Zogaj, fshati i braktisur nga turistët
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Fshati turistik Zogaj është thuajse i izoluar dhe i veçuar jo vetëm nga Shkodra, por edhe nga pjesa tjetër e vendit. Ndonëse në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2007, ky fshat kaloi në administrimin e Bashkisë së Shkodrës, sërish gjendja mbeti e njëjtë. Banorët e këtij fshati buzë liqenit menduan se duke qenë pjesë e Bashkisë së Shkodrës, disa nga shqetësimet e tyre, që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe informimin do të merrnin fund. Por as kësaj radhe këto shqetësime nuk gjetën zgjidhje, duke pritur që të kalojnë sërish në fokus të premtimeve të zgjedhjeve të qershorit. Zogaj ndodhet në rrëzë të malit të Taraboshit, 7 km larg qytetit të Shkodrës. Kjo zonë ka një rrugë tejet të ngushtë, e cila është kthyer në makth për banorët, por edhe për turistët e orientuar për të vizituar fshatin turistik. Banorët pohojnë se veç infrastrukturës, një tjetër shqetësim mbetet mungesa e sinjalit për televizionet shqiptare. Mundësia e vetme e tyre për t’u informuar janë kanalet malazeze. Deri në fillim të 1990-ës, kjo zonë është njohur si fshati turistik i Zogajve. Pas ‘90-ës fshati Zogaj së bashku me Shirokën u bënë pjesë administrative e komunës Rrethina, ndërsa në zgjedhjet e 2007-ës iu bashkuan qytetit të Shkodrës. Por të qenit pjesë e qytetit mbeti vetëm në shkresat zyrtare, pasi vetë banorët e konsiderojnë veten të shkëputur nga Shkodra. Për të shkuar në Zogaj do të përshkohet një rrugë shumë e ngushtë, në pjesën më të madhe të së cilës vetëm njëkalimëshe. Shpeshherë autobusët e mbushur me turistë hasin në vështirësi kur shkëmbehen me mjete të tjera. Megjithëse fshati ndodhet poshtë malit të Taraboshit, ku ndodhen antenat e transmetuesve televizivë të stacioneve më të rëndësishme shqiptare, banorëve iu privohet e drejta për t’u informuar nga ato. Shkak për këtë është bërë pamundësia e instalimit në një vend të përshtatshëm të këtyre transmetuesve, në mënyrë që valët e tyre të depërtojnë edhe në këtë lagje. Banorët të revoltuar shprehen se ato nuk mund të informohen mbi ngjarjet e ndryshme që ndodhin në Shqipëri, dhe se e vetmja mënyrë informimi apo argëtimi, mbeten televizionet malazeze. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur mëson se në këtë zonë nuk shkojnë as gazetat. “Ne këtu jemi të izoluar. Nuk kemi stacione televizive në shqip, nuk na vijnë as gazeta dhe revista. Ne shohim vetëm stacionet e Malit të Zi. Nëse doni të dini se çfarë bëhet në Mal të Zi na pyesni ne. Ndërsa për në Shqipëri nuk e dimë se çfarë bëhet. Kushedi sa herë i kemi thënë deputetëve apo drejtuesve lokalë, por vetëm premtime. Tani jemi lodhur. Kanë nisur fëmijët të na flasin serbisht jo vetëm në shtëpi, por edhe në rrugë, pasi televizioni gjithë ditën është vetëm në stacion të Mali të Zi”, u shpreh njëra nga banoret e fshatit Zogaj.