Berluskoni: Veronika të më kërkojë të falur
Tashmë e gjithë bota ka mësuar për procesin e divorcit të kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, me deri tani bashkëshorten, Veronika Lario. Në një prononcim një ditë më parë bashkëshortja e kryeministrit të polemikave u shpreh se nuk mund ta tolerojë më sjelljen e tij dhe është përgatitur të kërkojë divorcin. Reagimi i zonjës së kryeministrit erdhi pas kronikave rozë që tregonin ish-velinat e emisioneve të transmetuara në kanalet që zotëron Berluskoni, të cilat ishin propozuar si deputete në Parlamentin Evropian. Veç kësaj edhe pjesëmarrja e të shoqit në datëlindjen e një napolitaneje 18-vjeçare, e cila thuhet se ishte mikesha e tij. Por Berluskoni komenton se shoqërohet me vajzën, por lidhja që ka me të është miqësia me të atin e saj. Naomi Leticia, sapo ka mbushur 18 vjeçe, e kërkuar nga gazetarët rezulton prej një dite e zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Adresa e saj në “Facebook” është fshirë dhe fotoja është hequr. Babai i saj nuk jetonte më me familjen e tij prej më se një viti, ndërsa e ëma dhe vajza duket se kanë ndërruar qytet menjëherë pas hapjes së skandalit në media. Berluskoni ka deklaruar edhe ndikime politike në jetën e tij private, duke akuzuar kundërshtarët se kanë nxitur bashkëshorten e tij të arrijë në këtë konkluzion, duke i prekur privatësinë pa të drejtë. Por një nga kundërshtarët politikë të Berluskonit, Dario Franceschini i komentoi si patetike deklaratat e tij. “Kryeministri duhet të rezervojë deklaratat patetike, se opozita i paska përgatitur një komplot dhe përgatitësit e tij janë e majta”, tha ai. Kryeministri italian është zemëruar keq, madje është deklaruar edhe i fyer nga sjellja e së shoqes, e cila nuk e ka për herë të parë tentativën për të kërkuar divorcin prej kryeministrit “qejfli”. Në një prononcim për “Corriere” dhe “La Stampa” Berluskoni komenton vendimin e Larios. “Këtë herë jam unë që nuk dua të vazhdoj, sepse Veronika po ma bën këtë gjë për të tretën herë në periudhë elektorale. Kjo është vërtet shumë”, ka komentuar ai duke shtuar se “Veronika duhet të më kërkojë të falur në mënyrë publike”.