E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berlusconi mund të gjykohet

Nga Express më 14 janar 2011 në ora 14:12

Gjykata Kushtetuese e Italisë ka pezulluar pjesërisht të premten ligjin më të ri, i cili i jepte imunitet kryeministrit, Silvio Berlusconi, nga hapja e proceseve gjyqësore kundër tij, njoftuan mediat italiane.

Pesëmbëdhjetë gjykatës të Gjykatës Kushtetuese u përcaktuan për një zgjidhje kompromisi, duke mos e refuzuar por as aprovuar ligjin për “pamundësinë legjitime” të kryeministrit ose ministrave qeveritar që të shfaqen në proceset gjyqësore që udhëhiqen ndaj tyre.

Ligji për “pamundësinë legjitime”, i aprovuar në mars të vitit 2010, i lejon kryeministrit dhe ministrave të qeverisë që të mos dalin para gjyqit brenda një periudhe deri në 18 muaj, gjegjësisht deri në fund të muajit shtator të vitit 2011.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve, Ansa, e cila thirret në një burim kredibil, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që afatin për aplikimin e këtij ligji ta ulë ndjeshëm, megjithëse nuk e ka refuzuar të tërin.

Sipas këtij vendimi të gjykatës, ligji nuk i ndërpret proceset gjyqësore që udhëhiqe ndaj kryeministrit dhe ministrave të qeverisë.

Kundër Berlusconit aktualisht po zhvillohen dy procese në Milano – njëri për fshehje tatimi të kompanisë së tij mediale MediaSet, e tjetri për shkak të korruptimit të dëshmitarëve (rasti Mills).

Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tash e tutje gjykatësit në këto raste mund të vlerësojnë se cili është shkaku legjitim që i parandalon kryeministrin dhe ministrat që të shfaqen para gjyqit.

Gjithashtu, gjatë shpalljes së vendimit gjykatësit duhet të analizojnë nevojat e gjyqësorit, por edhe ato të zyrtarit në detyrë, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Berlusconi i ka refuzuar disa herë aktakuzat ndaj tij, duke deklaruar se ai po ndiqet nga një pjesë e gjyqësorit që anon nga e majta italiane.

Kryeministri italian deklaroi të enjten se, pavarësisht vendimit të gjykatës, stabiliteti i qeverisë së tij nuk do të cenohet. Madje, sipas tij, ai do t’ia “sqarojë opinionit italian” sesa “qesharake” janë proceset gjyqësore që aktualisht po zhvillohen ndaj tij. (Beta/AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›