E Diel, 1 Nëntor 2026

Sanatoriumi së shpejti brenda korpusit spitalor

 

KORÇE - Sanatoriumi i Korçës do të transferohet së shpejti në qendër spitalore. Nëse pacientët më parë sorollateshin sa në qendrën spitalore në sanatorium për të kryer EKO, radiologji, radioskopi etj., tashmë të gjitha këto veprime do t’i kryejnë në një vend. Kjo u mundësua në sajë të rikonstruksionit të plotë të ish-pavijonit të infektivit, i cili, për shkak të amortizimit kishte vite që ishte braktisur. Mësohet se ditët e fundit gjithçka është gati, pritet vetëm infrastruktura e brendshme. “Pacientët e sëmundjeve të mushkërive me transferimin e spitalit të tyre brenda korpusit qendror të qendrës spitalore do të kenë njëherazi disa përfitime. Duke qenë në një mjedis me spitalet e tjera do të krijohen mundësi që konsultat me mjekët specialistë të kryhen shumë më shpejt dhe më mirë. Përveç këtij fakti, ata do të kenë afrim me shërbimet ekzaminuese si EKO, radiologji, radioskopi, laboratorë farmaci etj”, u shpreh drejtori i spitalit rajonal të Korçës Gjergji Denasi. Sipas tij, pajisjet e instaluara brenda Urgjencës së re të qendrës spitalore janë të reja. Në godinën e re të sapo rikonstruktuar janë 31 dhoma pacientësh me nga dy shtretër, dhoma vizitash për mjekët, laboratorë dhe mjedise të tjera ndihmëse. Duke qenë brenda korpusit spitalor, sanatoriumi i ri do të përfitojë edhe nga investimi që është bërë për qendrën spitalore, ndërtimi i sistemit ngrohës. Duke vlerësuar faktin se Korça ka klimë të ashpër me verë të freskët dhe dimër të ftohtë e me reshje të shumta dëbore e shiu, është kryer një investim prej 74 milionë lekë për ndërtimin e një kaldaje dhe sistemi të ri ngrohës për krejt godinat e këtij korpusi.              j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›