E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri luftarake merr 1 pikë të artë ndaj Danimarkës

 

Leonard Karaj

Shqipëria ndal edhe Danimarkën në “Qemal Stafa”. Këtë herë kuqezinjtë jo vetëm që shtynë festën e kualifikimit të danezëve, por arritën që të siguronin një pikë që do të jetë vazo e katërt për eliminatoret e EURO 2012-ës.Para këtij takimi presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe trajneri Josip Kuzhe patën kërkuar nga futbollistët e Kombëtares me patjetër një pikë, e cila do të çonte një vazo më lart në shortin për kualifikimet e Evropianit të ardhshëm. U tha, u bë. Djemtë e Kuzhesë jo vetëm që moirën një barazim të vyer nga një skuadre shumë herë më superiore se e jona por treguan edhe një shpirt të lart gare dhe një lojë me nivel. Golit të sulmuesit të Arsenalit Niklas Bendter iu kundërpërgjigj më së miri ai që e njeh mirë golin kuqezi, Erjon Bogdani. Sulmuesi shënoi golin e 12-të të tij në 51 ndeshje duke u barazuar me Ervin Skelën dhe duke lënë pas Altin Rrakllin.
Atmosfera
Ndeshja nisi nën një atmosferë gjithëpërfshirëse kuqezi ku nuk munguan edhe personalitetet të politikës dhe futbollit në vend. Takimi filloi me një thirrje nga ana e kapitenit të skuadrës sonë, Ervin Skela kundër racizmit dhe për një fair-play në gjithë fushën. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” nuk ishte i mbushur plot e përplot duke parë edhe objektivin jo primar të skuadrës sonë ndaj Danimarkës. Nga ana tjetër pati një interesim të madh edhe të mediave daneze të cilat ishin akomoduar në stadium për këtë takim. Në rast fitoreje Danimarka do të kishte mundësi që të festonte që në Tiranë kualifikimin për në Botërorin “Afrikë e Jugut 2010”.
Ndeshja
Takimi filloi me një ritëm të lartë nga të dyja skuadrat por me një dëshirë më të madhe nga ana e lojtarëve të Kombëtares sonë. Ndërsa danezët ishin më racionalë, por dhe më të saktë si në pasime dhe në gjuajtjet para portës. Vlejnë të përmenden disa ndërhyrje energjike të qendërmbrojtësit kuqezi Lorik Cana, ndër më të mirët në këtë takim, si dhe loja mjaft e mirë e Ansi Agollit në krahun e majtë. Salihi dhe Bogdani duket se kanë gjetur më së miri njëri-tjetrin pasi edhe në këtë ndeshje arritën të alternoheshin mjaft mirë. Por në momentin tonë më të mirë, vjen një gol “qorrazi” i Bendter. Në fakt ishte një dalje e gabuar e Ujkanit mes topit dhe Currit që bëri që danezi të kalonte me kokë topin sipër portierit tonë. Në pjesën e dytë Kuzhe hodhi në fushë edhe Hykën me qëllimin e vetëm të shënimit të golit të barazimit. Ky erdhi vetëm 5 minuta nga fillimi i takimit me anë të Bogdanit. Në minutat në vazhdim vlen të theksohet freskia e Emiliano Vilës dhe loja korrekte e Ervin Bulkut në mesfushë. Danezët dolën për herë të parë pas 46 vjetësh pa fitore nga stadiumi “Qemal Stafa”.
 

Shqipëri-Danimarkë 1-1

Shënues: Bogdani 50’/ Bendtner 40’

Kartonë të verdhë: Ansi Agolli 49', Armend Dallku 65'

Stadiumi: “Qemal Stafa”

Gjyqtarë: Cuneyt Çakir (kryesor)
Bahattin Duran dhe Tarik Ongun (anësorë)

Shqipëria: Ujkani, Beqiri (Hyka 46’), Dallku, Cana, Curri, Agolli, Bulku, Duro, Skela (Vila 84’), Bogdani (G.Lika 78’), Salihi
Trajner: Josip Kuzhe

Danimarka: Sorensen, K.Poulsen, Kjaer, Kristensen, Kvist, Jacobsen (Gronkjaer 54’), J.Poulsen, Romedahl, Tomason (Larsen 75’), Jorgensen (Norregaard 69’), Bendtner
Trajner: Morten Olsen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›