E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet komunikimi i akuzës edhe për 15 të pandehur

Numri i personave të akuzuar, sipas organit të akuzës, pritet të kapë shifrën e 40 vetëve, ish- funksionarë të Mbrojtjes dhe Shtabit të Ushtrisë

Javën e kaluar iu komunikuan akuzat 25 ish- zyrtarëve, mes tyre Mediu, Luan Hoxha dhe ish- kupola drejtuese e Ushtrisë

TIRANË- Grupi hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, që po punon në zbardhjen dhe identifikimin e përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit, gjatë kësaj jave pritet t'iu komunikojnë akuzat edhe 15 personave të tjerë nën hetim për këtë çështje.

Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët shtuan se "deri mesditën e së shtunës, grupi hetimor i ka komunikuar akuza konkrete 25 personave, mes tyre ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes me në krye ish-ministrin Fatmir Mediu dhe ish-zyrtarë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm me në krye ish-shefin e shtabit Luan Hoxhën".

Sipas këtyre burimeve, mësohet se pas komunikimit të akuzave në javën që lamë pas ndaj 25 personave, të cilët janë marrë njëkohësisht edhe me cilësinë e të pandehurve, pritet që kësaj liste t'i shtohen edhe 15 persona të tjerë. Këta të fundit, sipas burimeve të akuzës, mësohet se kanë pasur role kryesisht të nivelit të ulët në institucionet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

"Nga hetimet e deritanishëm, ka rezultuar se me veprimet dhe mos veprimet e tyre janë rreth 40 persona që kanë konsumuar elementë të ndryshëm të veprave penale, si "shpërdorim detyre"; "shkelje të rregullave të sigurisë në punë"; "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike"; "shpërdorimit, shkatërrimit ose dëmtimit të pasurisë ushtarake" të gjitha këto në bashkëpunim, duke u bazuar në Kodin Penal civil dhe Ushtarak.

Deri mesditën e së shtunës, grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit i ka komunikuar akuzat dhe i ka marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurve rreth 25 persona, në mesin e të cilëve ish-Ministri i Mbrojtjes deputeti tashmë pa imunitet Fatmir Mediu, dy sekretarët e Përgjithshëm të kësaj ministrie e zyrtarë të tjerë civilë të këtij institucioni.

Gjithashtu, pjesë e këtij grupi, ku i janë komunikuar akuzat kanë qenë të gjithë drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm, me në krye katër gjeneralët, Luan Hoxha, Agim Lala, Shpëtim Spahiu e Zija Bahja dhe ushtarakë të tjerë të këtij institucioni tashmë të "reformuar" pas shpërthimit në Gërdec.

Ndërkohë, gjatë ditëve në vazhdim të kësaj jave, do të merren në pyetje dhe do t'i komunikohen akuzat edhe 15 personave të tjerë, në mesin e të cilëve do të jenë ish- nëpunës dhe nëpunës të administratës civile e ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, pranë ndërmarrjes MEICO dhe nëpunësve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë",-thanë burimet për "Shekullin".



Verifikimi i dëshmive


Mësohet gjithashtu, se drejtuesi i këtyre hetimeve, prokurori Sokol Stojani ka ngarkuar me detyrën e verifikimit të dëshmive të atyre që kanë pranuar të japin shpjegime në cilësinë e personave të pandehur dy prokurorë dhe dy oficerë të policisë gjyqësore, të cilët gjatë javës do të kryejnë ballafaqimet e dëshmive të reja me ato të vjetra dhe me të pandehurve të tjerë.

Njëkohësisht, sipas grupit hetimor, nuk përjashtohet mundësia e rimarrjes në pyetje edhe të tre të pandehurve që ndodhen në qelitë e paraburgimit, shtetasit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji e Dritan Minxholli.

Ndërsa, deri në fund të këtij muaji, kryeprokurorja Ina Rama ka urdhëruar që të mbyllet faza hetimore dhe dosja të dërgohet në gjykatë para 15 marsit të këtij viti, kur do të përkujtohet një vjetori i kësaj tragjedi me 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me miliona euro dëme materiale.


Mungesa e parave në fondin e Prokurorisë së Përgjithshme, ka lënë me xhepa bosh, specialistët që iu bashkuan hetimit të ngjarjes

Mbesin pa paguar Ekspertët e Gërdecit

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›