E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshati pa urë, lumi Kir u mori jetën 7 personave

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Banorët e fshatit Bleran-Bardhaj të komunës Rrethina në Shkodër paralajmërojnë se do të bojkotojnë votimet dhe pajisjen me kartat e identitetit nëse më parë nuk do të realizohen premtimet elektorale, që u janë bërë 4 vite më parë. Problemet e infrastrukturës në këtë fshat kanë bërë që rreth 1200 banorë të saj të firmosin një peticion dhe t’ua drejtojnë atë institucioneve më të larta në Tiranë. Ata janë ankuar më parë edhe në prefekturën e qarkut Shkodër, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me kërkesat sipas tyre jetike. Një nga kërkesat e banorëve është përmirësimi i infrastrukturës rrugore. Gjithashtu, ata kërkojnë ndërtimin e një shkolle fillore, pasi fëmijët e tyre detyrohen të ecin 6 kilometra në këmbë për të mbërritur në shkollën e vetme që ka fshati Bardhaj. Një tjetër kërkesë e banorëve është ndërtimi i një ure mbi lumin Kir, si dhe moslejimi i hedhjes së inerteve në këtë lumë, të cilat janë bërë shkaktare të përmbytjeve të tokave gjatë stinës së dimrit. Mark Jakaj, njëri prej banorëve të fshatit Bleran pohoi firmosjen e peticionit dhe problemet për të cilat kërkohet zgjidhje emergjente. “Kemi firmosur peticionin dhe jemi në pritje të përgjigjes nga zyrtarët e lartë në Tiranë. Ne kërkojmë që të ngrihet një komision dhe të shikohen konkretisht kushtet në të cilat ne jetojmë, mungesën e investimeve, etj. Pra, të verifikohen kërkesa tona”, u shpreh ai. Sipas banorëve, tepër problematike është mungesa e një ure mbi lumin Kir. Ky lumë në dimër është shumë i rrezikshëm, ndërsa ata janë të detyruar të kalojnë nga njëra anë në tjetrën nëpërmjet një ure me dërrasa mjaft primitive. Mësohet se nga mungesa e një ure që lidh këto fshatra me qytetin e Shkodrës, vitet e fundit kanë humbur jetën 7 persona në ujërat e lumit Kir. Por me gjithë këtë situatë, askush nuk ka marrë masa për të parandaluar të tjera viktima. Po kështu dëmet materiale nga përmbytjet e këtij lumi janë të mëdha çdo stinë dimri dhe pranvere. Përballë një situate të tillë, 350 familje me 1200 banorë të fshatit Bleran–Bardhaj që ndodhet vetëm 2 km larg qytetit të Shkodrës kërcënojnë bojkotimin e zgjedhjeve. Dje ata nënshkruan peticionin drejtuar Kryeministrit Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli. Tashmë banorët presin që dikush të reagojë dhe të shkojë t’i shohë nga afër problemet me të cilat ata përballen çdo ditë.

Aksi Hani i Hotit pa sinjale
Rruga Shkodër-Hani i Hotit, një nga akset që lidh vendin me Evropën është pothuaj e pakalueshme. Shkak është amortizimi i saj, por edhe sinjalistika primitive. Pritja për fillimin e punimeve të superstradës është bërë shkak për neglizhimin e kësaj rruge. Nga ankesat e shumta të drejtuesve të mjeteve u realizua mbyllja e disa prej gropave, por përsëri ky aks lë për të dëshiruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›