Berluskoni: "Të gatshëm për të sakrifikuar për Ronaldinjon”

"Për Ronaldinjon jemi gjithmonë në radhë të parë. Në rast se ai do të dëshironte të braktiste Barcelonën, jemi të gatshëm edhe të bëjmë sakrifica". Ky është deklarimi më i fundit i presidentit të Milanit, miliarderit Silvio Berluskoni.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Barcelonës me anë të zëvendëspresidentit Soriano: "Më duket një lojë edhe për faktin se Galiani më parë ka thënë se është një gënjeshtër, që nuk dëshirojnë të blejnë Ronaldinjon". Te Barcelona rinovoi kontratën mbrojtësi 30-vjecar Huliano Beleti. Kontrata e përtëritur e brazilianit skadon më 30 qershor 2009.
Sërish në fushën e thashethemeve të merkatos, Juventusi është duke "psonisur" në Premiership, ku në objektivat e bardhezinjve qëndrojnë Gilberto Silva (Arsenal) e Heinze (Mancester Junaitid)
Për transfertën e Interit në Askoli, trajneri i zikaltërve Roberto Mancini llogarit rikuperimin e Adriano-s, Kambiaso-s dhe Maikon-it. Sulmuesi brazilian është i gatshëm të kthehet në fushë pas dëmtimit në kofshën e djathtë. Për kryesuesen e Serisë A do të mungojnë Fabio Groso, Oliver Dakurt dhe Patrik Viera, i cili ndodhet ende në Francë për rikuperim.