E Diel, 1 Nëntor 2026

Berlusconi: Nuk kam paguar kurrë për seks

Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ka mohuar pretendimet se ai ka paguar disa vajza të reja për të marrë pjesë ne festat e zhvilluara në vilat e tij. Në një intervistë dhënë për revistën italiane "Chi", 72 vjeçari ka hedhur poshtë të tilla deklarime dhe ka këmbëngulur se ai asnjëherë nuk kishte paguar për të bërë seks. Ai tha se beson se njëra prej vajzave që është në qendër të skandalit seksual ku është përfshirë Berluskoni, ishte paguar për të bërë akuza dhe deklarata te rreme kundër tij. Jeta personale e kryeministrit italian prej kohësh është në qendër të vemendjes publike, mediatike, por edhe asaj politike, që pasi bashkëshorjta e tij paraqiti kërkesën për shkurorëzim prej tij muajin e kaluar. Kjo ishte hera e parë që Berluskoni ka folur gjerë e gjatë për disa nga akuzat më të rënda që kanë të bëjnë jetën e tij private.
Një modele italiane, D'Addario Patrizia, deklaroi javën e kaluar se ajo ishte paguar me një shumë prej 1000 dollarësh për të marrë pjëse në një festë të zhvilluar në banesën e tij në Romë, në shoqërinë e disa femrave të tjera. Zonjusha D'Addario, pretendon se asaj i ishte kërkuar të kthehej dhe eventualisht të kalontë natën me kryeministrin. Edhe një herë gjatë intervistës së dhënë për revistën italiane "Chi", Berluskoni theksoi se asnjeherë nuk kishte paguar për seks. Më tej ai tha: "Unë kurrë nuk e kam kuptuar se ku është satisfaksioni kur mungon kënaqësia e të zaptuarit, ndërsa sulmoi me fjalë znjsh D'Addario, duke thënë se ajo ishte mirëpaguar nga dikush për të sajuar të tilla gënjeshtra. Megjithatë edhe vetë personi në fjalë, top modelja italiane, e ka mohuar se ka dhënë deklarata të rreme. "Në qoftë se z. Berluskoni zotëron edhe provën më të vogël lidhur me pretendimet e tij, atëherë ta paraqesë tek autoritetet ligjore", është shprehur ajo për agjencinë e lajmeve "Ansa".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›