E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini: Më pëlqen filozofia e lojës së Barçës

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, në prag të finales së Champions League, më 27 maj në Romë, vlerëson filozofinë e Barcelonës. I ftuar nga e përditshmja sportive spanjolle "El Mundo", Platini ka nënvizuar se, "Barcelona përfaqëson filozofinë time për futbollin, jo vetëm për stilin e lojës, por dhe si ajo formon talentet e saj. Unë besoj në idenë se futbollistët deri në moshën 18-vjeçare duhet të mbrohen, jo për arsye ekonomike sesa për ato morale", theksoi Platini. Presidenti i UEFA-s ka pohuar dashurinë e tij për stilin e futbollit të Barcelonës, qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e tij. "Barcelona përfaqëson idealet e futbollit spanjoll, që mbështetet te teknika, të luajturit me një stil loje tërheqës dhe të hapur. Kjo është ajo që më ka pëlqyer gjithnjë në futboll". Duke u ndalur te disa nga yjet e skuadrës katalanase, Platini nënvizoi: "Ksavi, Inesta Eto, Henri, janë futbollistë shumë të mirë. Ndërsa për duelin Mesi-Ronaldo mund të them se Leo është më lart. Ai ka pasur një vit të jashtëzakonshëm, jo vetëm për golat e shënuar, por dhe punën që ka bërë për skuadrën".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›