E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni: Akuila, tani një qytet fantazmë

"Fatkeqësisht, ky është shndërruar në një qytet fantazmë". Janë këto fjalët e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, ndërsa shkonte në "Piazza Duomo" në qendër të qytetit të shkatërruar nga tërmeti, Akuila. "Problemi, ka shtuar ai, është që të zgjidhim çështjen se ku dhe si të sistemojmë ata që kanë mbetur pa shtëpi dhe që natyrisht nuk mund të kthehen për të banuar këtu".

Tërmeti shkakton akoma frikë në Abruzo, ndërsa bilanci i viktimave të lëkundjeve të dhunshme sizmike të së hënës vazhdon të përkeqësohet. Të vdekurit janë 272, mes të cilëve gjashtë janë fëmijë. Të plagosurit arrijnë në 1 179, ndërsa është ende i paqartë numri i të zhdukurve që varion sipas të dhënave nga 9 në 20-30 veta. Janë edhe nëntë trupa ende të paidentifikuar mes viktimave të nxjerra nga rrënojat.

Në një konferencë për shtyp, Berluskoni i ka cilësuar përpjekjet e ndërhyrjes së shpejtë si një "sforco e jashtëzakonshme", si dhe "të kënaqshme". Janë në punë 8 500 persona, të organizuar në 5 qendra operative. Së shpejti do të instalohet dhe një e gjashtë për të operuar jashtë zonës 600 km katrorë. Deri tani janë fiksuar 2 962 tenda që kanë strehuar 17 772 persona. "Kemi përmbushur detyrën tonë, ka thënë Berluskoni, duke shtuar se ka nisur verifikimi për gjendjen e banesave dhe të enjten numri i teknikëve do të arrijë në një mijë. "Problemi më i madh janë 28 mijë veta pa shtëpi", shprehet kreu i qeverisë italiane. Ai ka theksuar se duhen bërë llogaritë lidhur me mundësitë hoteliere për të dërguar atje familjet me të moshuar dhe fëmijë. Ndërsa për rikonstruksionin e konviktit të studentëve janë gati 16 milionë euro.

Lëkundje të tjera tërmeti janë regjistruar gjatë natës së të martës dhe të mërkurës. Njëra me magnitudë 3.8 ballë është ndjerë rreth orës 23.30 dhe një tjetër me të njëjtin intensitet u regjistrua në orën 06.27, në zonën e Akuilanos. Pas mesnatës u verifikuan të tjera tronditje, por më të lehta, mes të cilave njëra me magnitutë 3.5 ballë, ka bërë të ditur Mbrojtja Civile.

Këto kanë qenë momente frike për 25 mijë të pastrehët e qendrës abruzese, që qëndronin nën tenda përgjatë një nate të ankthshme. Por nuk ka munguar as i ftohti: temperaturat kanë rënë me 4-5 gradë. Që prej fillimit të tërmetit më të fortë janë regjistruar mbi 350 goditje të tjera, përfshi edhe ato që nuk janë ndjerë nga banorët. Por mbi 60 prej tyre kanë pasur një magnitutë më të madhe se sa 3 ballë.

Ndërkaq, gërmimi nën rrënoja vazhdon, ndonëse shpresat për të mbijetuar janë të vakëta. Ministri i Brendshëm italian ka deklaruar se gërmimet do të vazhdojnë deri për Pashkë. Më pas do të fillojë puna për rikonstruksionin e banesave, që nuk do të jetë as një punë e thjeshtë dhe as e shkurtër në kohë.

Në total kontributi që Bashkimi Evropian pritet të ofrojë për këtë fatkeqësi natyrore në Itali mund të arrijë deri në 400-500 milionë euro. Ky vlerësim bëhet prej zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Antonio Tajani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›