bergman, Orson Ëelles, Alfred Hitchcock, Hoëard Haëks, Nicholas Ray, Douglas Sirk.

Për personazhin që na bëri të mundur këtë takim me një kulminacion të kinemasë evropiane dhe më gjërë, filmi më i dashur nga Nouvelle Vague është "Nata amerikane" për të cilin Truffaut-i fitoi më 1973 Çmimin Oscar si filmi më i mirë i huaj dhe pikërisht një nga paktët që e bëri popullor për publikun e gjërë, më shumë se çdo autor tjetër të Valës së Re Franceze.

"Më pëlqen shumë, është një himn për jetën në një grup filmi". Këtë e thotë një autore që familjarisht ka qenë gjithnjë pranë kinemasë. Një tjetër vepër nga François Truffaut-it që ajo e vlerëson për thjeshtësinë dhe që do të donte ta komentonte me studentët e saj të Akademisë së Arteve të cilëve iu jep lëndën e skenarit, është edhe "Xhuli dhe Xhimi" (me protagoniste Zhanë Moronë).


Vala e Re pësoi krizë pas vitit 1965, pavarësisht se autorët e saj vazhduan të bëjnë filma edhe pas viteve shtatëdhjetë. Si i fundit film i kësaj lëvizjeje mbahet "Mamaja dhe putana" i Jean Eustache-it.



Ka filma të Nouvelle Vague-s, thotë ajo që nuk e kapërcejnë epokën, por mbeten shenja të një shoqërie të caktuar. Vetëm duke i parë si të tilla veprat që njerëzit krijojnë në çdo epokë, nuk do të krijojmë rrugë me gropa, nuk do ecim në hava, nuk do djegim etapa të estetikave, siç kemi bërë, dhe me të drejtë koha ka superkaluar mbi ne.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›