E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni, bën gafën e radhës

Kryeministri italian Silvio Berluskoni është vënë sërish në qendër të vëmendjes për sjelljet e tij të pazakonta. Kryeministri italian ka mbërritur në Baden Baden, por para se të drejtohej për t'u takuar me mikpritësen, kancelaren gjermane Angela Merkel, është drejtuar nga bregu i lumit Rehn për të kryer një telefonatë. Që në momentin që ka mbërritur, Berluskoni ka dalë nga makina duke folur në telefon, duke e lënë të presë Merkelin, e cila vazhdoi më pas të priste miqtë e tjerë. Merkel është shfaqur disi e habitur, por ka vazhduar normalisht ceremoninë mikpritëse. Mes liderëve drejtues të vendeve anëtare të NATO-s ishte edhe kryeministri i Danimarkës Anders Fogh Rasmussen dhe Sekretari aktual i Aleancës së Atlantikut të Veriut Jap de Hop Shefer. Kohë pas kohe, kancelarja gjermane Merkel drejtonte shikimin nga kryeministri Berluskoni, i cili ndërkohë vazhdonte me telefonatën e tij të cuditshme. Berluskoni vazhdonte me telefonatën anës lumit Rehn, duke i kthyer kurrizin pjesës tjetër të grupit, si dhe vetë kancelares gjermane Angela Merkel. Ndërsa në mbërritje të kryeministrit britanik Gordon Braun, Merkel vizualisht ka komentuar me homologun e saj, sjelljen e padenjë të Berluskonit, duke shprehur një kundërshtim të qartë. Merkel i ka treguar me gisht kryeministrit Braun, Silvio Berluskonin dhe ka hapur krahët në shenjë habie. Pastaj, pasi kishin kaluar të gjithë të ftuarit, Merkel ka vendosur të largohet, duke e lënë Berluskonin të vetëm në breg të lumit dhe duke vazhduar bisedën e tij të stërgjatur telefonike. Por menjëherë në lidhje me këtë gjest të Berluskonit ka reaguar zyrtarisht edhe qeveria italiane, duke shpjeguar gjithcka. Burime qeveritare kanë njoftuar se Berluskoni po fliste në telefon me kryeministrin turk Erdogan, duke tentuar të zgjidhë cështjen e emërimit të danezit Rasmusen si Sekretar i Përgjitshëm i NATO-s. Menjëherë pas bisedës telefonike, Berluskoni i është bashkuar grupit të liderëve të NATO-s, në veremoninë mbi lumen Rehn.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›