Për t’i dhënë dorën Berluskonit, Edvini mashtron socialistët evropianë

Edi Rama, kreu i PS-së, ka braktisur dje mbledhjen e Partisë Socialiste Evropiane (PSE) në Madrid të Spanjës, duke mos dashur të përballet me debatet për Shqipërinë, me rivalin e tij Ilir Meta. Justifikimi i tij se do të kthehej në Tiranë, pse kishte një takim me Kryeministrin e Italisë Silvio Berluskoni, ka qenë thjesht dhe vetëm një mashtrim, pasi “takimi” e Ramës me Berluskonin, nuk ishte asgjë më shumë se në tokje duarsh, ashtu sikurse Kryeministri italian, bëri me pothuajse gjithë të ftuarit, në pritjen e shtruar mesditën e djeshme nga Presidenti i Republikës Bamir Topi. Në këtë pritje, ishin gjithashtu të pranishëm edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, parlamentarë, anëtarë të kabinetit, drejtues të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës. Sjellja e Ramës, në Madrid, ka lënë jo pak të habitur, homologët e tij, të partive të majta në këtë takim. Dy krerët e dy partive rivale të opozitës, Edi Rama, për gjatë gjithë kohës që ishin prezentë së bashku në takimin e PSE-së në Madrid, kanë shmangur kontaktet mes tyre. Dy kryetarët respektive të PS-së dhe LSI-së, Edi Rama dhe Ilir Meta edhe pse dy ditë më parë ndodheshin në të njëjtat ambiente në Madrid të Spanjës me ftesë të PSE-së, nuk kanë pasur asnjë kontakt me njëri-tjetrin. Megjithëse në prani të faktorit ndërkombëtar të së majtës evropiane, sipas burimeve zyrtare nuk ka pasur asnjë takim mes tyre. Ndërkohë, në takimi i Këshillit të PSE-së në Madrid të Spanjës, ku mori pjesë edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, dje paradite vazhdoi punimet me zhvillimin e debatit, “Për një Ballkan të ri social”. Në panelin e këtij debati mori pjesë dhe foli edhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Duke ju përgjigjur pyetjes së axhendës së panelit, se përse ne duhet të punojmë për një Ballkan të ri social, Meta tha sepse ne nuk duam që konfliktet e vjetra etnike, të zëvendësohen nga konflikte të reja sociale. Më tej Meta u shpreh se vendet tona kanë një stabilitet ende të brishtë, i cili kërkon jo vetëm ndërmarrjen e reformave, që garantojnë jo vetëm rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike, por edhe politika sociale të mençura dhe me vizion, larg populizmit dhe qëllimeve të ngushta elektorale. Në këtë drejtim, Meta theksoi së pari forcimin e institucioneve dhe të stabilitetit institucional në vendet e Ballkanit, pasi ende institucionet janë të dobëta, pasi ende ligji nuk zbatohet në mënyrë efektive dhe pavarësia e drejtësisë ende mbetet shumë e kufizuar. Kjo vjen si pasojë e mendësisë që trashëgojnë këto vende dhe një pjesë e drejtuesve të tyre, që është autoritare, tipike si ajo e partisë në shtet. Gjatë pjesëmarrjes së tij në takimin e Këshillit të Partisë Socialiste Evropiane (PSE), kreu I LSI-së Meta u takua edhe me Presidentin e PSE, Rasmunsen, ish-Kryeministrin e Spanjës, Felipe Gonzales, Kryeministrin Kroat dhe të tjerë personalitete të rëndësishme të së majtës në Evropë. ...