Nxënësit,probleme me tekstet alternative
Tekstet alternative u krijojnë probleme në asimilimin e lëndëve shumë prej nxënësve të shkollave 9 vjeçare. Duke iu referuar librit të kimisë, por dhe librave të tjerë të profilit shoqërorë, një pjesë e tyre tregojnë se në të jepen koncepte të ndryshme nga alternativat e tjera. Këtë fakt e pranojnë edhe mësuesit, ndonëse kanë qenë ata vetë që kanë përzgjedhur se me cilin tekst do të punohet. Ata pohojnë se jo pak herë zgjedhin tekstin e gabuar, për shkak të afatit të shkurtër që kanë në dispozicion për t’i shqyrtuar të gjitha alternativat. “Disa prej temave që trajtohen nuk kanë rrjedhë logjike me vitet e mëparshme ndërsa lënda është e mbingarkuar”, thonë nxënësit. Arsimtarët kërkojnë që në tregun e librit shkollor të mos ketë më shumë se dy tekste alternative. Ndërsa mësuesve duhet t’u jepet më shumë kohë për vlerësimin e librave shkollorë. Reforma e ALTERTEKSIT po zbatohet tashmë që prej më shumë se 3 vjetësh. Me anë të saj janë vetë mësuesit duke u konsultuar me drejtorët dhe prindërit e nxënësve, që të përzgjedhin se me cilin libër shkollor do të punojnë gjatë vitit. Për këtë proces ata kanë vetëm dy javë kohë. Nëse zgjedhja është e gabuar, mundësinë për të ndryshuar tekstin e kanë vetëm pas një viti. Por e gjithë kjo në kurriz të nxënësve dhe vetë atyre. Një lëndë mund të ketë 4 apo më shumë tekste alternative. Është Ministria e Arsimit ajo që i miraton tekstet. Këtë vit do të përshtaten libra shkollorë mbi bazën e teksteve të huaja, kryesisht në profilin shkencor.