E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni-Berisha: Opozita shqiptare të punojë brenda parlamentit, brenda tetorit, kandidatë për në BE

“Opozita duhet te punoje brenda parlamentit. Partia Socialiste duhet te shpalose kerkesat e saj ne kuvend”. Keshtu deklaroi kryeministri italian Silvio Berluskoni ne nje konference te perbashket per shtyp me homologun Sali Berisha, me te cilin eshte takuar ne Rome, ne kuader te nje vizite ne fqinjin tone pertej Adriatikut. Mesohet se mes paleve jane nenshkruar disa marreveshje bashkepunimi, mes te cilave eshte ajo e partneritetit strategjik mes dy vendeve, duke e klasifikuar Italinë si aleaten stategjike të Shqipërisë, në rrugën drejt BE-së. "Jam i kenaqur per marredheniet mes vendeve tona. Me Berishen diskutuam per vizat dhe per statusin e kandidatit te Bashkimit Evropian. Do te mbeshtesim liberalizimin e vizave dhe statusin e kandidatit per Shqiperine", u shpreh Berluskoni, duke shprehur vleresimin per bashkepunimin ne sektorin energjitik.Nga ana e tij kryeministri Berisha vleresoi mbeshtetjen e Italise per plotesimin e endrres shqiptare drejt Europes. "Italia na ka dhene dhe po na jep nje ndihme te madhe dhe ne i jemi mirenjohes. Vizat jane nje problem konceptual shqiptaresh prej shume e shume vitesh. Miku im Berluskoni do te beje me te miren e mundshme qe liberalizimi te ndodhe sa me shpejt", u shpreh Berisha.Konferenca e plotë për shtyp mes kryeministrave Berluskoni e BerishaPas takimit të zhvilluar sot, në Romë, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Berluskoni nënshkruan sot marrëveshjen për Partneritetin Strategjik dhe më pas dhanë një konferencë të përbashkët për media: Kryeministri Berluskoni: Jam shumë i gëzuar që pata rastin të nënshkruaj këtë marrëveshje për Partneritetin Strategjik midis këtyre dy vende, të cilat kanë marrëdhënie shumë të mira dhe jam i bindur se këto marrëdhënie, marrëdhëniet ekonomike, industriale, tregtare dhe kulturore do të mund të rriten, sepse kemi edhe pozicione të njëjta në politikën evropiane, po ashtu edhe historinë e traditën kulturore. Ne e firmosëm këtë marrëveshje në mënyrë që të rrisim akoma më shumë këto realitete midis dy vendeve tona. Kjo më dha mundësinë që unë të pres mikun tim të vjetër, Sali Berisha, të cilit i bëj komplimentet e mia, sepse ai flet një italishte perfekt dhe pa asnjë diksion të huaj. Ai e ka thjesht nga televizioni gjuhën e tij. Pra, kam qenë shumë i lumtur që pata mundësinë që të shikonim së bashku me të mundësitë dhe ai më tregoi vetë situatën që ekziston në vendin e tij, situatën ekonomike dhe atë politike. Ne bëmë një koncentrim të saktë të ecjes së tyre drejt Evropës. Mendoj se ne mund t’i garantojmë Shqipërisë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur dhe mendoj se brenda tetorit të këtij viti do t’i garantojmë Shqipërisë edhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ky udhëtim i Shqipërisë është një udhëtim që bëhet bashkë me vendet e tjera. Unë jam takuar kohët e fundit edhe me autoritetet e Serbisë, të Malit të Zi dhe këtë javë pata edhe një takim me Kryeministrin e Kroacisë. Ballkanit në Evropë mund t’i gjendet zgjidhja përfundimtare dhe duhet hequr dorë nga fenomenet negative, pra, për të përdorur këtë eufemizëm që ne të mund t’i largohemi atyre fenomeneve negative. Pra, t’i japim fund atyre dallimeve, kontrasteve etnike dhe politike që kanë bërë që Ballkani të jetë një vend me rrezik. Unë e them këtë, sepse dje në takimin e Këshillit të Evropës ne të gjithë kishim vullnetin që të përshpejtojmë këto ritme, në mënyrë që të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Marrëdhëniet midis vendeve tona janë shumë të mira. Shumë operatorë italianë punojnë në Shqipëri. Por Shqipëria ka një program ambicioz, që ajo të bëhet qendra e prodhimit të energjisë. Për këtë, Kryeministri shqiptar më paraqiti një seri projektesh që kanë të bëjnë si me energjinë tradicionale, atë që ka të bëjë me gazin e lëngshëm apo me centralet