Berluskoni bën gafën e radhës

Kryeministri italian Silvio Berluskoni, i njohur për gafat e tij në publik, është në qendër të kritikave në vendin fqinj, për deklaratën e tij më të fundit. Edhe pse ishte në fushatë për zgjedhjet vendore në Sardenja të dielën, Berluskonit i është kërkuar nga gazetarët një koment rreth propozimit të Ministrisë së Brendshme për shpërndarjen e trupave ushtarake në rrugët e qyteteve, pas një sërë përdhunimesh këto kohët e fundit. "Ne nuk mund të mendojmë për vendosjen e shumë trupave. Ne do të na duhej të vendosim një numër ushtarësh, aq sa ka vajza të bukura, dhe ne nuk kemi kaq shumë ushtarë", është shprehur Berluskoni në komentin e tij. Gafa më e re e Berluskonit është kritikuar gjerësisht, vecanërisht nga oponentët e tij politikë. Lideri i opozitës Valter Veltroni ka akuzuar Berluskonin për injorim të situatës mjaft serioze të ushtrimit të dhunës seksuale në rrugët e qytetit. Më vonë, kryeministri i Italisë ka dashur të korrigjojë gafën, duke deklaruar se kishte dashur të bëntë një kompliment për femrat italiane. Gratë duhen mbrojtur, pasi dhuna seksuale është një traumë që mbetet për gjithë jetën", tha Berluskoni. Një seri përdhunimesh kanë ngritur tezën e vendosjes së trupave ushtarake nëpër rrugë. Gjatë Vitit të Ri, një grua u përdhunua në Romë, ndërsa të premten një grup meshkujsh sulmuan një cift të rinjsh, duke lidhur djalin dhe përdhunuar disa herë të dashurën e tij. Kavaljeri italian, Berluskoni ka një rekord gafash në deklaratat që lëshon. E fundit ishte ajo e muajit nëntor, kur në një takim me Presidentin rus Dimitri Medvedev në Moskë, ai tha se Presidenti, atëherë i sapozgjedhur i SHBA-së Barak Obama, i kishte të gjitha cilësitë që të bashkëpunonte me kreun e Kremlinit, pasi ishte i ri, i pashëm dhe i nxirë nga dielli. Deklaratë kjo që bëri të hapeshin shumë polemika.