Guajana e njeh Palestinën
Pas Ekuadorit, Bolivisë, Brazilit, Argjentinës, Uruguait dhe Kilit, Guajana bëhet shteti i shtatë i Amerikës së Jugut që njeh pavarësinë e Palestinës, njoftoi t[ premten televizioni Al-Jazeera, derisa po citonte kumtesën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Guajanës.
“Shpresojmë se njohjet në rritje të shtetit të Palestinës do të kontribuojnë në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez dhe në krijimin e një paqeje të qëndrueshme në rajon”, thuhej në kumtesën e njohjes.
Gjatë javës së kaluar, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve transmetuan edhe deklaratën e presidentit të Kilit, Sebastian Pinera, sipas të cilit, “liderët e partive politike të Kilit e njohin shtetin e Palestinës”, ngase ato para sjelljes së këtij vendimi kishin votuar edhe në senatin e vendit.
Ndryshe, më herët gjatë këtij muaji, edhe Brazili, Venezuela dhe Argjentina i bënë të ditura vendimet e veta për njohjen e shtetit të Palestinës në kufijtë e para vitit 1967. Këtë veprim të këtyre shteteve SHBA dhe Izraeli e cilësuan si kundërproduktiv.