bërthamore elektrike. Italia është shumë e interesuar dhe ne e dimë se ka diçka të veçantë, një marrëdhënie e veçantë midis Shqipërisë dhe Italisë. Për sa i përket të ardhmes dhe për sa i përket prodhimit të energjisë, prodhimi në Shqipëri të bëhet sikur të jetë një prodhim italian. Kjo e bën shumë interesant këtë bashkëpunim. Unë besoj se kemi shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Me Kryeministrin Berisha ne folëm për turizmin dhe për atë që Shqipëria i ofron turistëve të huaj. Ne mendojmë të lançojmë një fushate, duhet t’u shkojmë edhe ambasadorëve tanë: “A e njihni botën? Vizitoni Shqipërinë!” Ne jemi zotuar me të dy televizionet që të bëjmë edhe një edicion special, në mënyrë që të ftojmë turistët që të vizitojnë Shqipërinë. Me Kryeministrin Berisha folëm dhe për shumë çështje të tjera. Ne folëm edhe për situatën politike. Unë e pyeta mikun tim Sali. Sinqerisht, dua të them se unë kam pasur rastin të flas në Parlamentin shqiptar dhe ishte një moment i kontrasteve, ishte opozita, ishte socialdemokracia. Pra, në një vend demokratik, në demokraci, duhet që gjithçka të jetë e pjekur dhe nuk duhet të bojkotohet Parlamenti, nuk duhet të bojkotohen punimet e Parlamentit. Opozita duhet të punojë brenda këtyre institucioneve, brenda Parlamentit. Unë ia bëj këtë ftesë edhe opozitës shqiptare. Ia thashë edhe mikut tim Sali, duke pasur parasysh edhe përvojën time, se unë jam një demokrat liberal . Ai më ftoi që unë të vij të flas në Parlamentin shqiptar dhe unë jam i gatshëm që të vij dhe të flas. Pra, duhet të synojmë respektin e palëve me njëra – tjetrën. Edhe demokracia duhet të jetë aktive. Duhet të ketë dialog midis dy palëve, sepse përndryshe nuk legjitimohen. Këto ishin temat që u diskutuan nga biseda që patëm bashkë. Po i jap fjalën kolegut tim, Sali Berisha”. Kryeministri Berisha: Faleminderit zoti Kryeministër, miku im i dashur dhe i shqiptarëve, Silvio Berluskoni! Së pari, do të doja t’ju shprehja mirënjohjen time më të thellë ju, qeverisë tuaj, forcave tuaja ushtarake dhe punonjësve tuaj të mbrojtjes civile, për ndihmën e një rëndësie shumë të madhe që ata dhanë gjatë muajit janar. Neve u vunë në qendër të përmbytjeve, e cila progresonte, ecte përpara orë pas ore. Unë ndjej si detyrim që t’ju falënderoj nga zemra. Dua të falënderoj edhe pilotët tuaj, si heronj, të cilët punuan në ato kushte aq të vështira atmosferike. Ata mundën të shpëtojnë shumë jetë. Në të njëjtën shkallë, shumë vende më të fuqishme se vendi im, edhe gjatë janarit, shënuan viktima. Edhe ekspertiza që bëri profesor Guercia, i cili ishte i dërguari juaj special, ka qenë shumë e rëndësishme për ne. Unë dua t’ju falënderoj për ndihmën në të gjitha nivelet dhe për marrëdhëniet tona të shkëlqyera. Marrëveshjet që ne firmosëm tregon vullnetin e të dy qeverive për t’i dhënë horizonte të reja marrëdhënieve tona të shkëlqyera në të gjitha fushat. Unë ju jam gjithmonë mirënjohës për situatën e shqiptarëve në Itali, që për momentin ata përfaqësojnë emigrantët më të integruar në këtë vend. Në vitin 2005 kishte mbi 5000 ndërsa tani numërohen 20 mijë sipërmarrës shqiptarë, pronarë shqiptarë që punojnë në këtë vend. Studentët shqiptarë janë të parë, si nga prezencës së tyre, ashtu edhe nga cilësia. Janë mbi njëzet mijë studentë shqiptarë në Itali. Faleminderit për interesimin dhe për inkurajimin e të dy qeverive. Vitin e shkuar ne firmosëm së bashku, e më pas, më shumë se 4 miliardë euro që do të ishin investimet e shoqërive italiane në Shqipëri, në fushën energjetike dhe në fusha të tjera. Ekonomia shqiptare nuk është e madhe, por është një ekonomi e re, dinamike. Ajo është e vetmja që mundi t’i rezistojë cunamit ekonomik botëror. Ajo mundi të mbante një rritje prej 4 për qind. Kjo falë dhe në sajë të principeve e parimeve liberale që ekzistojnë për biznesin në vendin tim. Shqipëria sot është vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Shqipëria është sot një vend që po lufton të gjitha barrierat