E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqja, tërheqja dhe stërkeqja



Pas miratimit të Deklaratës Presidenciale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shtrirjen e EULEX-it në thuajse gjithë territorin e Kosovës, në Kosovë pati reagime të ndryshme; pozita e konsideron si sukses, pasi që 6-pikëshin e Banit nuk është përmendur në mënyrë eksplicite në këtë deklaratë duke injoruar të vërtetën se ky 6 pikësh është alfa dhe omega e raportit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së nga edhe ka dalë deklarata. Figura më tragjike e cila, veten e konsideron si epike dhe kreshnike e që është bërë të qahet nga vajtojcat e Shkodrës ishte padyshim ministri i jashtëm, z. Skënder Hyseni. Paraqitje më katastrofave dhe më padinjitetshme nuk e besoj ta ketë pasur ndonjë shqiptar, që nga ilirët e hershëm deri te këta shqiptarët multietnik! Duket se dikush kur pranon të luajë rolin e marionetës – kukullës është e pamundur më të kthehet prapa e të bëhet vetja e vet! Është për të qarë dhe njëkohësisht për të qeshur, madje paradoks , argumentimi i tij për mbrojtjen e çështjes së Kosovës. Një mal argumentesh për Kosovën u devalvuan para një gënjeshtre në formë të një fije kashte të ministrit serb, Vuk Jeremiq. Skënder Hyseni para Vukut dukej si një maçok i lodhur 12-vjeçar, i cili pret që pronari i tij ta dërgojë në ndonjë përrua dhe t’i hjek kokën me kosë meqë është lodhur, rraskapitur dhe plakur andaj nuk mund të gjuaj më minj. Është bërë i padobishëm andaj zoti i shtëpisë, në këtë mënyrë dëshiron ta hjek nga buxheti familjar. Kështu dikur veprohej në fshatrat e Llapit. Në anën tjetër ministri jashtëm Skënder Hyseni e solli një informatë jashtëzakonisht të rëndësishme për anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB–së, i informoi ata se ish-presidenti Marti Ahtisari është fituesi i çmimit “Nobel për Paqe”, këtë vit. Me këtë e ka shpaguar veten. Teleshikuesit patën rastin ta shohin se sa shumë u gëzuan anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB–së për këtë informatë. I vetmi që e përmendi zotin Ahtisari atë ditë ne Nju Jork ishte Skënder Hyseni! Të vetmen notë kaluese ministri Hyseni e mori në leximin korrekt të fjalës që ia kishin shkruar të tjerët.

Opozita reagoi instinktivisht duke besuar se i erdhën 5 minutat e saj, kërkuan dorëheqjen e parevokueshme të Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi. Të parevokueshme disi si dorëheqja e Blerim Kuçit. I dënuan me pushkatim krerët e shtetit, pa u dhënë të drejtë të mbrohen duke shfrytëzuar të drejtën e ankesës. Madje as pa u njohur dhe pranuar dëshirat e fundit! Sa e pamoralshme, tepër e pamoralshme. Imoralitet i skajshëm!

Kjo i bie sikur kur babai hjek dorë nga atësia për foshnjën e porsalindur ndonëse ka qenë aktiv në ngjizjen e saj. Nuk duhet të bëhet asnjë analizë e ADN-së e të vërtetohet se edhe AKR, LDD dhe AAK kanë qenë pjesë shumë aktive e këtij 6-pikëshi, që nga faza embrionale e deri te lindja e tij. Si prindër të mirë nuk do të duhej të ishin kundër rritjes së fëmijës të tyre. Fëmija, 6-pikëshi i Banit, do të rritet edhe pa opozitën, edhe pa pozitën andaj, mos t’ia fusin kot! Nëse nuk do të detyrohemi që përveç alimentacionit ta paguajmë edhe një çmim tjetër, të gjitha do t’i harrojmë! Më herët AKR është kërcënuar se nëse pranohet 6-pikëshi do të shpërndahet Parlamenti! Kaq. LDD nuk u prononcua përmes kryetarit Daci pasi ai mund të mbetet edhe pa postin e kryetarit të LDD–së. Miqtë ndërkombëtarë e bëjnë një copy – paste të veprimit kur ishte kryeparlamentar. E ndërrojnë dhe ai nuk ka guxim as të tregojë pse është ndërruar! Në këtë orgazëm deklarativ më së shumti më habit kryetari i AAK–së, Ramush Haradinaj. Pasi është i sigurt se vitin e ardhshëm do të bëhet Kryeministër i Kosovës dhe tashmë e ka formuar qeverinë dhe zgjedhur presidentin e Kosovës, pse po ngutet?! Ky vit përfundon edhe 1 muaj. Puna vetëm sa nuk është bërë! Zhurmën e madhe të opozitës e kuptoi vetëm për faktin se guximi i tyre korrespondon me mungesën e Tinës. Mbesë me shpresë se Tina nuk do t’i lexojë gazetat, pasi të kthehet dhe se nuk do t’i rrëfejë askush për kërkesat e opozitës. Ndryshe, nuk do të dëshiroja të isha në lëkurën e tyre! Në këtë kohë unë, si kritikues i hershëm i këtyre proceseve do të kisha të drejtë morale të kërkoja dorëheqjen e Fatmirit dhe Hashimit. Mirëpo, nuk e bëj sikur që nuk do ta bëja edhe nëse në vend të tyre do të ishin: Pacolli, Daci dhe Ramushi. Nuk e kërkoj madje as dorëheqjen e ministrit Skënder Hyseni. Sinqerisht nuk do ta bëja! Opozita nuk ka asnjë propozim apo strategji konkrete si të dilet nga kjo situatë. I vetmi propozim i tyre është të bëhen pozitë! Me çmim të shkatërrojë çdo gjë. Asgjë tjetër. E mira e së mirës është të bëhen të gjithë bashkë. Kjo është çështje e të gjithëve, faturat do t’i paguajmë të gjithë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›