Shkurtimi i 1600 mësuesve,përplasje mash-sindikata
Janë rreth 1600 mësues, të cilët muajin që vjen pritet të humbasin vendin e punës, pasi janë me kontrata të përkohshme. Vendimi është marrë disa ditë më parë nga Qeveria me propozim të Ministrisë së Arsimit. Por konfederata e sindikatave i konsideron largimet nga puna si selektive e jo mbi bazën e kritereve profesionale. “Largimet nga puna shpesh janë bërë jo me kritere profesionale, por janë hequr kryesisht ata që mendojnë ndryshe, ose ata që ngrenë krye duke qenë anëtarë të konfederatës. Gjithashtu ka fonde të limituara për buxhetin, pasi Qeveria është në krizë dhe nuk e pranon. Ky është një element i hapur i krizës, që ka prekur jo vetëm sektorin privat por edhe atë publik”, ka deklaruar kryetari i konfederatës së sindikatave, Kolë Nikolla. Por Ministria e Arsimit kundërshton këtë logjikë, duke dhënë të tjera argumente për shkurtimet e pritshme. “Në janar Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore, bëri një studim të detajuar të respektimit të normave mësimore dhe rezultoi se kishte kapacitete të pashfrytëzuara, nëndrejtor më shumë se norma, 400 në rang vendi. Kishte shkolla shumë të vogla me shumë mësues, kishte gjithashtu shkolla ku mësuesit ishin me ngarkesën më të ulët nga sa parashikohet”, u shpreh dje ministri Tafaj. Ai disa ditë më parë ka bërë me dije gjithashtu se pritet që të bëhet një rigrupim i shkollave në të gjithë vendin. Një pjesë e tyre në zonat rurale do të mbyllen, pasi kanë numër të kufizuar nxënësish çka sjell një kosto të lartë dhe të paefektshme, jo vetëm për buxhetin por edhe për cilësinë në arsim. “Specialistët tanë kanë vërejtur, duke iu referuar Maturës Shtetërore, se kemi rezultate disa herë më të ulëta sa më të vogla janë shkollat. Ky problem është hasur kryesisht në zonat rurale. Ndaj po konsultohemi për të bërë një rigrupim të tyre, në mënyrë që nga njëra anë të kemi cilësi më të mirë në arsim dhe nga ana tjetër të mos shkojnë fondet kot. Paraprakisht është propozuar që të mos ketë më shkolla me më pak se 200 nxënës, por gjithçka do të vendoset në vijim”, është shprehur Tafaj, gjatë konferencës për Maturën Shtetërore disa ditë më parë.