E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja Presidenciale:Jeta jonë larg syve të njerëzve

 

Për to ai nuk është njeriu i parë i vendit. Është bashkëshorti dhe babai, njeriu me të cilin ndajnë shqetësimet, debatojnë për shkollën, pushimet, por edhe për çështje më madhore. Dje, familja presidenciale shqiptare ishte e ftuar në spektaklin “E diela shqiptare”, drejtuar nga show men-i Ardit Gjebrea, në Tv Klan. Përpara një publiku në skenë dhe një spektatori të gjerë të ekranit, Presidenti i Republikës Bamir Topi, së bashku me bashkëshorten e tij Teutën dhe dy vajzat Nadën dhe Etidën, rrëfyen jetën e tyre përtej kamerave. Një rrëfim i sinqertë, ku të katërt iu përgjigjën pyetjeve të Gjebresë pa dorashka dhe pa pasur nevojë të impostohen në pozicionin e njerëzve më të rëndësishëm në vend. Folën për marrëdhëniet mes tyre, debatet, për ushqimin e preferuar, pushimet dhe mënyrën që çdonjëri prej tyre po përjeton të qenit në qendër të vëmendjes, si pjesë e familjes numër një në Shqipëri. Përmes rrëfimeve të vajzave dhe bashkëshortes, por edhe Flamur Topit, vëllait, u ravijëzua më qartë figura e presidentit si njeri, si qytetar i Tiranës, por edhe si bashkëshort e si baba. Përmes kujtimeve të së vëllait, vjen figura e Bamir Topit fëmijë, qysh aso kohe, kur ngjitej nëpër pemë, rrinte gjithë ditën majë biçikletës. I vëllai e përkufizon si një fëmijë çamarrok, por edhe me një inteligjencë të jashtëzakonshme, të cilit nuk i duheshin më shumë se 2-3 orë mbi libra, për të arritur rezultate të shkëlqyera në mësime. Apo për pasionin për futbollin, të cilin nuk e ka braktisur as sot. “E ka dashur shumë futbollin, madje mund të them se ishte talent. Kishte të dhëna fizike shumë të mira për moshën dhe nëse do të ishte marrë me futboll, do ishte një nga talentet e spikatura të “Tironës” dhe futbollit kombëtar”, - tregon Flamur Topi, në një bisedë të regjistruar. Më tej vetë Bamir Topi rrëfen për studimet për veterinari. “Nuk ishte dega që unë preferoja, por në një familje ku dy fëmijë janë me shkollë të lartë, një i tretë nuk mund të jetë. Ishte një rregull absurd që doli atëherë. Vetëm për hir të mesatares së lartë, munda të marr një bursë studimi për veterinari”, -tregon Topi. Por tanimë që kanë kaluar shumë vite ai thotë se edhe sikur koha të kthehej pas do të kishte dashur të vazhdonte të njëjtën shkollë, të cilën e thelloi edhe më tej me studimet pasuniversitare në Romë e në Torino, me doktoraturë, me kërkime shkencore dhe titullin profesor në vitin 1995. “E quaj me fat që u përfshiva në një staf italo-amerikan, me të cilët bëmë kërkime shumë të rëndësishme, tepër të avancuara, të cilat as sot nuk vihen në jetë në Shqipëri. Atëherë studionim se si të luftonim qysh në fazat e hershme kancerin e mëlçisë”, thotë ai. Më tej, vijoi angazhimi i tij në politikë dhe pozicioni i presidentit të republikës, ku i duhet të ruajë ekuilibrat politikë. Ekuilibra këto, që siç thotë vetë, duket se i ka dhunti t’i mbajë. Por kjo duket edhe në bisedën në studio, ku duket më tolerant se bashkëshortja e tij Teuta, në çështje që lidhen me rininë, apo komunikimin me fëmijët. “Vajzat e kohës sime kanë qenë më të thjeshta, më të ndrojtura. Merrnin pjesë më shumë në aktivitete shoqërore, sportive, jo si të rinjtë e sotëm, të cilët një pjesë të madhe të kohës e kalojnë në kafene”, - thotë Teuta Topi, kur Gjebrea e pyet për vajzat e brezit të saj. “Më lejo të bëj një ndërhyrje ekuilibruese. Di që shumë të rinj i janë përkushtuar shumë studimit, madje krahas impenjimit të shkollës, mësojnë gjuhë të huaja, njohin shumë mirë kompjuterin. Ka nxënës shumë të mirë dhe relativisht të mirë. Dhe nuk doja të thoja që të rinjtë kanë të njëjtën prerje. Ndoshta Teuta u ndal tek pjesa negative, tek shpenzimi pafund i kohës në kafene, sepse është koha më e bukur, më impenjative, ku formohet njeriu, ku projektohet e ardhmja dhe sa më shumë të merren sot me studim, aq më të lehtë do ta kenë karrierën e tyre nesër. Por jam bindur që të rinjtë kanë nevojë të shkojnë në kafene, por çështja është që gjithçka të bëhet në masën e duhur. Teuta është më shumë kritikuese, ndërsa unë më ekuilibrues”, - thotë Bamir Topi.
Dy vajzat e presidentit, njëra në prag të diplomimit e tjetra maturante, duket se janë mbështetëset më të forta të tij, sidomos Nada, e cila përfundon studimet për drejtësi. Ato nuk e fshehin që në fillim nuk ishin edhe aq dakord me kandidimin e të atit për president, por më pas e kanë mbështetur atë. “Për një farë kohe ishim kundër, duke menduar për të dyja palët. Duke menduar që jeta presidenciale do të ishte ndryshe nga ajo që bënim, na frikësonte disi jeta e re që na priste. Por më tej, duke qenë se unë vazhdoj studimet për drejtësi në vitin e fundit, mendova se posti i presidentit ka shumë kompetenca që më interesonin dhe më pëlqente të shihja babain tim në këtë pozicion. Dhe qysh atëherë e kam mbështetur vazhdimisht”, - thotë Nada. Ato pranojnë se edhe pse jeta e tyre nuk mund të jetë si më parë, ato vijojnë të “mbrojnë” sa të mundin lirinë e tyre, larg truprojave e paparacëve. Me gjithë impenjimet e prindërve, mundohen t’u vjedhin atyre sa më shumë kohë e sigurisht nuk mungojnë debatet për shkollën, për pushimet, që vajzat thonë se preferojnë në plazh “kurse babi, ka dëshirë të lëvizë në qytete të ndryshme, të shohë sa më shumë”. Por ato duket se janë vajza me fat, jo sepse janë bijat e presidentit, por sepse mendimi i tyre dëgjohet, madje, jo thjesht për mënyrën se si do të kalojnë pushimet. “Nuk ka gjë më të rëndësishme të marrësh në konsideratë fëmijën tënd, kur është në prag të diplomimit dhe asnjëherë konsulta nuk është thjesht në rrafshin profesional. Konsulta ka brenda profesionin, por edhe solidaritetin në mënyrë intuitive. Dhe ky solidaritet, mos kujtoni se vjen më shumë nga të tjerët. Kështu që kur e kam quajtur të nevojshme e kam marrë mendimin e tyre”, - rrëfen Bamir Topi, për “E diela shqiptare”.

