Berluskoni bllokon fotot e vilës, reporteri nën akuza
Pas qarkullimit për rreth një muaj të debatit politik për sjelljen e Kryeministrit italian, Berluskoni-Lario-Noemi përfundoi në prokurori. Por vëmendjen e hetuesve për momentin nuk e kanë marrë deklaratat inkriminuese të bashkëshortes së Kryeministrit, Verenika Lario, se, “bashkëshorti im shkon me minorene”, por fotot “e vjedhura” nga vila “Certosa”, kundër publikimit të të cilave Silvio Berluskoni ka paditur shkeljen e privatësisë. Hetuesit në Romë kanë sekuestruar qindra foto nga Antonello Zappedu, një fotoreporter i “Olbia”, i cili ka arritur të kapë nën objektiv dhjetëra vajza (edhe në topless), përfshirë të shumëpërfolurën Noemi Letizia, gjatë festës së fundvitit në rezidencën e Kryeministrit në Sardenja. Në këtë festë ishte i ftuar edhe ish-kryeministri çek, Mirek Topolanek. Përveç sekuestrimit të mbi 700 fotove, hetuesit kanë ngritur akuza kundër fotografit mbi krimin e shkeljes së privatësisë dhe tentativë mashtrimi. Sipas agjencisë “Ansa”, Avokati i kryeministrit, Nicolò Ghedini, ka dërguar disa e-maile në prokurori ku ka ndërtuar skemën e akuzës: Zappadu i kishte propozuar blerjen e fotove revistës “Panorama” në Itali për një shumë rreth 1,5 milionë euro, duke i shkruar propozimin një gazetari të “Mondadori”, pronë e familjes Berluskoni, ku i thoshte se kishte një ofertë paralele nga revista konkurruese “Gente”, që sipas hetuesve tani për tani është e pavërtetë, duke ngritur akuzën për mashtrim. Fotot janë marrë nga një tarracë me teleobjektivë mjaft të fuqishëm drejtuar mbi vilën “Certosa”. Por edhe në aeroportin në Olbia, nga ku kanë udhëtuar vajzat e ftuara nga Kryeministri me avion privat. Por ajo që të bën përshtypje është se frazat e prononcuara nga Lario kundër Berluskonit mbi marrëdhënie me të mitura nuk janë përmendur fare. Prokuroria e Romës komentoi se kjo bazohet mbi disa “e-mail anonime që i referohen artikujve të disa gazetave që flasin mbi Veronika Larion, të cilat, si anonime, nuk merren parasysh”. Shumica në Itali është e kënaqur me vendimin deri tani ndërsa opozita e quan degradues faktin që flitet për vilën e Berluskonit. “Askush nuk mund të pranojë që nga jashtë shtëpisë të të vijë një fotograf e të fotografojë atë që ndodh brenda. Kam mundur t’i shoh ato foto dhe ishin kaq të kota, sa një gazetë si “Mondadori” nuk mund të paguante as 10 mijë euro për to. Foto të marra kundër çdo privatësie, që është liria themelore në të drejtat e lirisë”, ka deklaruar dje Berluskoni në Bari.