E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil: Uji merr qindra njerëz

Nga Express më 14 janar 2011 në ora 16:16

Afro 500 njerëz supozohet se kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq, vërshimeve dhe shembjes së dheut, që përfshiu Brazilin. Një numër i konsiderueshëm njerëzish ende konsiderohen të zhdukur, përderisa disa zona të caktuara braziliane janë izoluar plotësisht nga pjesa tjetër e vendit.

Më së rëndi është goditur zona përreth qytetit Rio de Janeiro, gjegjësisht qytetet Nuova Friburgo, Teresopolis dhe Petropolis.

Situata më e keqe është në Teresopolis, në verilindje të Rios, ku që nga e marta mbrëma vërshimet kanë shkaktuar vdekjen e 147 njerëzve, 114 prej të cilëve e pësuan shkaku rrëshqitjes së dheut, deklaruan zyrtarët lokalë për CNN.

Kryebashkiaku i Teresopolis, Jorhe Mario Sedlacek, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në atë zonë, dhe ka njoftuar se bëhet fjalë për katastrofën më të madhe që athje është shënuar ndonjëherë.

Sipas njoftimeve të agjencisë braziliane të lajmeve Agensia Brasil, të paktën edhe 107 viktima të tjera janë zbuluar në qytetin malor Nueva Friburgo, ndërkaq disa dhjetëra në qytezat Petropolis dhe Itipiava.

Në zonën e qytetit Sao Paolo më së rëndi e pësoi qyteti San Jose dos Campos, ku për shkak të rrëshqitjeve të shumta të dheut shumë shtëpi janë nën ujë.

Që nga a marta, kur zonat përreth Rio de Janeiros dhe Sao Paolos u përfshinë nga një mot i stuhishëm, mbi 75,000 njerëz kanë mbetur pa rrymë elektrike, megjithëse të reshurat e shiut atje nuk u ndalën që nga 1 janari.

Të paktën 1,000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë, dhe ata janë strehuar nëpër shkolla dhe objekte fetare lokale, të cilat i shpëtuan vërshimeve.

As rio dhe Sao Paolo nuk mbetën pa pasoja. Në Rio deri të premten u identifikuan 16 viktima, e në Sao Paolo 21. Madje, për shkak të vërshimeve në Sao Paolo që nga e diela është bllokuar i gjithë komunikacioni deri në qendër të qytetit. Sipas televizionit brazilian TV Globo, të paktën 800 shpëtimtarë janë dërguar nëpër zonat e përmbytura, kështu që në mesin e viktimave ka edhe pjesëtarë të këtyre ekipeve.

Guvernatori i shtetit Sao Paolo, Sergio Carbal, ndërkohë ka ftuar edhe marinën e vendit për t’u përfshirë në aksionin e shpëtimit. Për dërgimin e ushqimit dhe ndihmave drejt zonave të prekura, në këtë shtet tashmë janë angazhuar helikopterët, të cilët atje transportojnë edhe ekipe mjekësore dhe ekipe të shpëtimit.

Sipas agjencisë AP, presidentja e Brazilit, Dilma Rouseff, të mërkurën nënshkroi vendimin që zonave të goditura t’iu dërgohet një ndihmë urgjente në vlerë prej 461 milionë dollarësh.

Ndryshe, pritet që numri i viktimave të jetë shumë më i madh, ngase ekspertët vlerësojnë se numri i saktë i tyre, si dhe vlerësimi i plotë i dëmeve materiale do të dihen tek pas disa javësh. Kjo, për shkak se aktualisht është shumë e vështirë që të depërtohet në zonat e largëta malore, ku duket se ka pasur numër të madh rrëshqitjesh të dheut. (Nga agjencitë)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›