Berlini pa mure - edhe për shqiptarët
Libri “Berlini pa mure” i diplomatit dhe autorit shqiptar, Jorgji Kote, është një nga lekturat e rralla, për të mos thënë se është përmbledhja e parë e shkruar në gjuhën shqipe me një dashuri, dije dhe përkushtim që i kushtohet krejtësisht kryeqytetit të Republikës Federale të Gjermanisë, Berlinit. Ajo që qysh në nëntitullin e librit është e shënuar si “Mbresa, ngjarje dhe reflektime” duhet të jetë edhe udhëzuesi më i qartë për atë që lexuesin do ta presë gjatë shtegtimit me këtë libër, i cili sa dëshmon dijen e autorit për historikun e pasur të kryeqytetin gjerman, po aq edhe shpreh dashurinë e tij të pakusht për këtë vend, i cili për dekada të tëra, ishte dhe vazhdon të jetë njëra prej qendrave vendosëse për fatin e jo vetëm të më shumë se 80 milionë gjermanëve, por dhe të Evropës dhe botës, kontinenteve dhe lidhjeve ndëratlantike. Fakti që autori ka shërbyer edhe si diplomat në kryeqytetin gjerman, dija dhe qasja e tij historike mbi dallgët kohore që Berlini ka kaluar nga koha e Bismarkut, Republika e Weimar-it, periudha e errët naziste, Lufta e Ftohtë, ku Berlini ishte pikë nevralgjike me Murin ndarës mes Paktit Verio-Atlantik dhe Paktit të Varshavës, rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë, që solli dhe rënien e “perdes së hekurt” komuniste, vrulli dhe entuziazmi, por edhe vështirësitë në rinjohjen gjermano-gjermane dhe berlineze (tani pa mure) e bëjnë këtë libër edhe një lloj manuali të dobishëm për lexuesin shqiptar, që do të dijë më shumë për kryeqytetin gjerman. Sidomos për lexuesin që do ta vizitojë atë. Ajo që “Berlinin pa mure” e bën kaq origjinal dhe të papërsëritshëm është edhe modestia e autorit që të mos marrë mbi vete barrën e insistimit për dhënie “leksionesh” mbi historinë moderne të kryeqytetit gjerman. Ajo që këtë libër e bën kaq simpatik dhe joshës është prirja e autorit që në mënyrë diskrete, krejt të paimponueshme, të japë edhe përvojat e tij personale, si diplomat, por edhe “i dashuruar” me kulturën, arkitekturën, teatrin, historinë, me shpirtin berlinez dhe gjerman. Dashuri kjo, e cila nuk do të jetë më indiferente as për ata lexues që do ta shfletojnë dhe shijojnë këtë libër; libër i cili i ngjet vërtet një albumi, por dhe që shënon një nga urat e para të një autori shqiptar me kryeqytetin gjerman.
Pas leximit të librit “Berlini pa mure”, do të vërejmë se tashmë kryeqyteti gjerman nuk ka më “Mure” as për botën shqipfolëse.
Autori
Jorgji Kote ka lindur në Tiranë në vitin 1952. Është diplomuar nga Universiteti i Tiranës, në degët Gjuhë dhe Letërsi Angleze dhe Ekonomi Industriale. Është specializuar në Universitetin Ekonomik të Vjenës për Marketing Ndërkombëtar. Në vitin 1991 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike”. Ka punuar për rreth 15 vjet në ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar. Gjatë periudhës 1997-2001 shërbeu si këshilltar pranë Misionit të Shqipërisë pranë BE-së në Bruksel dhe nga viti 2001-2005 si ministër- këshilltar në Ambasadën tonë në Berlin. Vazhdon të shërbejë si diplomat karriere në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Është autor i një numri të madh shkrimesh në shtypin e përditshëm shqiptar dhe i mjaft përkthimeve.