PE: TE MOS HAPEN KUTITE , Brukseli rrit presionin: Tryeza të zgjidhë krizën
BLEDAR HOTIKreu i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, shpreson se tryeza e sotme e Presidentit do të zgjidhë krizën politike në Shqipëri. Në një deklaratë zyrtare, presidenti i PE, Jerzy Buzek duke përshëndetur tryezën e sotme të kreut të shtetit, Bamir Topi, uron në të njëjtën kohë që t’i jepet fund bojkotit të opozitës. “Dua të mirëpres nismën e Presidentit shqiptar, Topi për të organizuar një tryezë të rrumbullakët negociatash me krerët e Qeverisë dhe opozitës nesër (sot) në Tiranë dhe shpresoj që këto bisedime do të çojnë në zgjidhjen me sukses të krizës politike në vend, e cila nisi pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009”, deklaron Buzek. Presidenti i PE-së thekson më tej se “unë do të doja të inkurajoja të gjithë liderët politikë të Shqipërisë për t’u angazhuar në dialog, në mënyrë që t’i japin fund ngërçit politik, të frenojnë bojkotin e Parlamentit dhe të ecin përpara me reformat e nevojshme dhe axhendën e integrimit evropian.I uroj fat të mirë liderëve politikë shqiptarë dhe presim që nesër të marrim lajme inkurajuese nga Tirana”. Në deklaratën zyrtare të Buzek bëhet e qartë se kërkesa drejtuar Partisë Socialiste për dhënien fund të bojkotit parlamentar është bërë prezent afro katër muaj më parë. “Në rezolutën e tij më 26 nëntor 2009, në dokumentin e strategjisë së zgjerimit të KE-së, PE i bëri thirrje opozitës për të mos bojkotuar Parlamentin dhe për të kryer detyrën, për të përfaqësuar votuesit e saj në Parlament. PE gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë dhe opozitës për të gjetur një gjuhë të përbashkët për vazhdimësinë pas zgjedhjeve të fundit në Parlament”, thuhet në deklaratën e Buzek. Më tej theksohet se “zgjedhjet e qershorit janë monitoruar dhe vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar (OSBE/ODIHR-i), se kanë përmbushur pjesën më të madhe të standardeve të OSBE-së”. Gjetja e një konsensusi dhe zgjidhja e situatës së krijuar në Shqipëri është një nga kushtet kryesore e ndërkombëtarëve. Për tryezën e Presidentit ka pasur dhe një deklaratë të Presidentit i Komisionit për çështjet e jashtme të Parlamentit evropian, Gabriele Albertini. “Kërkesa e Partisë Socialiste shqiptare për të rihapur kutitë e votimit e për të rinumëruar votat për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 nuk mund dhe nuk duhet të pranohet. PE e ka shprehur tashmë qëndrimin e tij mbi këtë çështje në rezolutën e tij me dokumentin e strategjisë për zgjerimin 2009 të paraqitur nga Komisioni, të votuar në seancë plenare më 26 nëntor të vitit të kaluar. E shohim me vend t’i kujtoj z. Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste shqiptare, që bojkoti i punimeve të Parlamentit të vendit të tyre nuk do të sjellë asnjë avantazh, as për opozitën e tij politike dhe as për popullin”, deklaron Albertni. Zyrtari i PE-së thekson më tej se “unë shpresoj që Parlamenti shqiptar të kthehet shpejt në funksionimin e tij normal dhe që të mos pengohen në asnjë mënyrë aspiratat e drejta të Shqipërisë për anëtarësimin në BE”. Sinjale të tjera për arritjen e një konsensusi erdhën dhe nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Evropën Juglindore, Eduard Kukan. “Ne e mbështesim plotësisht Rezolutën 1709 dhe iu bëjmë thirrje politikanëve shqiptarë të veprojmë në përputhje me këtë rezolutë. Ne mirëpresim iniciativën për bisedime në tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Presidenti Topi dhe shpresojmë se ato do të shërbejnë si bazë për të gjetur zgjidhjen e situatës aktuale