E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni: Dinjon s‘e ndërroj me asnjë

"Nuk do ta ndërroja Ronaldinjon me asnjë lojtar tjetër që njoh". Kështu e karikon "As"-in e tij brazilian në prag të derbit të së shtunës, Kryeministri i qeverisë italiane, i cili ka ndërhyrë direkt në emisionin e parë sezonal të "Processo di Biscardi". Pas deklaratave të bëra të njohura nga blerja e re, Huntelar, dje pasdite ishte presidenti i kuqezinjve, ai që ngriti sërish në qiell karakteristikat e Dinjos, njeriut-fitues të derbit të fazës së parë të sezonit të kaluar.

Kampionët

Berluskoni ka folur për momentin aktual të Milanit, duke kaluar nga forma e Ronaldinjos e deri te shitja e Kakasë. "Nuk jam dakord, thotë ai, me ata që mund të mendojnë për një Milan të dorëzuar. Kemi një skuadër me 29 lojtarë, mund të zbresim në fushë dy skuadra të nivelit, pasi kemi kampionë që skuadrat vetëm mund t‘i kenë zili. Ronaldinjo, edhe pse në moshë 29-vjeçare, është një futbollist, të cilin nuk do ta ndërroja me asnjë tjetër që njoh. Luan në cilindo pozicion dhe në cilëndo formë që të jetë, i shpërblen tifozët për çmimin e biletës me ‘numrat‘ e tij dhe driblimet e tij".

Sulmuesi i dytë

Berluskoni, gjithnjë në lidhje me brazilianin, ka hyrë në vlerësime të karakterit taktik, duke treguar ish-futbollistin e Barcelonës si sulmuesin e dytë të Milanit. "Besoj se Ronaldinjo duhet të luajë në zemrën e aksionit final, aty brenda zonës së portës. Tamam-tamam unë do ta kisha futur të luante si sulmues i dytë. Nëse do të isha unë ai që e bën skuadrën, do ta vija Sedorfin si numër 10 për të dhënë pasin final, Paton sulmues të parë dhe Ronaldinjo sulmues të dytë. Nëse do të luajë në këtë pozicion, thotë në fund Berluskoni, jam i bindur që në fund të kampionatit do të jetë mes protagonistëve".

Pato

Ishte i domosdoshëm sakrifikimi i një talenti për arsye të rregullimit të bilanceve. Tifozi i parë i kuqezinjve rithekson bindjen se ka bërë zgjedhjen e duhur mes Kakasë dhe Patos. "Pato është një talent absolut, këtë e them edhe në lidhje me moshën e tij. Milani ka bërë shumë mirë që ka pasur besim tek ai, në momentin që iu desh të zgjidhte mes dy yjeve brazilianë".

Derbi

Është e pashmangshme të mos mendosh për derbin e së shtunës: "Për ndeshje të tilla nuk mund të bëhen parashikime, sepse në praninë e skuadrave shumë të forta, rezultati i besohet fatit, gjykimit të gjyqtarit. Ajo që mund të them është se Milani do të zbresë në fushë për të fituar dhe për të qenë padron i saj, duke kërkuar të arrijë suksesin nëpërmjet argëtimit", ka përfunduar Sivio Berluskoni.

Milan-Inter

Ditë pas dite po fillojnë të zbardhen formacionet e Milanit dhe Interit në prag të derbit. Leonardo i beson 11-shes së Sienës me Paton sulmues të vetëm. Në pikëpyetje është Sedorf. Tek Interi është rrugës një gjysmë-revolucion: Muntari do qëndrojë jashtë (ndoshta Zaneti në mesfushë) dhe treshja e sulmit do të jetë Baloteli, Eto‘o dhe Milito. Zikaltrit janë në pritje të Shnajderit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›