E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo siguron: Gripi i derrit është ende larg Shqipërisë

 

ZIRINA LLAMBRO

“Situata është nën kontroll. Nuk kemi asnjë rast me gripin A/ H1N1, ndërkohë që nuk ka as të dyshuar”, këtë deklaratë bëri dje Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo.Komiteti i Ekspertëve u mblodh dje në mënyrë urgjente pranë përfaqësisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, për të diskutuar mbi situatën më të fundit të emergjencës të krijuar nga rreziku i gripit të derrave. Ky Komitet po shqyrton nga afër të gjithë elementët e situatës, për të parandaluar çfarëdolloj rreziku të mundshëm nga kjo sëmundje e rëndë vdekjeprurëse, e cila është kthyer në makthin e globit këtë javë. Pas takimit me përfaqësuesit e OBSH, Godo u shpreh se masat mund të ndryshojnë dhe do të lindë nevoja e krijimit të një komiteti ndërministerial, vetëm nëse virusi kalon në një fazë tjetër. “Duke rivlerësuar situatën në botë ne do të rishikojmë edhe një herë strategjinë tonë, nëse duhet të përshtasim diçka apo duhet të mbetemi në këto masa që kemi marrë deri tani” tha Godo. Ajo shtoi se e rëndësishme është gatishmëria mbi të gjitha në pikat kufitare. “Në dy ditët e fundit, pra në datat 2 dhe 3 maj, në aeroportin e Rinasit kanë mbërritur 3155 udhëtarë, nga të cilët 2198 shqiptarë dhe 957 të huaj nga Evropa dhe nga Amerika. Janë marrë në inspektim dhe nga të gjithë këta udhëtarë të mbërritur nga jashtë nuk kemi asnjë rast të dyshuar” u shpreh Ministria e Shëndetësisë. Ndërkaq drejtoresha e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, theksoi se epidemia e gripit të derrit në botë nuk është me aq pasoja të rënda sa dhe pritej, sidomos jashtë Meksikës. “Raste të dyshuara në botë ka shumë por që nuk janë konfirmuar dhe deri tani janë negative kjo vjen nga rritja e survejancës dhe vigjilencës”, u shpreh Bino. Ajo shtoi se ISHP çdo mëngjes do të paraqesë buletin e situatës në vend për gripin e derrave. Ndër masat e deritanishme të marra për situatën e gripit të derrave janë përcaktimi i rastit dhe i mënyrës së hetimit të tij, përgatitja e udhëzimeve për punonjësit e kufirit, për specialistët, spitalet. Procedurat e kontrollit dhe dezinfektimit, si dhe të masat higjieno-sanitare janë shtuar, gjithashtu theksohet se maskat nuk mbahen pa asnjë lloj indikacioni, por kur është e nevojshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ka tashmë 900 raste të konfirmuara në 18 vende dhe askush nuk duhet të ulë nivelin e gatishmërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›