politike”, deklaron Kukan. Kryetari i delegacionit tha: “Ne gjithashtu theksojmë se situata e qëndrueshme dhe transparente politike luan një rol vital në procesin e implementimit të MSA-së dhe liberalizmin e vizave. Ne do të donim të theksonim se vazhdimi i kësaj situate politike ka një ndikim negativ në ambiciet evropiane të popullit shqiptar”.Zbardhen detajet e takimit në PresidencëTryeza, Berisha e Patozi përballë Ramës dhe RuçitPas akuzave dhe replikave në distancë për më shumë se shtatë muaj, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të ulen sot për herë të parë përballë njëri-tjetrit nën ndërmjetësimin e Presidentit Bamir Topi. Në orën 11:00 pritet të fillojë në selinë e Presidencës, takimi që do të vërë përballë njëra-tjetrës dy forcat më të mëdha në vend. Burime nga selia rozë bënë të ditur për gazetën se vetëm gjatë pasdites së djeshme, kryetari i opozitës, Edi Rama konfirmoi emrin e Gramoz Ruçit, kryetari i Asamblesë Kombëtare në Partinë Socialiste, si bashkëpunëtorin e tij në tryezën e thirrur nga kreu i shtetit. Nga ana tjetër prej disa ditësh, kryeministri Berisha ka konfirmuar se do të jetë në këto bisedime së bashku me nënkryetarin, njëherësh edhe kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Burime pranë organizatorëve të tryezës bëjnë të ditur se edhe Patozi e Ruçi do të jenë në të njëjtën tavolinë me krerët e partive të tyre. Mësohet se takimi do të zhvillohet në sallën ku mbahen zakonisht mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Bisedimet pritet të nisin duke iu referuar rezolutës së miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pak javë më parë. Dokumenti i Strasburgut bën thirrje për hetimin e zgjedhjeve përmes një komisioni hetimor, që duhet ngritur me urgjencë nga maxhoranca, ndërkohë që opozitës i kërkohet që t’i japë fund bojkotit dhe të rikthehet në Parlament. Përsa i përket pjesëmarrjes së mediave, tryeza e ditës së sotme pritet të jetë e blinduar. Zyra e shtypit e Presidencës shpërndau dje një njoftim, ku bëhet e ditur mbledhja e ditës së sotme në orën 11:00, ndërkohë që u kërkohet operatorëve të paraqiten 15 minuta përpara në selinë e kreut të shtetit. Mësohet se mediat do të kenë mundësi të filmojnë vetëm disa plane në fillim të bisedimeve dhe më pas punimet do të vazhdojnë me dyer të mbyllura. Një tjetër detaj është ai se nga cila derë do të hyjnë Kryeministri Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Nëse do të zbatohet me përpikmëri protokolli i Shtetit, kreu i Qeverisë duhet të hyjë nga dera qendrore e Presidencës përballë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa kreu i opozitës nga dera dytësore, e cila e ka drejtimin nga zona e ish-bllokut. Por burimet bëjnë të ditur se Kryeministri dhe kreu i PS-së mund të hyjnë nga e njëjta derë, që pritet të jetë ajo qendrore, nga e cila hyn çdo ditë edhe kreu i shtetit. PPE, Daul: PS të njohë zgjedhjet Kreu i grupit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul, në deklaratë për median theksoi se “Partia Socialiste në Shqipëri duhet të njohë zgjedhjet dhe se kërkesa për hapjen e kutive tashmë është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor”. “Mendoj se Partia Socialiste duhet të respektojë vendimin e gjykatës. Kërkesa për hapjen e kutive është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor. Parlamenti Evropian ka hartuar rezolutë, ku është shprehur kundër bojkotit”, theksoi Daul. Në lidhje me kërkesën për hapjen e kutive të votimit ka reaguar edhe koordinatori i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, Elmar Brok, duke theksuar se në zgjedhjet e 28 qershorit nuk ka pasur ndonjë manipulim. “Në zgjedhjet e qershorit në Shqipëri nuk kishte manipulim, ndaj PS të respektojë rezolutën e PE-së. Raportet e ndërkombëtarëve kanë bërë të ditur se në zgjedhjet e 28 qershorit nuk ka pasur manipulime”, tha Brok. Ndërsa Daul theksoi se “opozita shqiptare duhet të punojnë së bashku me Qeverinë në rrugën e reformave ekonomike dhe sociale për të sjellë Shqipërinë, për të përmbushur kriteret e anëtarësimit të Bashkimit Evropian”.