Xhani Shqerra: “Pas Sanremos kërkoj suksesin në Top Fest”
klotilda harkaLiria shpirtërore mban numrin tre. Tre trupa pa gjini dhe moshë që vërtiten në hapësirën e lirisë së tejskajshme, janë imazhi i sofistikuar i klipit të tij “Pa fund”, që sapo ka promovuar në Tiranë. Këngëtari 25-vjeçar, Xhani Shqerra nuk ka preferuar të jetë vetë imazh, ndërsa ka ilustruar zërin me silueta të ngatërruara, të shpejta, të shumëfishta njësoj si në filmin marramendës “Avatar”. Për vete ka vendosur të shfaqet në “Top fest 7”, ku konkurron me një këngë dashurie. Edhe pse jeton prej vitesh në Itali, ku e ka ndarë suksesin mes muzikës dhe modës mendon se tani është koha që ai të këndojë në skenën shqiptare. Në këtë intervistë tregon se ku do të arrijë.Sapo ke publikuar klipin “Pa fund” realizuar me producentin italian Michele Fischieti. ç’është ky titull?Pafundësi është thellësia ku secili prej nesh duhet të zhytet për të gjetur ato vlera të vërteta që na karakterizojnë, pa rënë pre e principeve që shoqëria na imponon. është kërkimi mbi vetveten dhe të vërtetën tonë. Autori i tekstit Olti Curri, i ka dhënë veshjen e duhur kësaj vije melodike. Klipi “Pa fund” vjen shqip në versionin e parë e më pas në italish “Luce”.Ajo që bën përshtypje është një konfiguracion i tre trupave lakuriq pa moshë e sex, që vallëzojnë me njëri-tjetrin. Pse ky imazh në tridimensional, ç’kuptim ka?Në këtë vallëzim të mundshëm të së përditshmes sonë, shpeshherë na duhet që jo të dyfishohemi, por trefishohemi për të përballuar vështirësitë duke mohuar vetveten… Pra treshi ka dhe një domethënie mistike.Njihesh si model, por në këtë klip nuk preferon të dalësh me imazhin tënd. Pse je fshehur?Nuk doja të vija në pah imazhin tim, por ndjenjën që kjo këngë kërkon të përcjellë. Unë thjesht e interpretoj atë ndjenjë dhe dëshiroj që secili të gjejë një pjesë të vetes.Ndërkohë konkurron për herë të parë në edicion “Top fest 7”, me një tjetër këngë. Kaq filozofike është dhe ajo?Në “Top fest 7” konkurroj me versionin shqip të këngës në frëngjisht “Chanson d’amour”. Në gjithë këto vite eksperiencë me muzikën në Europë, kam pasur kontakt me shumë artdashës shqiptarë, të cilët interesoheshin për të ditur se kur do të vija me një projekt në shqip. Por për ta bërë këtë doja të vija më i pjekur artistikisht. Pse zgjodhe “Top fest-in” për të hyrë në garë me artistë të tjerë shqiptarë?Synimi im është për të hyrë me maja të gishtave në shtëpitë e shqiptarëve, ndaj më duhej që prezantimi im i parë të bëhej në një skenë prestigjoze, ku dashuria për të bërë art është e barabartë me respektin që kanë për artin dhe artistin.Por ke një eksperiencë jo të këndshme nga festivali i Sanremos, kur pak vite më parë ishe pretendent për konkurent dhe nuk munde të klasifikoheshe. Je i zhgënjyer nga Italia?Jo aspak, çdo eksperiencë shërben nëse ke inteligjencën e duhur për ta shndërruar në pozitivitet. Ajo ka qenë një zgjidhje editoriale, jo artistike, ndaj kjo s’më ka vrarë. Di që pas kësaj eksperience m’u hapën dyer, që kapërcyen kufijtë e Italisë e me çuan artistikisht deri në Amerikën Latine.Me largimin tënd në adoleshencë drejt Milanos, u identifikove si model më shumë se si këngëtar. ç’po ndodh me modën?Kam vite që i kushtohem këngës dhe të bërit muzikë por pavarësisht përkushtimit të kohës sime në këtë fushë, imazhi im vazhdon të menaxhohet nga agjensi italiane dhe spanjolle. Tashmë si një prezantues i eventeve që kanë të bëjnë me modën apo me produkte që lidhen me imazhin. Por mund të thoja se çdo gjë ka nisur nga kënga. Për mua muzika është një mënyrë e të shprehurit të personit tim. Moda, televizioni apo forma të tjera të të bërit spektakël vetëm më kompletojnë.