për investitorët italian dhe të huaj. Unë i kërkova Kryeministrit Berluskoni interesimin dhe mbështetjen për investime më të mëdha në Shqipëri. Shqipëria do të jetë një qendër shumë e rëndësishme energjetike në Ballkan. Ne do të jemi një superfuqi e vogël, sepse do të ndërtojmë më shumë se 440 hidrocentrale, që nga më të vegjlit deri tek më të mëdhenjtë në Evropë. Ne kemi platformat për energjinë e erës. Ka ndërmarrje italiane që janë licencuar për energji 1200 megavat ose për energjinë e prodhuar nga biomasa. Ne jemi të hapur për energjinë bërthamore. Unë jam i bindur se shqiptaret nuk do të mund të parashikojnë të mirat e mëdha që do të sjellë kjo lloj energjie, e cila është më e qëndrueshme dhe më e pastër. Me Kryeministrin Berluskoni fola për investimet në fushën e turizmit, i cili është më i miri, ka koston më të mirë dhe zhvillimin më të mirë në Mesdhe. Vitin e kaluar ne patëm një rritje rreth 36 për qind në fushën e turizmit, që do të thotë se çdo investitor italian do të mund të investojë me shumë fitim në këtë fushë. Korridori 8 – të është një korridor me një treg shumë të rëndësishëm për Italinë dhe që do të mund të hyjë drejt në Ballkan. Projekti themelor i vendit tim është integrimin evropian. Italia është mbështetësi më i madh i kësaj ëndrre shqiptare drejt Evropës. Qeveria ime punon në mënyrë serioze, duke bërë çdo reformë dhe çdo praktikë që është e nevojshme për integrimin evropian. Italia na ka dhanë dhe po na jep një ndihmë të madhe. Për ketë ne i jemi shumë mirënjohës. Për sa i përket vizave, ky është një problem konceptual shumë i rëndësishëm. Prej shumë e shumë vitesh shqiptarët presin të lëvizin në hapësirën evropiane. Miku im Silvio Berluskoni më premtoi se zoti Fratini dhe gjithë qeveria do të bëjnë më të mirën e mundshme që ky moment të vijë sa më shpejt. Ne vendosëm moratoriumin kundër skafeve dhe i thashë z. Berluskoni se gjatë gjithë kohës që unë do të jem në qeveri ky Moratorium do të jetë në fuqi. Unë nuk dua që shqiptarët të vdesin në Otranto dhe nuk dua që të ketë fluks emigrantësh në Itali. Ky Moratorium ka dhënë rezultate shumë të mira. Edhe ligji i Antimafies është i standardeve më të mira. Kemi një bashkëpunim model sa i përket luftës kundër kriminalitetit dhe trafiqeve. (Ndërhyrje e Kryeministrit Berluskoni: Ne kemi një bashkëpunim të madh midis sistemeve gjyqësore të vendeve tona, midis policisë. Praktikisht është bllokuar çdo aktivitet i atyre, aktivitete që na kanë shqetësuar në të shkuarën). Ne folëm edhe për problemin e tensioneve të shqiptarëve, në mënyrë që ata ta përballojnë me seriozitet këtë. Flas për periudhën e punës që ata kanë në Itali. I fola mikut tim për situatën e çuditshme që ekziston në vendin tim. Kemi një opozitë që thotë se e pranon rezultatin e votimeve. Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë panë nga afër procesin e zgjedhjeve dhe ata thanë që këto janë zgjedhjet më të mira të bëra në Shqipëri. Ata thanë se zgjedhjet në Shqipëri mundën që të përmbushin standardet me kryesore të OSBE-së. Ata nuk thanë gjë për manipulim rezultati apo parregullsi në numërimin e votave. Unë do të punoj më durim. Unë e sigurova mikun tim, Berluskonin, se do të bëj gjithçka që është e mundur për të arritur në një zgjidhje, pavarësisht faktit që ky qëndrim është i tillë. Unë do të bëj më të mirën e mundshme. Unë jam njeri i kompromiseve dhe i lëshimeve. Kjo është edhe logjika e politikës, në mënyrë që t’i japim fund kësaj situate. Ne ndamë të njëjtin mendim dhe ai ishte plotësisht dakord me konceptin tim për këtë situatë. Ne do të punojmë së bashku implementimin e kësaj marrëveshjeje për Partneritet Strategjik, e cila lindi nga një bashkëveprim i gjatë dhe i frytshëm i miqësisë mes dy vendeve. Unë do të pres Kryeministrin Berluskoni në Shqipëri. Ai është një personalitet shumë i dashur nga të gjithë shqiptarët. Ai ka pasur shumë raste që ta tregojë këtë. Ai ka treguar ndjenjat e tij ndaj vendit tim dhe bashkëqytetarëve të