E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni: Mocioni i mosbesimit, “një marri”

Sot Italia mund të nisë rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme

Skandale seksuale, beteja politike dhe recesioni vetë e kanë shkatërruar thuajse figurën e Kryeministrit italian në këtë mandat të tretë të tij dy vjet e gjysmë nga fitorja elektorale, që i dha mandatin më të fuqishëm të mundshëm.

Kohë më parë ai ishte njeriu që dominonte politikën italiane, ndërsa së fundi është dobësuar nga të gjitha sa thamë më sipër, por edhe nga largimi i aleatit kyç, Fini, nga lajmet shkatërruese për jetën e tij “shumëngjyrëshe” seksuale, akuzat e ish së shoqes dhe rrëfimet e grave e vajzave që kanë fjetur me të. Kur erdhi në pushtet në vitin 2008, ai u përpoq që të tregonte se e kishte përfunduar transformimin nga një manjat mediatik në një burrë shteti me përvojë dhe më në fund do t’ia dilte që të nxirrte nga situata e stanjacionit ekonominë e vendit. Këto premtime nuk u mbajtën dhe tani Berluskoni ndodhet përballë një mocioni mosbesimi në Parlament, që mund ta shkatërrojë përfundimisht qeverinë e tij dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Rruga drejt zgjedhjeve të parakohshme nisi në korrik, kur Fini, aleati i tij më i ngushtë, u distancua nga mënyra e qeverisjes së Berluskonit së bashku me një grup të madh deputetësh të Popullit të Lirisë, partisë që e bashkëthemeluan të dy. Kjo i hoqi Berluskonit shumicën parlamentare dhe e shndërroi Finin në armikun e tij më të madh. Në moshën 74-vjeçare Berluskoni është ende një lojtar i mirë në politikë dhe për më tepër, edhe për shkak të opozitës së majtë, që është shumë e dobët, ai shpreson që të fitojë zgjedhjet e parakohshme, nëse do të vendoset që të mbahen. Ndërkohë dje, Berluskoni u bëri thirrje ligjvënësve që të mos e rrezikonin qeverinë për interesat e tyre të ngushta politike. Para Senatit ai tha se Italia kishte nevojë për një vazhdimësi operacionale dhe largimi i tij nga pushteti do të krijonte një “krizë në errësirë”. Nëse Berluskoni do të humbasë sot në votën e konfidencës, ka shumë mundësi që të thirren zgjedhjet e parakohshme. Sa për Finin ai thotë se ka mjaftueshëm vota për ta nxjerrë jashtë Berluskonin, megjithatë bëhet fjalë për numra që janë shumë të diskutueshëm dhe vështirë të parashikosh atë që mund të ndodhë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›