“Evropianët keqinformohen nga Berisha e Topalli”Deputetja socialiste Mimi Kodheli i është përgjigjur deklaratave të përfaqësuesve të lartë evropianë. “Jemi të keqardhur që zoti Daul është i keqinformuar nga znj.Topalli, ashtu sikurse është i keqinformuar dhe kryeministri Berluskoni nga z.Berisha. Ne duam pikërisht transparencën që bën Evropa në raste si i yni, atë që bëri edhe Berluskoni në Itali, duke hapur shumë kuti për të verifikuar ligjshmërinë e procesit zgjedhor. Kërkesa jonë për transparencë nuk ka të bëjë me vendimin e gjykatës për mandatet. Ndërkaq e drejta jonë për hetimin e zgjedhjeve është kushtetuese”, u shpreh Kodheli. Në emër të Partisë Socialiste, Kodheli tha se deputetët e saj do të kthehen në Kuvend sapo të garantohet transparenca e zgjedhjeve. Opozita: Hapja e kutive, e panegociueshmeAristir LumeziOpozitarët kanë dalë me një kërkesë nga tryeza e tyre; Të hapen kutitë ose nisin protestat. Dje pasdite, në 17:30 kryetari socialist mblodhi tryezën opozitare, e cila ishte anuluar disa herë, ku vendosi se çfarë do të kërkojë në tryezën e sotme të Presidentit Topi. Burime brenda mbledhjes së opozitarëve pohuan dje se Rama shkon në tryezën e Presidentit vetëm me një kërkesë, hapjen e kutive, si kusht i panegociueshëm me maxhorancën, ndryshe do të nisin protestat e radhës për të cilat krerët e partive opozitare janë shprehur të gatshëm. Rama nuk ka pasur ndonjë dokument për të konsultuar me aleatët e tij, me të cilët ka zhvilluar protestat e nëntorit dhe të dhjetorit, pasi është shprehur i qartë dhe i sigurt në kërkesën e vetme të tij dhe të PS-së. Gjithashtu në tryezë u diskutuan dhe opsione që, sipas opozitarëve, vijnë nga maxhoranca për pranim nga ana e kryeministrit Berisha të zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë pikë, opozitarët kanë qenë dakord që zgjedhje të parakohshme mund të ketë vetëm me një qeveri teknike, pa Sali Berishën kryeministër. Mbledhja e kryetarëve të partive opozitare ka zgjatur rreth një orë e më pas Rama është larguar për të zhvilluar një takim me një pjesë të anëtarëve të kryesisë socialiste. Mësohet se në orën 19:00 në selinë rozë, Rama ka takuar e biseduar me disa deputetë, shumica anëtarë kryesie me të cilët ka diskutuar rreth takimit që ai do të zhvillojë sot me kryeministrin Berisha në Presidencë. Dita e djeshme ka qenë shumë e ngjeshur me takime të kryetarit socialist. Para takimit me ambasadorët, Rama ka zhvilluar një takim me sekretariatin e PS-së, por në asnjë nga takimet e zhvilluara nuk janë thirrur deputetët e Mendimit Ndryshe, e që kanë kërkuar dhënien fund të bojkotit, disa prej të cilëve janë sekretarë dhe anëtarë kryesie. Islami, Malaj, Blushi, Harasani, Haxhiymeri nuk kanë pasur asnjë lajmërim nga selia rozë për takimet e Ramës me deputetët dhe sekretariatin. Rama ka marrë nga juristët e PS-së, Sajmir Tahiri, Vasilika Hysi etj. një argumentim ligjor të cilin do ta paraqesë sot në presidencë, ku sqarohet pse hapja e kutive nuk shkel kushtetutën. AleatëtPas takimit me kreun socialist, aleatët e PS-së, Milo, Ngjela, Bejtaj, Ndoka, Veliaj janë shprehur të qartë në hapjen e kutive. “Kërkesa e kutive është e panegociueshme. Duhet të hapen parimisht kutitë dhe çdo kuti që do dyshohet se do jetë pjesë e këtij hetimi”, theksoi kreu i G99, Erion Veliaj. Edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo theksoi vendosmërinë e opozitës për të mos hequr dorë nga kërkesa për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, përmes hapjes së kutive të votimit. Nëse qëndrimi i maxhorancës për këtë çështje nuk ndryshon, tha Milo, atëherë Shqipëria do të rrëshqasë në një krizë më të thellë politike. