Obama: Direktiva për emetimin e gazit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama ka filluar ndryshimin e politikave të administratës Bush, duke hapur rrugën për rregulla të reja për prodhuesit e makinave në mënyrë që të nxjerrin në treg makina që ndotin më pak ambjentin. Obama ka nxjerrë direktiva për Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit që i kërkojnë kësaj të fundit reduktimin e efektit serrë dhe emetimeve të gazit nga ana e automjeteve në mjedise të hapura, si dhe urdhëroi Departamentin e Transporteve që të përkrahë ekonominë e makinave për arritjen e standarteve deri në vitin 2011. "Politika e administratës time do të jetë ajo e heqjes së varësisë tonë për lëndët e djegshme që vijnë nga jashtë dhe krijimin e një ekonomie të re energjitike që do të krijojë miliona vende pune. Ne duhet të garantojmë se makinat eficente të së ardhmes të ndërtohen këtu në SHBA. Rritja e eficencës së makinave tona dhe kamionëve është një nga hapat më të rëndësishëm që ne mund të marrim për të mbyllur ciklin e varësisë tonë për lëndët e djegshme që vijnë nga jashtë", ka deklaruar Obama në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Obama gjithashtu ka urdhëruar Agjencinë amerikane të Mbrojtjes së Mjedisit që të rishikojë kërkesën e shtetit të Kalifornisë për rregullimin e emetimeve të gazit nga makinat, në ndryshim nga politikat e ish-Presidentit Xhorxh Bush. Kërkesat e Kalifornisë, që kundërshtoheshin nga administrata e Bushit, do t'i lejonin këtij shteti vendosjen e limiteve strikte mbi emetimet e dioksidit të karbonit, që janë shkaktare për ngrohjen globale. Nëse kjo kërkesë do të aprovohet, më shumë se 12 shtete do t'iu nënshtroheshin limiteve të reja për emetimet e gazrave në ambjent.