Berluskoni, 18 mbrëmje me 30 vajza
Vajza të paguara për të marrë pjesë në festat e organizuara në rezidencat e Silvio Berluskonit. Shoqëruese në këmbim të favoreve nga asokohe zv/president i rajonit Puglia, Sandro Frisullo. Kështu e ka ndërtuar historinë në dëshminë e tij sipërmarrësi italian, Gianpaolo Tarantini, që ka kaluar nga Pallati Chigi deri në Puglia. Tarantini ishte ndërmjetësi i femrave në festat e kryeministrit italian. “Corriere della Sera” ka publikuar dje dëshminë e 29 korrikut. Gjatë dëshmisë së gjatë, sipërmarrësi i akuzuar për korrupsion dhe favorizim prostitucioni tregon se ka dërguar të paktën 30 vajza për festat e Berluskonit. Mes tyre edhe figura televizive. Kjo histori ka vazhduar të paktën pesë muaj: nga shtatori 2008 deri në janar të këtij viti. Tarantini i ka treguar të gjitha detajet: që nga fluturimet deri te shpërblimet, dhomat e paguara të hotelit. Ai ka treguar edhe për rolin e Patrizia D’Add-arios, shoqëruesja që ka hedhur dritë mbi ngjarjen. “Kam organizuar 18 mbrëmje, por Berluskoni nuk e dinte se vajzat ishin të paguara. I jepja 1000 euro kujt qëndronte të kalonte natën”. Ai tregon njohjen me Berluskonin. “Kam dashur ta njoh presidentin dhe për këtë isha gati të shpenzoja për të fituar konfidencën e tij, dhe duke njohur interesin e tij për gjininë femërore nuk kam bërë gjë tjetër, përveçse kam shoqëruar për tek ai vajza që i paraqisja dhe si miket e mia, duke i detyruar të heshtnin për të vërtetën”, tregon ai. Tarantini ka pranuar se e njihte D’Addarion. “E kam njohur si Alessia dhe ma ka prezantuar Max Verdoscia, sepse unë po kërkoja një vajzë që ta çoja për darkë te Berluskoni. D’Addarios i paraqita mundësinë për të kaluar një darkë me kryeministrin, duke i bërë të qartë se do t’i paguaja shpenzimet e rrugës dhe qëndrimin në Romë, dhe 1000 euro për shërbime shtesë. Duhet të detajoj se Verdoscia më kishte folur për një vajzë që do të ofronte përkujdesje seksuale”, ka treguar ai. “Më 4 nëntor 2008 shkova në pallatin Grazioli me d’Addarion, Barbara Montereale e Lucia Rossini. Kujtoj se e kam paguar D’Addarion me 1000 euro, duke e ditur se prostituohej dhe po ashtu i dhashë edhe Montereales 1000 euro ekskluzivisht për të kryer rolin e vajzës imazh. D’Addarion munda ta paguaj vetëm më vonë, sepse ajo e kaloi natën me kryeministrin. Kujtoj se atë natë ajo qëndroi sepse donte t’i fliste kryeministrit për një problem privat. Vetëm një ditë më vonë mësova se kishte qëndruar në pallatin Grazioli”. Një tjetër prej vajzave, Vanessa Di Meglio, “është një mikja ime e afërt, e furnizoja me kokainë. Nuk është profesioniste e seksit, por ndonjëherë pranon të shpërblehet. I ka ofruar kujdesje seksuale Berluskonit në dy raste: në Romë më 5 shtator dhe më 8 tetor 2008”. Më pas Ioana dhe Barbara. E para “shoqëruese”, e dyta “grua spektakli”. “Më 8 tetor 2008, qëndruan në shtëpinë e Berluskonit dhe për këtë i pagova”, tha ai. Ai flet për fytyrat televizive që ka dërguar te Berluskoni: Francesca Garasi, Carolina Marconi, Geraldine Semeghini, Linda Santaguida, Camilla Cordeiro Charao, duke paguar vetëm këtë të fundit pasi qëndroi te Berluskoni. Tarantini tha se i ka dërguar vajzat në Pallatin Grazioli në makinë me xhama të errët. Në dëshmi ai tha se e kishte bërë, sepse mendonte gjatë viteve të fundit se vajzat dhe kokaina ishin çelësi i suksesit.
(Marrë nga La Reppublica)