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka u shpreh se kërkonte që në tryezën e Presidentit të mos negociohej për kutitë, pasi sipas tij në qarkun e Shkodrës votat janë vjedhur. Ndërsa kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se aleatët e majtë kanë marrë një vendim unanim për të mos lëshuar pe për hapjen e kutive.Tryeza e Topit, Rama takon Uidhers, Montobio dhe LohanKreu socialist takoi dje ambasadorët e huaj që po negociojnë në zgjidhjen e krizës politike në vend. Një ditë para tryezës së thirrur nga Presidenti Bamir Topi, Edi Rama takoi Ambasadorin Uithers, Lohan e Montobio. Dje paradite, larg selisë rozë dhe larg pranisë së medias, kreu socialist zhvilloi një takim me Ambasadorin amerikan John Uidhërs në ambientet e hotel “Sheraton” në Tiranë. Pas takimit që ka zgjatur më shumë se një orë, Rama dhe Uidhërs kanë qëndruar për drekë në restorantin e hotelit, por nuk kanë bërë asnjë koment apo deklaratë për mediat. Pak para takimit me ambasadorin Uidhërs, Rama është takuar dhe me Ambasadorin spanjoll, Manuel Montobio si dhe ambasadorin e KE-së Helmut Lohan. Dy ambasadorët po ndërmjetësojnë për zgjidhjen e krizës politike. Pak ditë më parë, ata zhvilluan një takim dhe me Presidentin Topi, ndërsa në deklarimet e tyre publike kanë mbështetur fuqishëm rolin e Presidentit si ndërmjetës dhe i kanë bërë thirrje partive politike të gjejnë një zgjidhje për krizën. Takimet me ambasadorët vijnë një ditë pas vizitës dy ditore që kryesocialisti Rama bëri në Strasburg dhe ku zyrtarë të lartë theksuan nevojën e zgjidhjes së krizës dhe transparencës së plotë të zgjedhjeve.Jagland: E mirëpres iniciativën e Presidentit TopiKiE: Tryeza, një mundësi për t’i dhënë fund krizës politike Këshilli i Evropës përshëndet tryezën e iniciuar nga Presidenti Bamir Topi, duke shpresuar se një gjë e tillë do t’i japë fund krizës politike. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland e ka komentuar në këtë mënyrë takimin që do të mbahet sot mes dy liderëve kryesore të politikës shqiptare, Berisha dhe Rama në tryezën e Presidentit Topi. “E mirëpres iniciativën e Presidentit Topi për të organizuar një tryezë të rrumbullakët me liderët e partive politike Shqiptare më 13 shkurt, në përgjigje të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Iniciativa sjell një mundësi të rëndësishme për t’i dhënë fund krizës politike dhe për të përparuar me reformat e vendit dhe me axhendën e Integrimit Evropian”, deklaron Jagland. Asambleja e Këshillit të Evropës me anë të rezolutës së saj, të miratuar më 19 janar të këtij viti, insistuan që Presidenti Topi të luajë rolin negociator në zgjidhjen e kësaj krize politike, të krijuar pas votimeve të 28 qershorit. Pikërisht në këtë rezolutë i është kërkuar kreut të shtetit të marrë rolin e negociatorit mes PD-së dhe PS-së. Ndërsa më 22 shkurt në Tiranë do të mbërrijë delegacioni i KiE, që kryesohet nga Jaakko Laakso dhe Devid Wilshire. Delegacioni do të njihet më nga afër për mënyrën e zbatimit të rezolutës së miratuar nga Asambleja e Këshillit të Evropës mbi situatën politike në Shqipëri.