mi. Kryeministri Berisha takohet edhe me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë Gianfranco Fini Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Itali për një vizitë zyrtare, u prit në një takim të përzemërt nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, z. Xhanfranko Fini, në Pallatin Montecitorio. Zoti Fini i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, duke shprehur vlerësimin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se e gëzonte fakti që këto marrëdhënie po intensifikohen dhe po ngrihen në një nivel edhe më të lartë. Kryeministri Berisha i shprehu falënderimet e tij Presidenti të Dhomës së Deputetëve të Italisë për gjithë ndihmesën që ai personalisht, parlamenti dhe qeveria italiane, i kanë dhënë Shqipërisë në këto vite, në procesin e saj të integrimit në NATO dhe tashmë në procesin madhor të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe në zhvillimin dhe modernizimin e vendit. Kryeministri Berisha u shpreh se marrëveshja e firmosur gjatë kësaj vizite për Partneritet Strategjik midis dy vendeve, është një marrëveshje që do të konsolidojë bashkëpunimin me interes të përbashkët dhe do ta bëjë këtë bashkëpunim shumë të rëndësishëm akoma edhe më solid. Në takim, të dy personalitete diskutuan për fusha me interes të përbashkët për të dy vendet, duke vlerësuar si kryesore bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushën e energjetikës. Kryeministri Berisha i bëri me dije zotit Fini se vitin e kaluar u nënshkruan marrëveshje për rreth 4 milionë euro investime në fushën e energjisë, në prodhimin e çimentos, etj. Kryeministri theksoi se është në interesin e përbashkët të dy vendeve shfrytëzimi i potencialeve të mëdha të Shqipërisë, veçanërisht në prodhimin e energjisë nga burimet të ndryshme. Kryeministri tha se janë 440 hidrocentrale të madhësive të ndryshme për t’u ndërtuar në vend dhe bashkëpunimi me Italinë në këtë drejtim është me interes të madh reciprok. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e suksesit të projekteve në fushën e energjisë së rinovueshme, duke përmendur këtu projektet ndërkombëtare të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të qëndrueshëm energji, mbështetjen e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, domosdoshmërinë e linjën së interkonjeksionit nënujor Shqipëri – Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë europian, nëpërmjet Italisë, etj. Ai theksoi ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj. Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë Fini shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe siguroi se Italia do të mbështesë me të gjithë forcën e saj liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, z. Fini theksoi se një urë shumë e rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve janë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, të cilët përbëjnë një komunitet shumë të rëndësishëm, janë rreth 22 mijë sipërmarrës shqiptarë të cilët operojnë me sukses në Itali dhe me mijëra student . Ata janë ambasadorët më të mirë të vendit të tyre, theksoi z. Fini. Duke ndalur diskutimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë të ndjekë politikën e tolerancës zero në luftën kundër këtyre dy fenomeneve. Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje vendimin e qeverisë për rinovimin e moratoriumit për skafet, miratimin e ligjit antimafia. Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, të mbrojtjes së rendit dhe në fushën e gjyqësorit, është në një nivel shumë të lartë dhe si i tillë duhet të shërbejë si shembull për bashkëpunimin midis vendeve të tjera. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin edhe në takimin me z. Fini për të shprehur falënderimet për forcat e mbrojtes civile italiane, për ndihmën dhe mbështetjen e menjëhershme dhe shumë të sukseshme në përballimin e situatës së përmbytjeve, muajin e kaluar, në zonën e Shkodrës. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›