Vajzat pa truprojë
Femrat që rrethojnë Presidentin e Republikës, Bamir Topi, gruaja dhe dy vajzat e tij, kanë preferuar të mos kenë truprojë. “Jo nuk kemi truprojë. Ka qenë një zgjedhje jona. Familjarisht kemi zgjedhur të jemi më të lira dhe ta bëjmë jetën si më parë”, - thotë vajza e madhe, Nada. Në momentin që do kishin pranuar një truprojë, ato do të hiqnin dorë nga të qenit si gjithë të tjerët, gjë që ato nuk e dëshironin. Por gjithsesi nuk mund t’i shpëtojnë dot ndjekjeve të paparacëve. “Është normale që të qenit vajza e presidentit, nuk i shpëton dot këtyre gjërave. Ka pasur momente që kanë qenë të bezdisshme, por jo të tepruara”, - thotë e vogla, Etida.

Mall për gatimet e nënës
Bashkëshortja e Presidentit, Teuta Topi, rrëfen se bashkëshortit i pëlqen kryesisht kuzhina tradicionale shqiptare, por edhe ajo italiane. Vetë Bamir Topi e lëvdon dorën e gruas, por sipas tij, ajo nuk e arrin mjeshtërinë e nënës. “Kujtoj disa gjellë shumë të dashura që gatuheshin nga nëna ime dhe Teuta mundohet t’i shkojë afër. Disa gjëra i bën shumë të mira, disa nuk i bën kurrsesi dhe kjo vlen për gjellët që gatuan nëna ime, por edhe vjehrra ime. Kështu që nuk duhet t’i vijë keq, sikurse gatuan shumë mirë disa asortimente, që quhen moderne sot”, - thotë Bamir Topi.

Shofer i shpejtësisë

Duket se me shpejtësinë, shoferi Bamir Topi, nuk i ka marrëdhëniet edhe aq të mira. “Ne pasagjerët ndihemi shumë keq, me shofer Bamirin, sepse është nga ata shoferët që e ka këmbën e rëndë”, - thotë Teuta. Ndërsa të bijat, si më të reja, ndihen mirë, kur në timon është i ati. Vetë Topi e pranon se e shkel ndonjëherë me shpejtësinë, por prej kohës që është zgjedhur president, nuk e ka më këtë mundësi.

Nostalgjia për Tironën e vjetër

Bamir Topi është një tirons i vjetër dhe këtë nuk mund të mos e tregonte edhe tek “E diela shqiptare”, si i ftuar i Ardit Gjebresë. Ai i dhuroi moderatorit të spektaklit një foto bardhë e zi, të vitit 1939. “Është Rruga e Kavajës. Ka qenë shumë e bukur, me kumbulla të kuqe, madje edhe më e bukur se sot. Në 70 vite, Tirana nga një qytet me 30 mijë banorë, po shkon në 1 milion. Janë bërë shumë ndërtime, por ajo për të cilën ndjej keqardhje është dëmtimi i mjedisit. Tirana të ofronte gjithçka, hapësira pa fund, gjelbërim dhe pa dashur të kritikoj, por në pozicionin e një njeriu që ka lindur e rritur dhe ka ndjekur të gjitha zhvillimet e qytetit. E papranueshme është që në 70 vjet, teksa janë bërë shumë ndërtime, nuk është bërë një rrugë e re”, - thotë Topi, duke bërë thirrje, që institucionet vendimmarrëse qendrore e lokale, të bien në një mendje për të ndërtuar unazën e madhe të Tiranës, që sipas tij “fatkeqësisht miratuar nga qeveriakomuniste në vitin 1989”. “Bëhuni bashkë, se Tiranës i duhet jo vetëm një unazë e madhe por tre, sepse qyteti rritet dhe njerëzit duan ta shijojnë atë në të gjitha dimensionet e veta, me rrugët, ndërtimet, parqet dhe zonat rurale”, - tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›