E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja: Në ushtri jo me forcë

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata Kushtetuese pranon si antikushtetues mobilizimin me forcë të të rinjve për të kryer shërbimin ushtarak. Me vendimin më të fundit, shpallur pak ditë më parë, ky institucion ka pohuar se neni 36/1 i ligjit 9487, datë 6 mars 2006, “Për shtesa e ndryshime në ligjin për shërbimin ushtarak”, bie ndesh me frymën dhe parimet e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe me nenet 17/2, 27/2 dhe 37 të Kushtetutës. Bëhet fjalë pikërisht për paragrafin e parë të këtij neni, i cili thotë: “Organet e Policisë së Shtetit në Qarqe, detyrohen të shoqërojnë nëpër qendrat e Rekrutim-Mobilizimit të Qarkut shtetasit, të cilët janë thirrur për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, sipas listë-thirrjeve të dërguara nga QRM, dhe që nuk janë paraqitur në qendrën e Rekrutim-Mobilizimit. Ministri i Mbrojtjes dhe Ministri i Brendshëm nxjerrin udhëzim të përbashkët për zbatimin e këtij neni”. Kërkesën për Kushtetueshmërinë e këtij paragrafi të ligjit për shërbimin ushtarak e ka paraqitur në Kushtetuese Gjykata e Shkodrës. Në këtë institucion, rreth një vit më parë kishte mbërritur për shqyrtim një çështje penale që kishte të bënte me përplasjen mes forcave të rendit me babanë e dy të rinjve që ishin mobilizuar forcërisht prej policisë. Gjykata e Shkodrës e ka pezulluar gjykimin ndaj babait të akuzuar për “kundërshtim të punonjësve të policisë”, me argumentin se ky procedim ishte i lidhur me atë të rekrutimit forcërisht të dy djemve të tij, veprime policore që binin ndesh me Kushtetutën dhe të Drejtat e Njeriut. Kushtetuesja e ka pranuar si të drejtë argumentimin që Gjykata e Shkodrës i ka bërë kërkesës, ku pohon se: “sipas paragrafit 2 të nenit 17/2 të Kushtetutës, kufizimi i lirisë dhe i të drejtave për interes publik nuk mund të cenojë thelbin e tyre dhe, në asnjë rast, nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Mënyra se si është formuluar neni 36/1 i ligjit për shërbimin ushtarak u le dorë të lirë organeve të policisë të ushtrojnë kontrolle banese në çdo kohë dhe të shoqërojnë rekrutët dhe familjarët e tyre, duke i mbajtur në komisariate pa kufizim. Kjo dispozitë është një tejkalim i kufizimeve të parashikuara në Kushtetutë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi i hap rrugë arbitraritetit të organeve policore”. Po ndryshe nga kjo Gjykata Kushtetuese, është shprehur për vazhdimin e procedimit penal ndaj babait të dy rekrutëve, i cili ka konsumuar një vepër penale, kundër punonjësve të policisë gjatë kryerjes së detyrës, çka nuk justifikohet nga pikëpamja ligjore. Kështu sipas Gjykatës Kushtetuese, ai duhet të përgjigjet për këtë kundërshtimin e policëve, akuzë e cila ka mbështetje në legjislacionin penal shqiptar.

Babai i rekrutëve kundërshtoi policinë
TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë, si palë e interesuar në këtë gjykim, ka pretenduar se duhet të ekzistojë lidhje e drejtpërdrejtë mes ligjit për rekrutim mobilizimin, objekt kërkese, dhe zgjidhjes së çështjes së kundërshtimit të policëve. “Në rastin konkret, Gjykata nuk pengohej nga verifikimi i kushtetutshmërisë së ligjit të rekrutimit, për të zgjidhur me themel çështjen, pasi kontrolli kushtetues i dispozitës së ligjit, objekt i kërkesës, nuk do të ndikonte në “fatin” e procedimit penal, sepse kundërshtimi i punonjësit të policisë gjatë përmbushjes së detyrës së tij në bazë të një ligji, nuk mund të legjitimohet si veprim i justifikueshëm nga pikëpamja ligjore. Kundërshtimi që i ka bërë i pandehuri policisë, do të kishte justifikim vetëm në raste kur policia vepron në kundërshtim me ligjin në fuqi”, ka argumentuar në Kushtetuese përfaqësuesi i Kuvendit, mendim me të cilin ka qenë dakord edhe Kushtetuesja. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›