E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni -gazetarëve: Më lini të qetë

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni iu kërkon gazetarëve që ta lënë të qetë dhe të respektojnë jetën e tij private. Një deklaratë të tillë Berluskoni e bëri gjatë një interviste ekskluzive të dhënë për të përditshmen italiane "Il Giornale", gazetë e qendrës së djathtë që i përket familjes së tij. "Respekti për jetën private nuk ekziston më për askënd. Unë mendoj se meritoj që të më lënë të qetë. Dhunimi i jetës private duhet të përfundojë me kaq", u shpreh shefi i qeverisë italiane, i pyetur disa javë pas publikimit të disa fotove tepër konpromentuese.
Kreu i ekzekutivit italian u irritua jashtëzakonisht këtë javë nga fakti se disa paparacë u përpoqën sërish që të shkrepnin foto në Villa Certosa, rezidencën e tij luksoze në Sardenjë, gjatë një aktiviteti të organizuar mbrëmjen e së hënës me rastin e ditëlindjes së njërës prej vajzave të tij, Marina. Tre fotoreporterë që u përpoqën të bënin fotografi, u morën në pyetje nga forcat e rendit dhe nuk pranuan të dorëzonin kartat e memories së aparatëve të tyre fotografikë, ku ishin fiksuar imazhet nga mbrëmja familjare, sipas shtypit italian. Që prej majit të këtij viti, Silvio Berluskoni është përfolur lidhur me çështjen Noemi, një vajzë e re me të cilën kavaljeri thuhet se ka patur marrëdhënie, ndërkohë që ajo ishte e mitur. Ky ishte edhe shkaku i një kërkese për divorc nga bashkëshortja e tij Veronica Lario.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›