Fshati pa rrugë prej 18 vitesh
BERAT – Prej 18 vjetësh në fshatin Pashatlli të Beratit nuk ka rrugë. Janë rreth 1800 banorë, të cilët paralajmërojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet, në rast se nuk do të ndërhyhet për këtë problematikë të evidentuar vit pas viti. Sipas tyre, janë vetëm 800 metra rrugë që lidhin fshatin Pashatlli me aksin kryesor, por kjo pjesë është tejet e amortizuar. “Na kanë mashtruar disa vjet me radhë pushtetarët dhe deputetët”, shprehet banori i këtij fshati Riza Hajdari. Sipas tij, banorët kanë vendosur të bojkotojnë votën më 28 qershor, pasi ndihen të zhgënjyer për premtimet e pambajtura. “Në çdo fushatë elektorale na kanë premtuar se rruga do të jetë ndër prioritetet e para të tyre, por më pas asgjë konkrete”, shprehen banorët e këtij fshati. d.xh