Tunizia urdhëron lirimin e ushqimit
Presidenti i Tunizisë, Zin al Abidin Ben Ali, vendi i të cilit ka ditë që po përballet me protestat më të ashpra të dekadave të fundit, urdhëroi uljen e çmimeve të produkteve elementarë ushqimorë. Ben Ali paralajmëroi edhe mundësinë e lirimit të postit presidencial, por jo para vitit 2014.
Përmes një adresimi televiziv, presidenti tunizian porositi forcat policore që të mos shtien në demonstrues, dhe bëri thirrje për pezullimin e censurimit të Internetit dhe për hapjen e çështjeve të shumta politike në Tunizi, në vendin ku gjatë 23 viteve të sundimit të tij janë adresuar pak kritika publike.
Në kryeqytetin tunizian, Tunis, dy net më parë ishin vrarë të paktën katër persona, dhe katër të tjerë në qytetin jugor Douze, si pasojë e konflikteve për shkak të papunësisë dhe autokracisë së presidentit Ben Ali, të cilat shpërthyen ndërmjet të rinjve tunizian dhe policisë.
Sipas të dhënave zyrtare tuniziane, gjatë protestave të deritanishme, që po zgjasin tash tri javë, janë vrarë 23 persona, megjithëse opozita tuniziane pohon se numri i viktimave është të paktën dy herë më i lartë, dhe se të gjitha viktimat kryesisht janë vrarë si pasojë e të shtënave policore drejt demonstruesve.
Aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut besojnë se gjatë trazirave të fundit në Tunizi janë vrarë të paktën 50 persona, dhe se policia ka përdorur një dhunë joproporcionale ndaj demonstruesve.
Sipas agjencisë AP, duke bërë thirrje “për qetësi”, Ben Ali ka porositur popullin tunizian me fjalinë: “I kuptova kërkesat tuaja”, dhe pastaj ka urdhëruar uljen e çmimeve të sheqerit, qumështit dhe bukës.
“Nuk do të pranoj që të derdhet më asnjë pikë gjaku i qytetarëve tunizian”, theksoi presidenti Ben Ali, ndërkohë që urdhëroi ministrin e brendshëm që të parandalojë të shtënat ndaj demonstruesve, përveç në rastet kërcënohet jeta e pjesëtarëve të policisë
Presidenti tunizian tha edhe atë se, ligji, sipas të cilit mosha për kandidim në zgjedhjet presidenciale nuk duhet të jetë mbi 75 vjet, duhet të respektohet.
Meqë Ben Ali aktualisht i ka 74 vjet, kjo deklaratë e tij në mënyrë indirekte sugjeron se ai nuk do të mund të kandidohet edhe për mandatin e gjashtë me radhë si president.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit ka këshilluar qytetarët e SHBA që të mos udhëtojnë në Tunizi, pa ndonjë nevojë të madhe, “për shkak të trazirave intensive politike dhe sociale” në këtë vend.
Kohë më parë një udhëzim të ngjashëm ia adresuan qytetarëve të tyre edhe qeveritë e disa vendeve evropiane. (Nga agjencitë)